26, 27, 28 & 30 Korrik, 2025 / Prishtinë dhe Novi Sad
Shfaqja “Kujtime nga Lumi” pati një prezantim të hapur për publikun më 26 korrik 2025 në Prishtinë, ndërsa premiera zyrtare u mbajt më 27 korrik. Një reprizë pasoi ditën tjetër, më 28 korrik. Më 30 korrik, lumi i kujtimeve rrjedhi përtej kufijve, duke mbërritur në skenën e Novi Sadit, ku u mirëprit si një udhëtim poetik mes artit dhe kujtesës.
Gjatë këtyre prezantimeve, mbi 180 pjesëmarrës përjetuan këtë ngjarje të veçantë teatrore.
Nëse fëmijëria është vendi ku formohet bota jonë e brendshme, atëherë “Kujtime nga Lumi” ishte një rikthim i guximshëm në këtë vend – të lumtur dhe të dhimbshëm njëkohësisht. Në këtë shfaqje eksperimentale, Zana Hoxha na ftoi të përballemi me atë që shpesh mundohemi ta harrojmë: zërin e padëgjuar të fëmijës brenda nesh.
Me një regji të thellë introspektive dhe një dramaturgji që ndërthur poezinë me realitetin brutal, shfaqja e vendosi publikun në një trajektore të ndjeshme – nga pafajësia tek dhuna e një shoqërie që nuk e përballon “të ndryshmen”. Mance – i portretizuar nga Edon Shileku – nuk ishte vetëm një karakter; ai ishte mishërimi i të gjithëve që janë ndjerë të vegjël përballë përbuzjes, të talentuar por të shtypur, ëndërrimtar i nëpërkëmbur.
Hana (Qendresa Kajtazi) ishte kujtesa e gjallë e atyre që nuk janë më, bartëse e heshtur e dhimbjes, dëshmitare e pafuqisë për të shpëtuar mikun e saj. Në lojën e saj pati njëlloj vuajtjeje të ngurtësuar, që e bëri dhimbjen akoma më të prekshme.



Shfaqja nisi tek Fontana e Pallatit të Rinisë, për të vazhduar në Burgun e Idealit – një udhëtim fizik që u bë metaforë për udhëtimin emocional. Kënga “E di se do të shohë” nga Minatori shoqëroi publikun si një himn i pashprehur i shpresës për të parë e për t’u parë.
Aktorët Elsa Belegu dhe Flamur Ahmeti – jo vetëm e plotësuan këtë rrëfim kolektiv, por sollën përmes trupit dhe zërit kujtesën që nuk hesht kurrë. Çdo skenë ishte një copëz e së vërtetës që shumëkush e mban fshehur. Nuk ishte vetëm struktura e saj eksperimentale që e bëri këtë shfaqje të veçantë, por mënyra se si ajo shndërrohet në një akt të përbashkët shërimi.
“Kujtime nga Lumi” nuk kërkoi vetëm të tregojë një histori – por ishte hapësirë e sigurt për reflektim, për të ndjerë, për të qajtur dhe për të ndarë. Publiku nuk ishte vetëm spektaktor, ai u bë bashkëudhëtar e bashkërrëfyes. Teatri nuk ishte spektakël. Ishte terapi kolektive, e ballafaqim me veten.
Në një shoqëri që shpesh s’ka kohë të dëgjojë, “Kujtime nga Lumi” u bë dëgjim kolektiv. Dhe ky dëgjim, vetë, ishte një formë e shërimit dhe çlirimit nga pesha e së kaluarës.


