Po merr formë “Kabare 1999” — një udhëtim teatror muzikor që lind mes provave, kujtesës dhe skenës. Jemi të lumtur të ndajmë me ju pamje nga provat e shfaqjes “Kabare 1999”, me regji nga Zana Hoxha.
Një shfaqje teatrore muzikore e vendosur në Kosovën e pasluftës, ku kënga, humori i zi, ironia dhe kujtesa kolektive ndërthuren në një rrëfim të fuqishëm.
Nën regjinë e Zana Hoxhës, e frymëzuar nga “Cabaret”, rrëfimi zhvendoset nga Berlini i viteve ’30 në Prishtinën e vitit 1999 – një qytet që po mëson të jetojë sërish, mes shpresës, lodhjes dhe etjes për jetë pas luftës.
Në qendër të shfaqjes është Aida, një vajzë që vjen në Prishtinë për të ndërtuar një të ardhme të re. Ditën shkruan, ndërsa natën punon si bariste në “Klub Europa”, një kabare improvizuese ku realiteti dhe performanca përzihen, duke e futur atë në një trekëndësh dashurie dhe në kërkim të identitetit të saj.
“Kabare 99” thellohet në kompleksitetin e Kosovës së pasluftës, duke ndriçuar betejat dhe triumfet e njerëzve që përpiqen të rindërtojnë jetën mes traumës dhe pasigurisë.
Provat po vazhdojnë me intensitet në skenën e Teatrit të Gjilanit, ku muzika, loja skenike, ironia dhe energjia e ansamblit po ndërtojnë çdo ditë një mozaik të gjallë artistik.
Çdo provë është një hap më afër një shfaqjeje që sfidon, emocionon dhe fton publikun të reflektojë mbi kohën, njeriun dhe shoqërinë.









29-30.11.2025
“Gratë e Trojës” kanë vazhduar rrugëtimin e tyre përgjatë nëntorit në dy qytete të Serbisë. Më 29 nëntor, 2025 në Reflektor Theater Festival në Beograd dhe një ditë më pas në Puls Teatar në Lazarevac, shfaqja tregoi se legjenda e Trojës nuk është thjesht histori e lashtë, por një reflektim i gjallë mbi vuajtjet e grave që jetojnë në luftë dhe pas saj.
Regjia bashkëkohore nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić solli një interpretim të freskët dhe tronditës: Hekuba, Kasandra dhe Andromaka u bënë pasqyrë e grave të sotme, të cilat përballen me shtypje, humbje, shpërngulje dhe dhunë. Publiku pa jo vetëm tragjedinë e individëve, por edhe barrën që historia i ka ngarkuar grave përgjatë shekujve, duke kuptuar se dhimbja nuk është e kohës së kaluar – ajo vazhdon të jehojë mes brezave.
Aktorët Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski krijuan një përvojë teatrale të thellë dhe prekëse, duke bashkuar fuqinë e trupit, zërin dhe heshtjen në një gjuhë universale emocioni.
Publiku i përbërë nga rreth 150 persona, në dy prezantimet, u largua i tronditur, por edhe i frymëzuar, duke kuptuar se forca dhe qëndrueshmëria e grave nuk është histori e lashtë – ajo është realitet që kërkon të dëgjohet përditshëm.
Në prezantimin në Beograd u zhvillua edhe një diskutim me publikun, i cili dha komente dhe parashtroi pyetje të shumta rreth procesit të shfaqjes, temave të trajtuara, bashkëpunimit artistik dhe sfidave të bashkëpunimit ndërmjet artistëve nga Kosova dhe Serbia, si një praktikë ende jo e zakonshme në skenën e artit.
Ky produksion, realizuar nga Artpolis në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian, ishte një thirrje për empati, reflektim dhe veprim, një dëshmi e fuqisë së grave për të përballuar mizorinë dhe për të mbajtur gjallë shpresën edhe në kohët më të errëta.











19.09.2025
Më 19 shtator 2025, Artpolis prezantoi në Paris shfaqjen “Revolt. She Said. Revolt Again”, me regji të Zana Hoxhës, në kuadër të Festivalit WeToo – një festival feminist, gjithëpërfshirës dhe inovativ. Para rreth 80 të pranishmëve, shfaqja u prit me reagime të fuqishme, duke hapur hapësirë për dialog e reflektim.
Me tekst të Alice Birch dhe interpretim nga aktoret Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao dhe Natalia May, shfaqja solli një përvojë teatrore intensive e provokuese, duke trajtuar tema mbi seksualitetin, pushtetin, punën dhe lirinë. Elementet vizuale, si skena e mbushur me shalqi, i dhanë dimension eko-feminist veprës, duke lidhur shtypjen patriarkale me shfrytëzimin e natyrës.
Siç shkruan Gili Hoxhaj, “Në rebelim nuk mjafton vetëm mendimi – të paktën jo për gratë e shekullit 21. Kjo është arsyeja pse shfaqja ‘Revolt. She Said. Revolt Again.’ i jep zë kësaj nevoje.”
Ky prezantim në Paris ishte më shumë se një shfaqje – një akt solidariteti që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe sjell një gjuhë universale të barazisë dhe lirisë.



















