All Posts By

Elira Lluka

“Toka e Shpirtrave të Trazuar”

14.06.2022

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” është një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata.

E shtrirë në një format unik eksperimental, performanca e regjisores Zana Hoxha krijon një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës, dhe dramaturgjinë e Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive.

Ky projekt nga Trupa Artistike e Artpolis së bashku me artistë të rinj të muzikës dhe dansit vjen përmes fragmenteve të ndryshme poetike apo teksteve të mbushura me dhimbje, kushtrim, shpresë e forcë dhe dhe shfaqet si imazh i reziliencës sonë kolektive.

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë.

Por, a është e mjaftueshme të jesh i lirë? A ka diçka përtej saj?

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” është një album fotografish që assesi nuk duhet ta mbulojë pluhuri, apo të harrohet në ndonjë sirtar.

Autore: Shqipe Malushi

Regjia: Zana Hoxha

Dramaturgjia: Shpëtim Selmani

Koreograf: Robert Nuha

Aktorë/e: Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli, Edlir Gashi

Kërcimtarë/e: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani

Soliste/ë: Donika Rushiti, Shaban Behramaj, Urta Haziraj, Etrit Nura

Kostumograf: Arbnor Brahimi

Videoprojeksionet skenike: Florian Canga

Asistente dhe organizatore: Elira Lluka

Skenografia: Arben Shala

Tonist: Arben Aliu

Ndriçimi: Sherif Sahiti dhe Mursel Bekteshi

Mjeshtër skene: Aziz Maloku, Rrahman Mehmeti

Grimi: Myrvete Tahiri, Flora Hasani

📸 Rilind Beqa

#zanahoxha #artist #hauntedland #kosovo #theatre

“Çimka” në dy botë paralele: pasqyrim i së kaluarës, thirrje për reflektim

Media: KTV
Titulli i storjes: “Çimka” në dy botë paralele: pasqyrim i së kaluarës, thirrje për reflektim
Data: 08 maj 2022
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/324388/cimka-ne-dy-bote-paralele-pasqyrim-i-se-kaluares-thirrje-per-reflektim/?fbclid=IwAR01Q2zP6069AUTGL-1Df08aY3IPmJsEX-25GuZBaCpOXmYuYpgmgr6-g6s

Nga: Berat Bajrami

E rimarrë nga “Çimka”, Shtëpia me Gjethe është hapësirë e dy botëve paralele: regjimit jugosllav në Kosovë dhe atij në Shqipëri, të cilin publiku e përjeton paralelisht. Historitë e përgjimeve, të vuajtjeve dhe persekutimeve të mijëra shqiptarëve, viktima të këtyre regjimeve totalitare, ringjallen e rinjihen përmes shfaqjes “Çimka”, me autor Shpëtim Selmani, në regji të Zana Hoxhës

Aty kur dikur të internuarit, disidentët e të rebeluarit detyrueshëm ecnin për t’iu nënshtruar torturave të regjimit totalitar, mbrëmjen e ditës së parë të majit, publiku në Tiranë ecte me kureshtje në dhomat e hapësirat e inskenuara për shfaqjen “Çimka”. Përjetimet e një populli të ndarë pikëtakohen në një vend – muzeun kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Shijen e një shfaqjeje të pazakontë publiku e përjeton qysh me hapjen e dyerve të muzeut. Të ndarë në dy grupe: si “gjeth” apo “çimkë” publiku fillon ecjen në drejtime të kundërta, një ecje e ngadaltë e me ndrojtje, në pritje të skenave që do të pasonin.

E rimarrë nga “Çimka”, Shtëpia me Gjethe është hapësirë e dy botëve paralele: regjimit jugosllav në Kosovë dhe atij në Shqipëri, të cilin publiku e përjeton paralelisht.

Historitë e përgjimeve, të vuajtjeve dhe persekutimeve të mijëra shqiptarëve, viktima të këtyre regjimeve totalitare, ringjallen e rinjihen përmes shfaqjes “Çimka”, me autor Shpëtim Selmani, në regji të Zana Hoxhës, që ka zhvilluar deri më tani edhe tri repriza (4, 5, 6 maj 2022). Ato vijnë si pasqyrim i së kaluarës, e thirrje për të reflektuar e mësuar nga to.

Përgjimet, torturat, tmerri dhe shtypja e një populli, të ndarë në dy shtete, jetësohen mjeshtërisht përmes dy protagonistëve: Dervish Shaqa e Musine Kokalari, të cilat i luajnë Mikel Markaj, përkatësisht Xhulia Musagalliu.

Te këto dy personalitete, regjisorja Zana Hoxha ka parë rebelizmin ndaj regjimeve përkatëse, si figura që para së gjithash e mbi të gjitha – kanë dashur lirinë.

