Category

Teatër

Premiera e “Kabare 1999”, sjell periudhën e pasluftë mes lirisë e kujtimeve

Më 5 shkurt në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, u dha premiera e shfaqjes “Kabare 1999”, me rreth 100 persona në audiencë. Një shfaqje muzikore që e zhvendos rrëfimin nga Berlini i viteve ’30 në Prishtinën e 1999-ës – një qytet i sapo dalë nga lufta dhe po mëson të jetojë përsëri mes shpresës, lodhjes dhe dëshirës për jetë.

Regjisorja Zana Hoxha krijon një hapësirë ku realiteti dhe performanca ndërthuren, ku jeta luhet si spektakël, ndërsa traumën dhe mungesën e njerëzve nuk mund ta fshehësh pas dritave dhe muzikës. Në qendër qëndron Aida (Semira Latifi), një shkrimtare që ëndërron dhe kërkon të dëshmojë, të kuptojë dhe të shkruajë për të zhdukurit, por e gjen veten e tërhequr në një sistem që gjithçka e mat me çmim.

Përmes saj dhe personazheve të tjerë – MC (Kushtrim Qerimi), Soni (Edon Shileku), Ernesti (Gëzim Bucolli), Afërdita (Aurita Agushi), Dudija (Safete Mustafa Baftiu), Claudio (Gani Rrahmani), Agimi (Ali Demi), Gruaja (Mejreme Berisha) dhe ushtari (Blend Arifi) – shfaqja reflekton mbi lirinë, subjektivitetin dhe moralin në një botë që sapo ka dalë nga konflikti.

“Kabare 1999” flet për mënyrën se si kujtesa, shpresa dhe dëshira për të jetuar mbeten akt rezistence në një shoqëri që përpiqet të rindërtojë jetën pas traumës.

Në skenë në Serbi: “Gratë e Trojës” dhe fuqia e grave për paqe

29-30.11.2025

“Gratë e Trojës” kanë vazhduar rrugëtimin e tyre përgjatë nëntorit në dy qytete të Serbisë. Më 29 nëntor, 2025 në Reflektor Theater Festival në Beograd dhe një ditë më pas në Puls Teatar në Lazarevac, shfaqja tregoi se legjenda e Trojës nuk është thjesht histori e lashtë, por një reflektim i gjallë mbi vuajtjet e grave që jetojnë në luftë dhe pas saj.

Regjia bashkëkohore nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić solli një interpretim të freskët dhe tronditës: Hekuba, Kasandra dhe Andromaka u bënë pasqyrë e grave të sotme, të cilat përballen me shtypje, humbje, shpërngulje dhe dhunë. Publiku pa jo vetëm tragjedinë e individëve, por edhe barrën që historia i ka ngarkuar grave përgjatë shekujve, duke kuptuar se dhimbja nuk është e kohës së kaluar – ajo vazhdon të jehojë mes brezave.

Aktorët Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski krijuan një përvojë teatrale të thellë dhe prekëse, duke bashkuar fuqinë e trupit, zërin dhe heshtjen në një gjuhë universale emocioni.

Publiku i përbërë nga rreth 150 persona, në dy prezantimet, u largua i tronditur, por edhe i frymëzuar, duke kuptuar se forca dhe qëndrueshmëria e grave nuk është histori e lashtë – ajo është realitet që kërkon të dëgjohet përditshëm.

Në prezantimin në Beograd u zhvillua edhe një diskutim me publikun, i cili dha komente dhe parashtroi pyetje të shumta rreth procesit të shfaqjes, temave të trajtuara, bashkëpunimit artistik dhe sfidave të bashkëpunimit ndërmjet artistëve nga Kosova dhe Serbia, si një praktikë ende jo e zakonshme në skenën e artit.

Ky produksion, realizuar nga Artpolis në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian, ishte një thirrje për empati, reflektim dhe veprim, një dëshmi e fuqisë së grave për të përballuar mizorinë dhe për të mbajtur gjallë shpresën edhe në kohët më të errëta.

Revolta feministe jehon në Festivalin WeToo në Paris përmes “Revolt. She Said. Revolt Again”

Më 19 shtator 2025, Artpolis prezantoi në Paris shfaqjen “Revolt. She Said. Revolt Again”, me regji të Zana Hoxhës, në kuadër të Festivalit WeToo – një festival feminist, gjithëpërfshirës dhe inovativ. Para rreth 80 të pranishmëve, shfaqja u prit me reagime të fuqishme, duke hapur hapësirë për dialog e reflektim.