“Gratë e Trojës”, nën regji të Zana Hoxhës e Maja Mitiqit, është dhënë në skenën e festivalit “Tempora Contempora” në Lecce të Italisë
- Nga: Besartë Elshani
Shfaqja që evokon vargjet e Euripidit dhe i ndërthur ato me historitë moderne tek prek vuajtjet në Gazë, Ukrainë, Somali, Kongo e edhe në Kosovë, ka pasur stacion të radhës Italinë. “Gratë e Trojës”, realizuar nga ekipi nga Kosova e Serbia, njihet edhe nga publiku në Beograd, e aty do të rikthehet në nëntor si një vepër e cila nëpërmjet gjuhës së teatrit dënon atë që po ndodh në botën e mbërthyer prej luftërave që nuk ndalen
Dhembja e pareshtur e Kosovës e plaga që lëngon edhe sot me vuajtjet e rreth 20 mijë grave viktima të dhunës gjatë luftës, është njëra prej temave që shpaloset te “Gratë e Trojës”, e shfaqja në tërësi është ngjitur edhe në skenën e festivalit “Tempora Contempora” në Lecce të Italisë. Ndarja e roleve të projektit të organizatës “ArtPolis” me kastë të teatrit serb “DAH”, nisur nga regjia e aktorët, ka qenë përshtypja kryesore e publikut italian.
Po kjo temë e ky komunikim, i cili tejkalon kufijtë politikë me gjuhë të teatrit, rikthehet në zemër të Beogradit në nëntor.
Është një shfaqje që evokon vargjet e Euripidit dhe i ndërthur ato me historitë moderne. Nga lufta e Trojës mijëra vjet më parë, rrëfimi vjen me vuajtjet në Gazë, në Ukrainë, në Somali, Kongo e edhe në Kosovë. Si cikël i pafundmë i tragjedisë.
Me dramatizim nga Shpëtim Selmani dhe nën regji të Zana Hoxhës e Maja Mitiq, aktore e regjisore serbe, shfaqja bazohet në tragjedinë greke me të njëjtin titull nga Euripidi.
Aktorët Maja Mitiq, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojkoviq, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski e kanë ngjallur rrëfimin edhe në Itali.
Festivali “Tempora/Contempora” konsiderohet si eksplorim i horizonteve të gjera që u jep zë dhe hapësirë “mbi të gjitha një brezi të ri artistësh dhe interpretuesish, ende të panjohur për publikun e gjerë dhe median”.
Bashkëregjisorja e shfaqjes, Zana Hoxha, njëherësh drejtuese e organizatës “ArtPolis”, ka treguar se atje shfaqja është pritur mjaft mirë dhe se e ka prekur publikun në Lecce.
“Një prej gjërave që më së shumti u ka bërë përshtypje është ndërlidhja me historitë moderne, fakti që shfaqja tregon qysh prej gati katër mijë vjet më herët. Është shkruar për historinë e grave të Trojës, historia e grave të skllavëruara pas luftës. Mirëpo mandej qysh i kemi edhe historitë e sotme ku ka luftë dhe konflikt, për shembull, në Gazë, në Kosovë, historinë e Kubës që e kemi përdorur, sikur edhe në Algjeri pas luftës me Francën, sipas Sartreit”, ka treguar ajo në një bisedë për KOHËN.
Shfaqja u dha në hapësirën e qendrës kulturore “Manifatture Knos”, të enjten e kaluar, në kuadër të edicionit të gjashtë që u mbajt prej 31 gushtit deri më 6 shtator.
Në program ka qenë dhe shfaqja me të cilën, sipas regjisores Hoxha, dënohet me gjuhë dramaturgjike kaosi aktual në botë.
“Dënojmë me gjuhën e dramaturgjisë atë që po ndodh edhe sot ku nuk po ndalen luftërat, dhimbjet dhe në njëfarë mënyre tërheqim këtë paralele me sot. Kjo u ka bërë përshtypje se si të dy ekipet u janë dukur që kanë punuar bashkë për një kohë e gjatë, pra kohezioni i aktorëve si të jenë një ansambël i vetëm”, ka thënë ajo, duke dhënë detaje mbi të dhënat që përdoren në shfaqje.
“Ne kemi përdorur një histori të vërtetë të një gruaje nga Podujeva, e cila është intervistuar në fillim të viteve 2000 nga ‘Associated Press’. Ajo tregon se si ka jetuar vetëm me dy prindërit. Babanë e ka pasur në karrocë dhe kanë hyrë forcat paramilitare, e kanë dhunuar në sytë e prindërve të saj. Babai i saj ka vdekur paslufte nga pikëllimi, ndërsa nëna ishte hedhur në bunar, sepse nuk ka mundur të vazhdonte të jetonte me atë çfarë ka ndodhur me nënën e saj. Kjo grua ka vazhduar të jetojë. Prindërit e saj i kanë vuajtur njëjtë pasojat në një mënyrë tjetër, e cila më pas ka rezultuar me vdekjen e tyre të parakohshme”, ka treguar regjisorja Hoxha.
Këtë rol e interpreton Semira Latifi, sikurse edhe atë të Kasandrës. “Ajo thotë: ‘kjo është Kasandra e ditëve të sodit” dhe “këto janë 20 mijë Kasandrat e Kosovës pas luftës’”, ka transmetuar Hoxha.
Shfaqjen e unifikon fakti se personazhet flasin midis vete pa kuptuar dhe pa u kuptuar çfarë thotë tjetri që nuk flet të njëjtën gjuhë si folësi. Në rrethana të zakonshme kështu do të ndodhte në një bisedë të zakonshme.
“Nëna dhe vajza aty njëra komunikon në shqip e njëra serbisht dhe ata komunikojnë e kuptohen sikur e njohin gjuhën e njëra-tjetrës. Aktorët serbë nuk e dinë fare gjuhën shqipe. Në krejt projektin ata kuptohen me gjuhën e teatrit”, ka shpjeguar regjisorja Zana Hoxha.
Premiera e shfaqjes u dha tetorin e kaluar në teatrin “Dodona” në Prishtinë. U inskenua edhe në Beograd në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në fundnëntor. Për dy net radhazi transmetoi, midis tjerash, edhe pasojat e krimeve të forcave serbe në Kosovë.
“Kur është dhënë shfaqja në Serbi, shumë prej publikut kanë dëgjuar që 20 mijë gra të të gjitha komuniteteve janë dhunuar në Kosovë”, ka kujtuar Hoxha.
E shfaqja “Gratë e Trojës” në kryeqytetin serb rikthehet pas një viti. Në nëntor do të shfaqet në “Reflektor Teatar”, që ka për mision “promovimin e formave teatrale eksperimentale, politike dhe inovative, me një fokus të veçantë në prodhimin e skenave të pavarura të arteve performuese në rajon”.
Në shumë prodhime artistike të Kosovës të cilat marrin rrugë për t’u shfaqur nëpër qytetet e Serbisë, shpesh ngjan që ekipet të hasin në lëvizje nacionaliste. Vjet nuk ka pasur të tilla për ekipin e “ArtPolis” e drejtuesja e organizatës ka thënë se nuk presin as sivjet.
“Në Serbi tash situata politike është shumë e ndjeshme, protestat e studentëve nuk janë ndalur, po bëhet gati një vit. Situata është pak më jostabile dhe ne do ta përcjellim me kujdes deri në fund. Nëse është e rrezikshme për ekipin, së pari nuk i dërgoj, mirëpo është një festival që organizohet nga ‘Reflektor Teatar’ në Beograd, në një hapësirë që është për njerëz më mendjehapur, më demokratë, jo për nacionalistë”, ka thënë ajo.
Incidente të tilla i ka quajtur të inskenuara.
“Unë mendoj se ka ekipe në Kosovë dhe në Serbi që edhe i inskenojnë incidentet për të pasur popullaritet më të madh shfaqja. Ne nuk kemi inskenuar ndonjëherë incidente dhe nuk do të kemi nevojë”, ka thënë Hoxha.
E shfaqja “Gratë e Trojës” ka ende rrugë për të bërë. Synon edhe Zvicrën, për të cilën po pritet konfirmimi.
Më 4 shtator 2025, shfaqja “Gratë e Trojës” solli në skenë një udhëtim të dhimbshëm, por edhe të fuqishëm para publikut në Itali, në kuadër të Festivalit Tempora Contempora në Lecce. Luftërat, që prej shekujsh kanë shpërfytyruar njeriun, vazhdojnë të lënë gjurmë të thella në trupin dhe shpirtin e viktimave. Në këtë shfaqje, dhimbja e lashtë e grave të Trojës jehon në Gaza, Ukrainë, Kosovë, Somali e Kongo – duke treguar se plagët e luftës nuk njohin kufij, as kohë.
E bazuar në veprën e Euripidit dhe sjellë në një qasje feministe me regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitić, me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, kjo ndërthurje guximtare bëri që publiku prej rreth 60 spektatorësh të përjetonte një histori ku qëndresa e grave shndërrohet në thirrje për paqe.
Produksioni dygjuhësor – në shqip dhe serbisht – u bë fryt i një bashkëkrijimi dyvjeçar, ku artistë nga Kosova dhe Serbia ndanë të njëjtën skenë: Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski.
“Gratë e Trojës” në Lecce ishte një akt kujtese dhe rezistence, një dëshmi se arti mund të bartë plagët e së kaluarës dhe t’i shndërrojë në zëra që thërrasin për drejtësi e paqe universale.