“Konsideroj se që të dy janë rebelë, dhe që nuk e kanë komprometuar artin e tyre. Dervishi nuk e ka komprometuar artin e tij dhe e ka përdorur këngën për të përçuar mesazhe edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Ndërsa Musinea, emblemë e kohës, disidente, e cila nuk e nëpërkëmbi dinjitetin e saj, përkundër të gjitha vështirësive, dënimeve, internimeve e kushteve të vështira të jetës”, thotë Hoxha.

Gjersa skenat ndërrohen, publiku i ambientuar nxiton për të parë skenat e tjera. Lëviz nga ngushticat e muzeut në hapësirat e jashtme, për t’u prezantuar edhe me ankthin që ka përjetuar populli shqiptar për një kohë të gjatë. Kjo vihet në pah përmes tablosë së Edison Gjergos, një piktor që ishte viktimë e regjimit totalitar në Shqipëri. Ankthi sa vjen e shtohet kur personazhet nuk arrijnë të gjejnë një hapësirë të përshtatshme për ta fshehur pikturën e tij. Ai dhe arti i tij, si qindra artistëve, përjetoi grushtin e hekurt të regjimit totalitar.

Por, ëndrrat, dashuria për lirinë dhe jetën, këngën dhe vallëzimin kulmojnë në takimin e Dervishit dhe Musinesë, viktima të regjimeve në të dyja anët e kufirit. Personazhe që inspirojnë për jetën edhe sot e kësaj dite. Skena si këto ofrojnë një ndjesi sa të çuditshme aq edhe të pazakontë. Ngjallin mendime e reflektime mbi përjetimet e këtyre personaliteteve dhe shumë të tjerëve.

“E vërteta është se këtu mbizotëron frika, terrori. Po kush ka guxim të thotë jo, kush? Askush! Ama brenda zemrës sime sundojnë ëndrrat. E di që nëse jo unë, ata që do të vijnë pas meje do të vallëzojnë, do të hedhin hapat ashtu sikurse duan ata vetë. Asnjë sistem sundues nuk do të mund ta hedhë dot rrjetën e tij mbi nevojën e njeriut për të ushtruar vullnetin e lirë”, thotë personazhi i Musine Kokalarit dhe kjo vjen si mesazh përmbyllës i shfaqjes.

Kjo shfaqje vjen edhe si një bashkëpunim i veçantë ndërmjet artistëve të Kosovës e Shqipërisë. Bashkëproduksioni i “Artpolis” dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka bërë bashkë gjashtë aktorë e aktore nga Shqipëria dhe dy nga Kosova: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu , Mikel Markaj , Edlir Gashi, Urim Aliaj , Altea Dulellari.

Këtë shfaqje, të krijuar enkas për “Shtëpinë me Gjethe”, publiku do të ketë rastin ta përjetojë edhe pak ditë: Pos të shtunën mbrëma, edhe më 11, 12, 13, 14 e 15 maj.

“ÇIMKA”

01.05.2022

“ÇIMKA” pasqyrim i të kaluarës së shqiptarëve, e thirrje për reflektim

Mbrëmjen e 1 majit, 2022 publiku pati rastin të përjetojë emocione të veçanta në premierën e shfaqjes “ÇIMKA”, me autor Shpëtim Selmani dhe regji të Zana Hoxhës.

E jetësuar në “Shtëpinë me Gjethe”, aty kur dikur përgjoheshin personalitete e qytetarë të thjeshtë, “ÇIMKA” vjen si pasqyrim i të kaluarës së popullit shqiptar, e thirrje për të reflektuar e mësuar nga ajo.

Publiku si “gjeth” apo “çimkë” përjetoi paralelisht dy botë paralele, diktaturën në Shqipëri dhe regjimin jugosllav në Kosovë. Historitë e përgjimeve, torturat, tmerri, dhe shtypja e mijëra shqiptarëve jetësohet me mjeshtëri përmes dy protagonistëve, Dervish Shaqa e Musine Kokalari.

Për regjisoren Zana Hoxha, protagonistët e shfaqjes “ÇIMKA” janë simbole të rezistencës në mënyra të ndryshme: “Një rapsod, qëndrestar përmes këngës, e tjetra një aktiviste, artiste disidente që dha jetën pa humbur integritetin e saj”.

Skenat ndërrohen. Publiku lëviz nga ngushticat e muzeut në hapësirat e jashtme të saj, për t’u prezantuar edhe me ankthin që ka përjetuar populli shqiptar për një kohë të gjatë. Kjo vihet në pah edhe përmes tablosë së Edison Gjergon, një piktor që ishte viktimë e regjimit totalitar në Shqipëri. Ankthi sa vjen e shtohet kur personazhet nuk arrijnë të gjejnë një hapësirë të përshtatshme për ta fshehur pikturën e Gjergos, që ishte goditur nga dora e çeliktë e censurës.

Por, ëndrrat, dashuria për lirinë dhe jetën, këngën dhe vallëzimin kulmojnë në takimin e Dervishit dhe Musinesë, viktima të regjimeve në të dy anët e kufirit. Personazhe që inspirojnë për jetën edhe sot e kësaj dite.