Me tekst të Alice Birch dhe interpretim nga aktoret Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao dhe Natalia May, shfaqja solli një përvojë teatrore intensive e provokuese, duke trajtuar tema mbi seksualitetin, pushtetin, punën dhe lirinë. Elementet vizuale, si skena e mbushur me shalqi, i dhanë dimension eko-feminist veprës, duke lidhur shtypjen patriarkale me shfrytëzimin e natyrës.

Siç shkruan Gili Hoxhaj, “Në rebelim nuk mjafton vetëm mendimi – të paktën jo për gratë e shekullit 21. Kjo është arsyeja pse shfaqja ‘Revolt. She Said. Revolt Again.’ i jep zë kësaj nevoje.”

Ky prezantim në Paris ishte më shumë se një shfaqje – një akt solidariteti që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe sjell një gjuhë universale të barazisë dhe lirisë.

Në skenën italiane, “Gratë e Trojës” ringjallin jehonën e paqes

Më 4 shtator 2025, shfaqja “Gratë e Trojës” solli në skenë një udhëtim të dhimbshëm, por edhe të fuqishëm para publikut në Itali, në kuadër të Festivalit Tempora Contempora në Lecce. Luftërat, që prej shekujsh kanë shpërfytyruar njeriun, vazhdojnë të lënë gjurmë të thella në trupin dhe shpirtin e viktimave. Në këtë shfaqje, dhimbja e lashtë e grave të Trojës jehon në Gaza, Ukrainë, Kosovë, Somali e Kongo – duke treguar se plagët e luftës nuk njohin kufij, as kohë.

E bazuar në veprën e Euripidit dhe sjellë në një qasje feministe me regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitić, me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, kjo ndërthurje guximtare bëri që publiku prej rreth 60 spektatorësh të përjetonte një histori ku qëndresa e grave shndërrohet në thirrje për paqe.

Produksioni dygjuhësor – në shqip dhe serbisht – u bë fryt i një bashkëkrijimi dyvjeçar, ku artistë nga Kosova dhe Serbia ndanë të njëjtën skenë: Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski.

“Gratë e Trojës” në Lecce ishte një akt kujtese dhe rezistence, një dëshmi se arti mund të bartë plagët e së kaluarës dhe t’i shndërrojë në zëra që thërrasin për drejtësi e paqe universale.

“Kujtime nga Lumi” – për Mancen, që na kujtoi të dëgjojmë brenda vetes

26, 27, 28 & 30 Korrik, 2025 / Prishtinë dhe Novi Sad

Shfaqja “Kujtime nga Lumi” pati një prezantim të hapur për publikun më 26 korrik 2025 në Prishtinë, ndërsa premiera zyrtare u mbajt më 27 korrik. Një reprizë pasoi ditën tjetër, më 28 korrik. Më 30 korrik, lumi i kujtimeve rrjedhi përtej kufijve, duke mbërritur në skenën e Novi Sadit, ku u mirëprit si një udhëtim poetik mes artit dhe kujtesës.

Gjatë këtyre prezantimeve, mbi 180 pjesëmarrës përjetuan këtë ngjarje të veçantë teatrore.

Nëse fëmijëria është vendi ku formohet bota jonë e brendshme, atëherë “Kujtime nga Lumi” ishte një rikthim i guximshëm në këtë vend – të lumtur dhe të dhimbshëm njëkohësisht. Në këtë shfaqje eksperimentale, Zana Hoxha na ftoi të përballemi me atë që shpesh mundohemi ta harrojmë: zërin e padëgjuar të fëmijës brenda nesh.

Me një regji të thellë introspektive dhe një dramaturgji që ndërthur poezinë me realitetin brutal, shfaqja e vendosi publikun në një trajektore të ndjeshme – nga pafajësia tek dhuna e një shoqërie që nuk e përballon “të ndryshmen”. Mance – i portretizuar nga Edon Shileku – nuk ishte vetëm një karakter; ai ishte mishërimi i të gjithëve që janë ndjerë të vegjël përballë përbuzjes, të talentuar por të shtypur, ëndërrimtar i nëpërkëmbur.

Hana (Qendresa Kajtazi) ishte kujtesa e gjallë e atyre që nuk janë më, bartëse e heshtur e dhimbjes, dëshmitare e pafuqisë për të shpëtuar mikun e saj. Në lojën e saj pati njëlloj vuajtjeje të ngurtësuar, që e bëri dhimbjen akoma më të prekshme.

Shfaqja nisi tek Fontana e Pallatit të Rinisë, për të vazhduar në Burgun e Idealit – një udhëtim fizik që u bë metaforë për udhëtimin emocional. Kënga “E di se do të shohë” nga Minatori shoqëroi publikun si një himn i pashprehur i shpresës për të parë e për t’u parë.