26, 27, 28 & 30 Korrik, 2025 / Prishtinë dhe Novi Sad
Shfaqja “Kujtime nga Lumi” pati një prezantim të hapur për publikun më 26 korrik 2025 në Prishtinë, ndërsa premiera zyrtare u mbajt më 27 korrik. Një reprizë pasoi ditën tjetër, më 28 korrik. Më 30 korrik, lumi i kujtimeve rrjedhi përtej kufijve, duke mbërritur në skenën e Novi Sadit, ku u mirëprit si një udhëtim poetik mes artit dhe kujtesës.
Gjatë këtyre prezantimeve, mbi 180 pjesëmarrës përjetuan këtë ngjarje të veçantë teatrore.
Nëse fëmijëria është vendi ku formohet bota jonë e brendshme, atëherë “Kujtime nga Lumi” ishte një rikthim i guximshëm në këtë vend – të lumtur dhe të dhimbshëm njëkohësisht. Në këtë shfaqje eksperimentale, Zana Hoxha na ftoi të përballemi me atë që shpesh mundohemi ta harrojmë: zërin e padëgjuar të fëmijës brenda nesh.
Me një regji të thellë introspektive dhe një dramaturgji që ndërthur poezinë me realitetin brutal, shfaqja e vendosi publikun në një trajektore të ndjeshme – nga pafajësia tek dhuna e një shoqërie që nuk e përballon “të ndryshmen”. Mance – i portretizuar nga Edon Shileku – nuk ishte vetëm një karakter; ai ishte mishërimi i të gjithëve që janë ndjerë të vegjël përballë përbuzjes, të talentuar por të shtypur, ëndërrimtar i nëpërkëmbur.
Hana (Qendresa Kajtazi) ishte kujtesa e gjallë e atyre që nuk janë më, bartëse e heshtur e dhimbjes, dëshmitare e pafuqisë për të shpëtuar mikun e saj. Në lojën e saj pati njëlloj vuajtjeje të ngurtësuar, që e bëri dhimbjen akoma më të prekshme.