Shfaqja përmbyllet me një mesazh të fuqishëm nga Musine Kokalari: “E vërteta është se këtu mbizotëron frika, terrori. Po kush ka guxim të thotë jo, kush? Askush! Ama brenda zemrës sime sundojnë ëndrrat. E di që nëse jo unë, ata që do të vijnë pas meje do të vallëzojnë, do të hedhin hapat ashtu sikurse duan ata vet. Asnjë sistem sundues nuk do të mund ta hedhë dot rrjetën e tij mbi nevojën e njeriut për të ushtruar vullnetin e lirë”.

Produksioni : Teatri Kombetar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” & Qendra Artpolis

Autor: Shpetim Selmani
Regjisore: Zana Hoxha

Aktorë/e: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi , Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj, Altea Dulellari

Kompozitor: Liburn Jupolli

Skenografia dhe Kostumet: Youliana Voykova – Najman
Asistentë regjie: Greta Baci & Kevin Rrapaj
Asistente teknike: Elira A Lluka
Koreografe: Valentina Myteveli

Kjo shfaqje mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Shtëpia e Gjetheve, Zyra e Presidentes së Kosovës, cfd dhe Buçaj.

📸 Andis Rado

#ZanaHoxha #Artpolis #TeatriKombetarEksperimental #Çimka #theater #documentary #tirana #prishtina #albanianart #muzeugjetheve #albania #kosova #artandcommunity

Koncerti inaugurues i Operës së Kosovës

Mbrëmja e 31 tetorit, 2021 shënoi një moment historik për kulturën në Kosovë, me koncertin inaugurues të Operës së Kosovës, “Opera Gala,” që u mbajt në sallën e sporteve të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Zana Hoxha u ftua nga regjisoria e mirënjohur Burbuqe Berisha për të qenë bashkëregjisore në këtë projekt madhështor. Fatkeqësisht, disa ditë para koncertit, Berisha ndërroi jetë, duke mos arritur të shohë frytet e punës së përbashkët.

Për Hoxhën, kjo mbrëmje ishte një përvojë mes emocionesh të thella – trishtim për humbjen e shoqes dhe bashkëpunëtores së saj, Burbuqe Berisha, dhe krenari për angazhimin e përbashkët që rezultoi në një spektakël të paharrueshëm.

“Jam shumë krenare për mundësinë që pata të jem regjisore e Koncertit Inaugurues të Operës Gala mbrëmë dhe për mënyrën se si kjo mbrëmje e tejkaloi çdo pritshmëri”, shkroi Hoxha në rrjetet sociale, duke ndarë emocionet e saj pas përfundimit të koncertit.

Në një intervistë për Grupin KOHA, Hoxha e përshkroi procesin si një sfidë të veçantë, pasi për herë të parë ndërmerrte një regji të kësaj natyre. 

“Ne siç e dimë nuk kemi regjisorë të specializuar për opera. Kjo nuk është operë, është një koncert inaugurues i operës, mirëpo ka pasur shumë punë organizative. Këto që i shihni sonte dhe në këtë angazhim kanë punuar më shumë se 200 persona dhe unë kam qenë një nga personat që është marrë me gjithë këta njerëz, por ka qenë një koordinim fantastik me grupin punues që është themeluar nga Ministria e Kulturës. Ne si regjisore kemi filluar procesin fillimisht me grupin punues që ju të shihni një sallë të tillë e cila siç e dini nuk ekziston, por është bërë enkas për këtë koncert, pastaj realizmi i aspektit vizual, jemi marrë me detajet e videos që i keni parë, me detajet e skenës, pra të gjitha kanë qenë punë që nuk janë në sensin regjisorial si në shfaqje apo filma, por më shumë ne sensin për një ngjarje që është koncertale dhe për televizion”, ka deklaruar Hoxha për Grupin KOHA. 

Pavarësisht sfidave teknike, mbrëmja kaloi pritshmëritë dhe shënoi një hap të madh për operën në Kosovë. “Opera Gala” mbetet një kujtim i fuqishëm për Zana Hoxhën, që ndërthur ndjenjat e humbjes me krenarinë për një arritje të përbashkët, duke dëshmuar fuqinë e artit për të bashkuar.

Lexim skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”

Më 25 qershor 2021 u dha premierë leximi skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”, me regji të Zana Hoxhës, në Parkun e Qytetit në Prishtinës.

Trupa rezidente e Qendrës Artpolis realizoi këtë vepër të Edna Mazyas para një publiku me diversitet gjinor, në moshë e në etni, i cili e mirëpriti realizimin e kësaj vepre dhe temat e trajtuara në të.