Aktorët Elsa Belegu dhe Flamur Ahmeti – jo vetëm e plotësuan këtë rrëfim kolektiv, por sollën përmes trupit dhe zërit kujtesën që nuk hesht kurrë. Çdo skenë ishte një copëz e së vërtetës që shumëkush e mban fshehur. Nuk ishte vetëm struktura e saj eksperimentale që e bëri këtë shfaqje të veçantë, por mënyra se si ajo shndërrohet në një akt të përbashkët shërimi.

“Kujtime nga Lumi” nuk kërkoi vetëm të tregojë një histori – por ishte hapësirë e sigurt për reflektim, për të ndjerë, për të qajtur dhe për të ndarë. Publiku nuk ishte vetëm spektaktor, ai u bë bashkëudhëtar e bashkërrëfyes. Teatri nuk ishte spektakël. Ishte terapi kolektive, e ballafaqim me veten.

Në një shoqëri që shpesh s’ka kohë të dëgjojë, “Kujtime nga Lumi” u bë dëgjim kolektiv. Dhe ky dëgjim, vetë, ishte një formë e shërimit dhe çlirimit nga pesha e së kaluarës.

“Vojceku” i Zana Hoxhës: Një tragjedi e tjetërsimit dhe dhunës shoqërore

Jeta e Vojçekut është një poezi e dhimbshme e tragjedisë së individit, një përjetim i pafundmë i përçmimit dhe keqtrajtimit që çon në shpërbërje dhe vetëshkatërrim. Përmes transformimit të dramës së Georg Büchnerit, të përshtatur nga dramaturgu Jack Thorne, Zana Hoxha solli një verzion bashkëkohor dhe universalisht të dhimbshëm të kësaj historie, duke e kthyer Vojçekun në një simbol të dehumanizimit dhe tjetërsimit.

Më 21 shkurt 2025, në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë, shfaqja erdhi një pasqyrë të thellë të individit të dehumanizuar, ku çdo detaj skenik, ishte një reflektim i mundimeve të një njeriu që humb lidhjen me realitetin e tij. Regjia e Hoxhës fokusohej në gjendjen psikologjike të protagonistit, duke e pasqyruar mënyrën se si ai, përmes një eksperience të pafund dhune, humbet jo vetëm identitetin, por edhe aftësinë për të vepruar si një subjekt i lirë.

Fati i Vojçekut është i paracaktuar: dhuna dhe traumat që ai ka përjetuar që në fëmijëri e çojnë atë drejt një fundi tragjik. Ai shndërrohet në një objekt eksperimentesh dhe një ushtar pa zë. Vojceku është viktimë e një bote që e përdor, por nuk e pranon si të barabartë.

Në skenën e konceptuar nga Grace Rumsey, gjithçka është e mbuluar nga një errësirë e padukshme. Ngjyrat e ftohta, materialet plastike dhe objektet që krijojnë një atmosferë të ngurtë, shërbejnë si simbole të robërisë së individit. Ky është një vend ku liria nuk ekziston, dhe çdo hap është i mbërthyer në grackat e një sistemi që e përjashton njeriun nga çdo mundësi për të jetuar si individ i plotë.

Me gjithë tragjedinë që ajo përmban, shfaqja nuk është thjesht një portret i Vojçekut, por një thirrje alarmante ndaj shoqërisë. Ajo pasqyron përmasat e asaj që mund të ndodhë kur njeriu humb lidhjen me njerëzoren dhe të drejtat themelore të tij. “Vojceku” la një jehonë të thellë te publiku, duke ngritur pyetje të rëndësishme mbi padrejtësitë shoqërore, dhunën, tjetërsimin e individit dhe, mbi të gjitha, mbi rëndësinë e shëndetit mendor dhe përgjegjësinë kolektive që bartim si shoqëri.

Premierën e “Vojçekut” paten rastin ta ndjekin rreth 580 persona në audiencë.

Kjo shfaqje është bashkëproduksion i Teatrit “Hadi Shehu” dhe Artpolis mbështetur nga Komuna e Gjakovës dhe UNFPA.

📸 Rilind Beqa

Thyerja e heshtjes, “Monologjet e Vaginës” si akt emancipimi

Më 27 dhjetor 2024, në mjediset e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë, një zë i fuqishëm u ngrit kundër heshtjes dhe tabuve.

“Monologjet e Vaginës”, leximi skenik i bazuar në tekstin ikonik të Eve Ensler dhe me regji të Zana Hoxhës, solli në qendër të vëmendjes histori të grave që sfidojnë censurën dhe dezinformimin në një shoqëri ku edukimi seksual vazhdon të jetë një temë tabu.