Shfaqja nisi tek Fontana e Pallatit të Rinisë, për të vazhduar në Burgun e Idealit – një udhëtim fizik që u bë metaforë për udhëtimin emocional. Kënga “E di se do të shohë” nga Minatori shoqëroi publikun si një himn i pashprehur i shpresës për të parë e për t’u parë.
Aktorët Elsa Belegu dhe Flamur Ahmeti – jo vetëm e plotësuan këtë rrëfim kolektiv, por sollën përmes trupit dhe zërit kujtesën që nuk hesht kurrë. Çdo skenë ishte një copëz e së vërtetës që shumëkush e mban fshehur. Nuk ishte vetëm struktura e saj eksperimentale që e bëri këtë shfaqje të veçantë, por mënyra se si ajo shndërrohet në një akt të përbashkët shërimi.
“Kujtime nga Lumi” nuk kërkoi vetëm të tregojë një histori – por ishte hapësirë e sigurt për reflektim, për të ndjerë, për të qajtur dhe për të ndarë. Publiku nuk ishte vetëm spektaktor, ai u bë bashkëudhëtar e bashkërrëfyes. Teatri nuk ishte spektakël. Ishte terapi kolektive, e ballafaqim me veten.
Në një shoqëri që shpesh s’ka kohë të dëgjojë, “Kujtime nga Lumi” u bë dëgjim kolektiv. Dhe ky dëgjim, vetë, ishte një formë e shërimit dhe çlirimit nga pesha e së kaluarës.



📸 Yllka Fetahaj





Recent Comments