Edna Mazya përmes veprës së saj na sjellë ngjarjen e vërtetë të përdhunimit të një vajze nga katër të rinj në Izrael, në vitet 1988-91. E përveç kësaj “Lojëra në Oborrin e Pasmë” vë në pah rrënjët e thella të sistemit patriarkal edhe në institucionet shtetërore, që vetëm sa shton peshën e shtypjes ndaj grave
Aktivisti, Durim Elshani, për këtë temë tha se, “nuk është e natyrshme që djali me qenë jo emocional, agresiv, dhunues e ngacmues. Është sistem pushteti i krijuar me norma të qarta, e me role të përcaktuara sipas konstrukteve sociale, ku për të qenë djalë i ‘mirë, i ndershëm e i dashur’ duhet me qenë agresiv, ngacmues e sundues. Prandaj djemtë gjatë përdhunimit nuk kishin frikë për dhunën që shkaktonin, se brenda hegjemonisë maskuliste ajo të bënë burrë të zotin”.

Autore: Edna Mazyac
Regjia: Zana Hoxha
Shqipëroi: Artur Lena

Aktorët/et: Zhaneta Xhemajli, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Ismail Kasumi, Blerta Gubetini dhe Art Pasha

Zana e artit dhe e aktivizmit

“Është identitet i jemi”, thotë regjisorja Zana Hoxha. Qysh prej kohës së studimeve, e ka shoqëruar kombinimi i krijimtarisë teatrale me vullnetarizmin qytetar. Shpesh, në dërrasat e teatrit, ka gërshetuar kauzat shoqërore, sidomos ato në mbrojtje të të drejtave të grave. Mesazhet për ndryshim janë përçuar nëpërmjet artit, të cilin e ka kthyer edhe në mjet mirënjohjeje edhe për sakrificën e grave dhe aktivisteve të viteve nëntëdhjetë.

“Zana, në radhë të parë, është një feministe e fortë, edhe ajo lufton përmes punës së saj për të drejtat e grave dhe vajzave dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë”, thotë Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës.

“Zana është grua e fortë, por paralelisht është edhe e ndjeshme, dhe ndien e solidarizohet me të tjerët, të cilët kanë nevojë me pasë përkrahjen e saj”, thekson Venera Ismaili, pjesë e qendrës “Artpolis”.

“….por kjo është Zana, nuk ka qejf me qenë e dyta, ka qejf me realizu deri në perfeksion, si në jetë si profesionalisht, por puna e saj si aktiviste e të drejtave të njeriut, puna e saj e jashtëzakonshme me ‘FemArtin’, ku është pjesa edhe profesionale dhe humanitare, e bën Zanën shumë të veçantë për modelin, hajde unë po them qysh kemi qejf, të gruas shqiptare…”, spikat aktori Adrian Morina.

Këto janë fjalët e disa prej miqve dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë që pasqyrojnë veprimtarinë si aktiviste dhe krijimtarinë si regjisore të Zana Hoxhës. Krejt jeta e saj dyzon angazhimin vullnetar qytetar jashtë e realizimin e ambicieve profesionale brenda teatrit. Aty ndihet më së miri. Mesazhi i saj, gjithnjë thirrje për ndryshim.

Arka si thirrje për ndryshim

Edhe kthesat më të mëdha në karrierën e saj lidhen me ndryshimet historike të Kosovës.

Për jetësimin e tyre, Zana do të frymëzohej nga gjyshja Hedije, një grua me karakter të fortë.

“Gjyshja e ka pasur një histori interesante të rritjes, nuk ka përtuar kurrë që me m’i tregu historitë e saj mua. Ka qenë një model se si duhet me i pranu personat që shoqëria i gjykon, i përjashton, që i sheh më ndryshe”, kujton me krenari Hoxha copëza rrëfimi në zyrën e saj në Prishtinë. Muret, të mbushura me shenja që ia përkujtojnë kohë të ndryshme. Secila prej tyre, histori më vete.

“Qoftë komunitetet tjera, qoftë njerëz të preferencave të tyre ndryshe, qoftë prej stilit të jetesës që kanë bërë në atë kohë, dhe gjyshja ime është njohur si person që i përqafon të gjitha këto preferenca dhe që nuk i gjykon dhe nuk i largon”.

Arkën e gjyshes e ka sjellë në zyrë. Nga Gjakova në Prishtinë. Ishte edhe pjesë e shfaqjeve në teatër. Arka përfaqëson të kaluarën e familjes. Përherë ia kujton se për të ardhmen duhet të punojë tani.

Shpërblimet nëpër mure, mirënjohje për veprat e saj. Ama, më me qejf flet për thesarin e gjyshes.

“Ka qenë arka e saj që i themi ne me çejzin që e ka dërguar. Ajo ka edhe arka tjera, ka edhe një pjesë tjetër të trashëgimisë që e ka lanë. Unë kam kërkuar pikërisht këtë sepse është edhe pjesë e trashëgimisë së nanës së saj”, thotë Hoxha. Me dorën e djathtë fërkon pjesën këndore të arkës.