Përmes performancave të jashtëzakonshme të aktoreve Ilire Vinca, Sheqerie Buqaj, Qendresa Kajtazi, Xhejlane Tërbunja, Zana Berisha dhe Blerta Gubetini, publiku dëgjoi rrëfime të guximshme që shkojnë përtej margjinalizimit dhe stigmatizimit. Çdo monolog ishte një akt emancipimi, një thirrje për të reflektuar mbi lirinë e trupit dhe fuqinë e fjalës.

Ky aktivitet, i organizuar nga Artpolis me mbështetjen e UNFPA-së, nuk ishte vetëm një ngjarje kulturore. Ishte një përpjekje për të krijuar një hapësirë ku të pathënat të dëgjoheshin dhe ku edukimi seksual të trajtohej si një çështje thelbësore për një shoqëri të shëndetshme. Në diskutimin që pasoi, udhëhequr nga regjisorja Zana Hoxha dhe me panelistet Mirishahe Syla dhe Adelina Berisha, u artikuluan sfidat e grave në Kosovë, veçanërisht në sfondin e rritjes së lëvizjeve anti-feministe. Panelistet theksuan rrezikun e rikthimit të normave represive dhe rëndësinë e një aktivizmi të zëshëm dhe të koordinuar.

Leximi skenik ishte një reflektim mbi raportin e shoqërisë me trupin e gruas – jo vetëm si një entitet fizik, por si simbol i rezistencës dhe pavarësisë. Në një kohë kur trupi i gruas vazhdon të jetë terren luftërash ideologjike dhe politike, ky tekst na kujton se fuqia e fjalës është një mjet thelbësor për çlirim. “Monologjet e Vaginës” u bë një pasqyrë e brishtë dhe e fuqishme e dhimbjeve dhe triumfeve, duke na shtyrë të reflektojmë mbi rolin tonë në angazhimin për barazi e drejtësi.

Në thelb, kjo ngjarje ishte një akt solidariteti – duke na kujtuar se stigma dhe heshtja mund të thyhen. “Monologjet e Vaginës” shërbyen si një përvojë transformuese, një kujtesë e fortë se të flasësh është akt guximi dhe lirie.

📸 Selvianë Hysenaj

Gratë e Trojës – Një Rrëfim i Përjetshëm për Luftën dhe Qëndresën

Më 5 nëntor 2024, premiera e shfaqjes “Gratë e Trojës” u mbajt në Teatrin Dodona në Prishtinë, e ndjekur nga repriza më 6 nëntor. Kjo vepër e fuqishme teatrale, me regji nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić, solli në skenë një ripërpunim feminist të tragjedisë së Euripidit, duke ndriçuar traumat e përhershme të luftës dhe qëndresën e grave që ballafaqohen me tmerret e saj.

Pas prezantimeve në Prishtinë, Gratë e Trojës udhëtoi drejt Beogradit, ku u shfaq më 22 dhe 23 nëntor 2024 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor (CZKD). Gjatë katër prezantimeve, mbi 370 spektatorë përjetuan një produksion që shndërroi skenën në një hapësirë reflektimi, zie dhe rezistence. Në një botë që ende dëshmon shkatërrimin në Gaza dhe Ukrainë, kjo shfaqje ngjalli emocione të thella, duke shërbyer si pasqyrë e historisë dhe thirrje për paqe.

Me një qasje regjisoriale bashkëkohore, shfaqja ndërthur rrëfimet nga Troja e lashtë me zonat moderne të luftës—nga Ballkani i viteve ’90, Somalia, e më gjerë. Gratë e Trojës kujton se lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve; plagët e saj mbeten të hapura për breza të tërë. Kjo vepër fuqizon zërat e grave që, përgjatë historisë, kanë përjetuar zhvendosjen, humbjen dhe shtypjen, por që vazhdojnë të luftojnë për dinjitet dhe drejtësi.

Figurat e Hekubës, Kasandrës dhe Andromakës tejkalojnë kufijtë e tragjedisë antike, duke mishëruar vuajtjet e grave të sotme. Ato janë nëna që vajtojnë bijtë e tyre, bija të privuara nga e ardhmja dhe gra të detyruara në mërgim. Në luftë, ato shpesh shihen jo si të mbijetuara, por si plaçkë—e megjithatë, zërat e tyre, që jehonin dikur në lashtësi, kërkojnë të dëgjohen edhe sot.

Shfaqja u realizua në gjuhën shqipe dhe serbe, me titra në anglisht, dhe solli në skenë një kast të talentuar aktorësh: Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski.