“Për mua është një kujtesë shumë e mirë prej asaj nga unë vij, sepse ne vijmë prej një kulture, rrethanave të caktuara, unë vij nga Gjakova që është një qytet shumë matriarkal dhe si lokacion matriarkal, është shumë normale në Gjakovë me pa gra që kanë udhëhequr, të zonja, udhëheqëse jo vetëm të familjes, por edhe të bizneseve të ndryshme dhe jam rritur me këtë modelin e grave që udhëheqin”.

Dokumentimi i tmerrit të luftës

Dhe pasojat shoqërore të trashëgimisë patriarkale shpesh përbëjnë boshtin e shfaqjeve të Hoxhës. Edhe atëherë kur forca e zakonit e bën të veten, nuk heq dorë nga misioni i saj sfidues. Arti, mjet për të përçuar mesazhin për mbrojtje të të drejtave të njeriut. Sidomos të grave dhe të kategorive të margjinalizuara.

Prania dominuese e të rinjve e të rejave në performancat e saj, shenjë e shpresës për kapërcimin e pengesave. Aso, me të cilat ishte përballur edhe gjyshja Hedije. Por, betejën për barazi, Zana e zhvendos dhe e kolektivizon në dërrasat e teatrit.

Zana Hoxha dhe organizata e saj joqeveritare “Artpolis” promovojnë artin dhe diversitetin nëpërmjet dialogut shoqëror dhe krijimit të frymës së bashkësisë. Është vetëm njëri prej leksioneve të shumta që i transmeton artistikisht me lojën teatrore.

Por, edhe rrethanat në Kosovën e pushtuar, sidomos gjatë luftës në fundvitet nëntëdhjetë, do të ndikonin në formësimin dhe rrugëtimin e saj. Si tinejxhere nisi të punonte për organizata ndërkombëtare në Gjakovën e shkatërruar nga forcat serbe. Njohja me aktivistë të shteteve të ndryshme, mundësi për njohje të kulturave të reja.

Ajo do të dokumentonte terrorin serb mbi shqiptarët. Me veshët e saj po dëgjonte dëshmitë për mizoritë dhe format e ndryshme të dhunës që ishte ushtruar mbi gratë e burrat e pafajshëm.

“Ne kemi gra që kanë qenë lidere të lëvizjes paqësore dhe të rezistencës paqësore të viteve nëntëdhjetë. Kemi gra aktiviste, kemi,… ose aktiviste të protestave paqësore në rrugë nga Prishtina në Drenicë, gra që u janë bashkuar lëvizjeve studentore, ose lëvizjeve për paqe, dhe të gjitha këto histori nuk kanë arritur kurrë të mbërrijnë në teatër”, thotë Hoxha.

“Dhe, e kam ndier këtë nevojë me pasë këtë fuqi, këtë vijë të një fuqie të grave, të cilat vendosin për vetveten, vendosin për shoqërinë në të mirë të shoqërisë dhe nuk kërkojnë falje për ato që janë. Dhe, kjo ka qenë ajo që përfaqësoj, jo vetëm si lidere dhe aktiviste, por edhe si regjisore”.

Ky gërshetim e ka përcaktuar edhe kontributin e saj në skenë dhe jashtë saj. Me fjalë të ngjashme e përshkruajnë edhe kolegët e punës në “Artpolis”. Venera Ismaili është njëra prej tyre.

“…e fortë dhe e ndjeshme”

Venera Ismaili, e cila tani punon në “Artpolis”, ka përcjellë aktivitetin artistik e vullnetar të Hoxhës edhe para se të bëhej pjesë e stafit të qendrës.

“Më ka pëlqyer shumë edhe si artiste, por edhe si një grua e fortë që ka punuar dhe ka arritur atë që ka dashtë. Dua të them se pos që ka treguar se është një grua e fortë, por gjithnjë në biseda, po flas para se me qenë në ‘ArtPolis’, ajo e ka treguar edhe një anë të ndjeshme në punën e saj, ka pasur karakteristika që shumë më kanë pëlqyer dhe disi e kam çmuar shumë si grua. Zana është grua e fortë, por paralelisht është edhe e ndjeshme, dhe ndien e solidarizohet me të tjerët, të cilët kanë nevojë me pas përkrahjen e saj”, thotë Ismaili.

“Është identitet i jemi”, thotë Hoxha. Qysh prej kohës së studimeve, e ka shoqëruar ky kombinimin.

Adrian Morina ka hapëruar bashkë me Zana Hoxhën në rrugëtimin artistik qysh prej ditëve të para në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Bashkë do të ndërmerrnin edhe nisma e projekte studentore.

“Po flas për energjinë dhe ëndrrat, sepse Zana gjithnjë ka qenë edhe ëndërrimtare, edhe ambicioze, edhe energjike. I kemi nisur punët e para bashkë në provimet studentore, e mbaj mend ‘Jul Cezarin’, një shfaqje shumë ambicioze për kohën, prej një studenteje të regjisë”, kujton Morina në hollin e Teatrit Kombëtar.

“Ne atëherë ishim studentë të aktrimit, me kostumet u marrke vetë, me i qepë, me i përgatitë vetë. Ndoshta ka qenë hera e parë në shfaqjet studentore kur luanim me kostume të qepura enkas për ne, dhe natyrisht si student ndihesh mirë. Po e them këtë sepse është shumë insistuese. Ka qenë gjithmonë insistuese me realizu punën maksimalisht dhe me dashni shumë të madhe”.

Morina ia njihte aq mirë karakterin sa për t’iu përvjelë bashkërisht planeve ambicioze, si atëherë kur një grup të rinjsh themeluan festivalin e studentëve “Skena UP”. Zanës i ishte besuar programi i shfaqjeve teatrore.

“E kemi nisur me Zanën, Arzana Krajën, Mentor Halitin, Arjan Krasniqin, Arben Zharkun, dhe një grup e kemi realizu festivalin ‘Skena UP’. Zana ka qenë përgjegjëse për teatër. Kishim qejf me ba diçka më shumë se veç teatër. Ndoshta atëherë nuk e kemi ditur se ajo ishte aktivizëm, ose aktivizimi i diçkaje më shumë se sa aktivizëm, edhe në aspektin njerëzor”, thotë ai. “…dhe kthehem dhe them se njeriu definitivisht e ka të vështirë dhe ne nuk e kemi artikuluar çfarë po dojmë me ba, por rrugën sigurisht e ka trasuar Zana, d.m.th, kjo punë e saj gjigante si një udhëheqëse e një organizate që merret me të drejtat e njeriut, ti e sheh se fillet i ka shumë moti. Ndoshta s’e kemi ditur emrin, ndoshta s’e kemi ditur kuptimin me quajt saktë, por gjatë jetës që kulmon sot jo vetëm me ‘FemArtin’, por edhe me shumë punë tjera që bën ‘ArtPolisi’”.

Shfaqja e kthesës së madhe

Në vitin e Pavarësisë së Kosovës, Zana pas një shfaqjeje do të merrte vlerësimin dhe përkrahjen e aktivisteve e artisteve vendore e ndërkombëtare për të kanalizuar edhe më shumë energjinë për shndërrimin e shfaqjeve të saj në platforma publike të thirrjeve për të drejta të barabarta, pavarësisht pikëpamjeve e orientimeve për zhvillimin e shoqërisë.

“Bëra një shfaqje në vitin 2008 dhe një aktiviste suedeze feministe erdhi më uroi për shfaqjen që e kisha bërë me artistë nga krejt Ballkani – ishte viti i Pavarësisë së Kosovës – dhe erdhi më tha se arti yt është shumë feminist, dhe unë nuk e kuptoja se çfarë po më thotë”, thotë Hoxha në sallën e qendrës së saj artistike. “Dhe, mandej gjeta përkrahje nga aktiviste dhe Rrjeti i Grave, në veçanti nga Igballe Rugova që thanë se na duhen aktiviste si ti dhe në lëvizje gjeta shumë solidaritet dhe shumë përkrahje për artin tim që nuk ishte vetëm brenda teatrove, por edhe në punë me komunitetin”.

Edhe drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës e kujton bisedën e para 14 vjetësh kur do t’i jepte zemër regjisores së re.

“Shih, duke pasur parasysh se në vitet nëntëdhjetë na, si Motrat Qiriazi, dhe gjatë luftës kemi vepruar përmes artit, përmes shfaqjes, sepse ne kemi besuar dhe akoma besoj se mesazhi më i mirë për t’iu dhënë qytetarëve është përmes artit. Dhe kur e kam takuar Zana Hoxhën në atë kohë, ajo më ka fascinuar për idenë që ajo kishte për të punuar që përmes artit të jepte mesazhin”, thotë Rogova në zyrën e Rrjetit të Grave të Kosovës.

“Për shembull, unë mundem me dhanë vetëm një shembull. Shumë është punuar për të drejtën për trashëgimi, janë dhënë shumë të dhëna, por mënyra qysh e ka prezantuar Zana përmes një shfaqjeje dhe kanë shkuar në gjithë Kosovën se pse kanë gratë të drejtë në pasuri, dhe mënyra që pas shfaqjes pastaj të ketë debat, ka qenë më efektivja. Prandaj, vërtet është një mënyrë shumë e fortë dhe shumë e qëlluar se si vepron ‘ArtPolisi’ dhe Zana Hoxha përmes artit”.

Rogova thotë se e përbashkëta e aktivitetit qytetar e artistik të “Motrave Qiriazi” dhe ‘ArtPolisit’ është lidhja e drejtpërdrejtë me anëtarët e komunitetit, për të cilët kërkohet drejtësi e barazi shoqërore.

Përpjekjet e Zanës janë intensifikuar edhe më shumë në këtë drejtim pas themelimit të festivalit ‘FemArt’ më 2013. Nëpërmjet tij promovohen vlerat artistike dhe qytetare të grave. Edicioni i vjetëm u realizua fizikisht dhe online në kohën e masave kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Pjesët e realizuara në ambient të hapur nuk përbënin sfidë për mënyrën thuajse rutinore të punës së regjisores kosovare.