Një bashkëpunim mes Artpolis dhe Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Gratë e Trojës u mundësua me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Megjithatë, përmbajtja e shfaqjes mbetet përgjegjësi ekskluzive e Artpolis dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Më shumë se një shfaqje teatrore, Gratë e Trojës është një kujtesë, një ballafaqim dhe një thirrje—një testament për qëndresën e shpirtit njerëzor përballë mizorisë së pamëshirshme të luftës.

TATUAZHI I TRËNDAFILIT

14.07.2023

Në një komunitet të vogël siciliano-amerikan Serafina delle Rose është një grua dhe nënë e zjarrtë dhe e pasionuar. Kur burri i saj Rosario vritet teksa kontrabandonte, Serafina mbyllet nga jeta dhe dashuria.

Ajo i injoron thashethemet e qytetit dhe jeton në hutim derisa vajza e saj Rosa deklaron veten e dashuruar. E frustruar dhe zemërthyer, Serafina sulmon me zemërim këdo që arsyeton me të. Kjo derisa një shofer kamioni arrin në derën e saj. Shfaqja që Tennessee Williams e quajti “loja e tij e dashurisë për botën”, është një përrallë pasionante e bestytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer.

Tatuazhi i Trëndafilit ofron një komedi të zgjuar dhe interaktive me publikun ndërsa i kujton atyre që të hapin zemrat e tyre dhe të gjejnë shpresën atje ku nuk e presin.

Nën regjinë e Zana Hoxhës, kjo shfaqje vjen si një komedi romantike e cila angazhon Ansamblin resident të Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” dhe aktoren mysafire Aurita Agushi për të adresuar temën e represionit seksual si një temë e fortë dhe e vazhdueshme, mirëpo duke e kthyer historinë e saj në një pasion, romancë dhe shpresë.

Tatuazhi i trëndafilit mbetet një simbol i dashurisë, seksit, cenueshmërisë emocionale dhe riprodhimit.

Kasti

Autor: Tennessee Williams

Regjia: Zana Hoxha

Luajnë: Aurita Agushi, Rifat Smani, Hajat Toçilla, Alban Krasniqi, Xhevdet Doda, Beslidhje bytyqi, Valmira Hoti, Zana Duraku

Koreograf dhe mjeshtri plastike: Robert Nuha

Kostumografe dhe skenografe: Youliana Voykova

Kompozitor: Liburn Jupolli

Shqipëroi: Nehat S Hoxha

Producent: Burim Mustafa

Udhëheqës artisitik: Fatos Berisha

Asistent teknik i regjisë: Alban Çela

Tonist: Flamur Krasniqi

Ndriques: Fikrim Menekshe

Grimi: Canan Cibo

Garderobiere: Vjollca Hoxhaj

Rekuiziter: Arben Rashkaj

Dekorater: Murat javori

Realizimi i skenografisë: Onur Cibo

Teknik i skenës: Shqipe Gollopeni

“Toka e Shpirtrave të Trazuar”

14.06.2022

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” është një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata.

E shtrirë në një format unik eksperimental, performanca e regjisores Zana Hoxha krijon një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës, dhe dramaturgjinë e Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive.

Ky projekt nga Trupa Artistike e Artpolis së bashku me artistë të rinj të muzikës dhe dansit vjen përmes fragmenteve të ndryshme poetike apo teksteve të mbushura me dhimbje, kushtrim, shpresë e forcë dhe dhe shfaqet si imazh i reziliencës sonë kolektive.

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë.

Por, a është e mjaftueshme të jesh i lirë? A ka diçka përtej saj?

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” është një album fotografish që assesi nuk duhet ta mbulojë pluhuri, apo të harrohet në ndonjë sirtar.

Autore: Shqipe Malushi

Regjia: Zana Hoxha

Dramaturgjia: Shpëtim Selmani

Koreograf: Robert Nuha

Aktorë/e: Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli, Edlir Gashi

Kërcimtarë/e: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani

Soliste/ë: Donika Rushiti, Shaban Behramaj, Urta Haziraj, Etrit Nura

Kostumograf: Arbnor Brahimi

Videoprojeksionet skenike: Florian Canga

Asistente dhe organizatore: Elira Lluka

Skenografia: Arben Shala

Tonist: Arben Aliu

Ndriçimi: Sherif Sahiti dhe Mursel Bekteshi

Mjeshtër skene: Aziz Maloku, Rrahman Mehmeti

Grimi: Myrvete Tahiri, Flora Hasani

📸 Rilind Beqa

#zanahoxha #artist #hauntedland #kosovo #theatre