Slogani i shpresës

Slogani, lidhje e fortë ndërmjet sfidave të mëdha, por të ndryshme, ndërmjet dy dekadave. Puna e saj lidh përherë artin me aktivizmin qytetar.

“Solidaritet me gra dhe burra që i ka prekur më së shumti COVID-i, që kanë përjetuar dhunë, solidaritet me ato gra që kanë mbetur në rrugë, solidaritet me ato gra që nuk kanë zë, solidaritet me ato gra që ndoshta janë në shtëpi, por që kur e hapin TV-në e kanë të vetmen liri komunikimi”, thotë Hoxha në teatër.

Zyra e regjisores, nënë e tre fëmijëve, pasqyron atë që ajo e quan binom të angazhimit të saj publik nëpërmjet aktivizimit vullnetar dhe artit. Aty ka gjëra që i ngjallin copëza kujtimesh të jetës personale, por edhe mirënjohje e nderime kombëtare e ndërkombëtare për jetën profesionale.

“Vizioni jem e parasheh edhe këtë pjesën si artiste që mbron të drejtat e njeriut, një vizion që është në kundërshtim me një grup të caktuar. Ne e dimë se në art ka abuzim të të drejtave të grave, në art në përgjithësi”, thekson Hoxha. “Në Kosovë shumë pak flitet për abuzimet apo diskriminimin në art. Diskriminohen në pagesa, gjithashtu kemi pak gra që janë në krye të institucioneve, por që edhe kur gjinden në krye, shpesh veprojnë si burrat për shkak të patriarkatit dhe mentalitetit se ti, për me qenë e fuqishme, duhet me vepru njëjtë si një burrë para teje. Pra, ka shumë çështje që më kanë pru këtu jam”.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism” që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF dhe Ambasada Suedeze në Kosovë.)

Kampi i Artivisteve – ndikim artistik dhe holistik gjatë COVID

Qeniet njerëzore kanë vazhduar të krijojnë edhe në rrethanat më të çuditshme dhe të papërshtatshme, sepse procesi krijues është pjesë e gjenezës sonë dhe funksionimit bazik, prandaj edhe Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka organizuar kampin feminist me artiste dhe aktiviste kosovare nga etnitë dhe grupet e ndryshme për 4 ditë në fshatin Kukaj nga data 26- 29 Qershor, 2020. Edhe pse për herë të dytë, ky kamp bëri bashkë 25 gra “Art-iviste” për të krijuar vepra arti që shtjellojnë përvojat, rezistencën, sfidat, konfliktet, dhunën, qëndrueshmërinë dhe dashninë në kohë pandemie të shkaktuar nga virusi korona në mbarë botën.

Për katër ditë u treguan shumë histori, përjetime e emocione; u afruan me njëra tjetrën dhe zbuluam se ngjashmëritë nuk mungonin. Ato hasnin në to dhe lidheshin mes vete, dhe kjo u jepte fuqi por edhe frymëzim për të gjetur të tjera. Gjatë 4 ditëve janë mbajtur sesione pune grupore, ku ushtrime të lëvizjeve skenike, shkrimit kreativ dhe meditimit e çlirimit shpirtëror kanë ndihmuar artistet dhe aktivistet të shprehin më së miri përvojat e tyre dhe vizionin e tyre për shoqërinë. Përveç këtyre sesioneve u diskutuan, konstruktuan e dekonstruktuan edhe shumë koncepte e ide që i kanë ndihmuar grupit për t’i dhënë jetë skenës me performancat e tyre artistike.

Artistet dhe aktivistet e ndara në 4 grupe krijuan një lidhje shumë inspiruese e kreative mes vete dhe u bashkuan me ide e qëllime të përbashkëta që ndihmuan njëra tjetrën për realizmin e 4 performancave artistike që adresojnë e përkrahin qëllimet dhe çështjet sociale. Por, gjatë atyre ditëve çdo aktivitet e sesion ishte në funksion të krijimit dhe zhvillimit të shfaqjeve të tyre përtej kampit prandaj këto shfaqje do të përpunohen dhe zgjerohen për tu prezantuar gjatë Edicionit të tetë të festivalit Femart me 15-20 Tetor, 2020.

Kampi i Artisteve dhe Aktivisteve është lehtësuar nga Zana Hoxha – Regjisore, Robert Nuha – Koreograf dhe Shpëtim Selmani – Aktor dhe Poet.


Punëtoria: Siguria e integruar – Edicioni i Trajnimit të trajnerëve

Punëtoria e Sigurisë së Integruar – Edicioni i Trajnimit të Trainerëve u mbajt në hotelin e rrethuar nga male të bukura në Bogë me 11 anëtarë të stafit gra nga pesë strehimoret e komunave të ndryshme në Kosovë, përfshirë: Prishtinën, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën dhe Drenasin.

Gratë pjesëmarrëse  u trajnuan nga trajneret e certifikuara Zana Hoxha dhe Yllka Soba për teknikat dhe metodologjinë e kujdesit për veten, të tilla si: mekanizmat e përballimit, gjetja e një baze të përbashkët, krijimi i një rrjetëzimit social, si të mbrohen dhe si të adresojnë nevojat e tyre.

Punëtoria ndihmoi pjesëmarrëset të lidheshin me trupin, emocionet dhe përvojat e tyre

Për tre ditë, ato ndanë historitë e tyre me grupin dhe trajnerët, ose në ekipe me nga dy, përveç ushtrimeve dhe seancave lehtësuese.

Të gjithë pjesëmarrëset, përfaqësuesit e strehimoreve dhe trajneret u zotuan të jenë aty për njëra-tjetrën, për të ndihmuar dhe mbështetur njëra-tjetrën, përderisa  këto lloj bashkëpunimesh konsiderohen të jenë afatgjata dhe të dobishme për të dy palët.

Një manual që do të përfshinte një përmbledhje dhe ushtrime mbi menaxhimin e stresit me shpjegime mbi ushtrimet dhe seancat lehtësuese i adaptuar dhe përkthyer në gjuhën shqipe u nda me pjesëmarrëset  – stafit të strehimoreve që morën pjesë në këtë punëtori të Sigurisë së Integruar.

Trajnimi i Programit të Forum Teatrit i bashkoi të rinjtë/rejat e komuniteteve të Kosovës

Në Prizrenin e bukur, u mblodhën vajza e djem të komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për të marrë pjesë në trajnimin katër ditor “Edukimi i bazuar në teatër”. Moti i bukur dhe me diell i shtyu organizatorët e trajnimit që ti modifikojnë ushtrimet dhe ta vërshojnë skenën e Kalasë së Prizrenit. Pastaj, trajnerët Zana Hoxha dhe Edlir Gashi vazhduan me agjendën, duke zhvilluar ushtrime dhe improvizime të skenave të teatrit, mbi temat e diskutuara sociale me fokus në bashkëjetesën multietnike.

E veçanta e këtij trajnimi ishte punëtoria me maska që ishte një relaksim por njëkohësisht një shtytje për zhvillim të kreativitetit. Maskat u bënë pjesë e shfaqjeve. Risia e trajnimit ishte loja me lëvizjet e trupit, e udhëhequr nga koreografi Robert Nuha, e cila po ashtu ndihmoi në performancën e pjesëmarrësve.

“Çka e dallon këtë punëtori dhe grup prej të tjerëve, është se unë këtu nuk kam parë asnjë lloj paragjykimi diçka që kam hasë në punëtori të tjera. E ajo që ishte karakteristike, të gjithë kemi bërë përpjekje që të kuptohemi mes vete, duke qenë se nuk flasim të njëjtën gjuhë, dhe kjo është përshtypja ime më e fortë dhe më pozitive për këtë trajnim” – thotë pjesëmarrësja e trajnimit nga Mitrovica e Veriut, Djurdjica Kaziq.

Trajnimi 4 ditor “Edukimi i Bazuar në Teatër” u mbajt në Prizren, organizuar nga anëtarët e Koalicionit të Kosovës për Pajtim, Artpolis dhe NGO Aktiv.

Të gjitha aktivitetet u kryen në përputhje me rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Shfaqja muzikore “ZGJIMI I PRANVERËS”

Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” ishte një thirrje artistike, dëshirë e nevojë për ta sjell atë në Kosovë, tutje duke e adaptuar atë në Kosovën e viteve të 90ta. Nevoja e të rinjëve për të kuptuar dhe për tu kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjët tanë në vitet e 90ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati mirëpo solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.


Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatëzania e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë Kosovare.

Premiera e parë në kohë pandemie me COVID 19 “Zgjimi i Pranverës” rastis të adresojë mungesën e lirisë kolektive në Kosovë. Kjo shfaqje zgjon nevojën për të ngritur në diskutim tema të tilla “të ndaluara”, për të folur për ndjenjat, seksin dhe përvojat e para teksa ato ndodhin, nevojën për t’i ditur të gjitha, për t’i kuptuar e për t’i përjetuar.

Kjo shfaqje duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.



Autor: Frank Wedekind
Adaptimi & Regjia: Zana Hoxha


Aktorët:

Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci, Arta Muçaj, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Shpetim Kastrati, Qëndresa Loki, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi.


Muzikantët: Alzan Gashi, Arbër Salihu & Drin Tashi.
Koreografia: Robert Nuha
Kostumegrafia: Yllka Brada
Skenografia: Youliana Voykova – Najman
Inspicient: Bajram Mehemtaj
Asistente: Elira Lluka

Produksioni: Teatri Kombëtar i Kosovës & Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis.

Foto: Meddy Huduti