Më 27 dhjetor 2024, në mjediset e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë, një zë i fuqishëm u ngrit kundër heshtjes dhe tabuve.
“Monologjet e Vaginës”, leximi skenik i bazuar në tekstin ikonik të Eve Ensler dhe me regji të Zana Hoxhës, solli në qendër të vëmendjes histori të grave që sfidojnë censurën dhe dezinformimin në një shoqëri ku edukimi seksual vazhdon të jetë një temë tabu.
Përmes performancave të jashtëzakonshme të aktoreve Ilire Vinca, Sheqerie Buqaj, Qendresa Kajtazi, Xhejlane Tërbunja, Zana Berisha dhe Blerta Gubetini, publiku dëgjoi rrëfime të guximshme që shkojnë përtej margjinalizimit dhe stigmatizimit. Çdo monolog ishte një akt emancipimi, një thirrje për të reflektuar mbi lirinë e trupit dhe fuqinë e fjalës.






Ky aktivitet, i organizuar nga Artpolis me mbështetjen e UNFPA-së, nuk ishte vetëm një ngjarje kulturore. Ishte një përpjekje për të krijuar një hapësirë ku të pathënat të dëgjoheshin dhe ku edukimi seksual të trajtohej si një çështje thelbësore për një shoqëri të shëndetshme. Në diskutimin që pasoi, udhëhequr nga regjisorja Zana Hoxha dhe me panelistet Mirishahe Syla dhe Adelina Berisha, u artikuluan sfidat e grave në Kosovë, veçanërisht në sfondin e rritjes së lëvizjeve anti-feministe. Panelistet theksuan rrezikun e rikthimit të normave represive dhe rëndësinë e një aktivizmi të zëshëm dhe të koordinuar.
Leximi skenik ishte një reflektim mbi raportin e shoqërisë me trupin e gruas – jo vetëm si një entitet fizik, por si simbol i rezistencës dhe pavarësisë. Në një kohë kur trupi i gruas vazhdon të jetë terren luftërash ideologjike dhe politike, ky tekst na kujton se fuqia e fjalës është një mjet thelbësor për çlirim. “Monologjet e Vaginës” u bë një pasqyrë e brishtë dhe e fuqishme e dhimbjeve dhe triumfeve, duke na shtyrë të reflektojmë mbi rolin tonë në angazhimin për barazi e drejtësi.
Në thelb, kjo ngjarje ishte një akt solidariteti – duke na kujtuar se stigma dhe heshtja mund të thyhen. “Monologjet e Vaginës” shërbyen si një përvojë transformuese, një kujtesë e fortë se të flasësh është akt guximi dhe lirie.
Foto: Selvianë Hysenaj



Më 5 nëntor 2024, premiera e shfaqjes “Gratë e Trojës” u mbajt në Teatrin Dodona në Prishtinë, e ndjekur nga repriza më 6 nëntor. Kjo vepër e fuqishme teatrale, me regji nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić, solli në skenë një ripërpunim feminist të tragjedisë së Euripidit, duke ndriçuar traumat e përhershme të luftës dhe qëndresën e grave që ballafaqohen me tmerret e saj.
Pas prezantimeve në Prishtinë, Gratë e Trojës udhëtoi drejt Beogradit, ku u shfaq më 22 dhe 23 nëntor 2024 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor (CZKD). Gjatë katër prezantimeve, mbi 370 spektatorë përjetuan një produksion që shndërroi skenën në një hapësirë reflektimi, zie dhe rezistence. Në një botë që ende dëshmon shkatërrimin në Gaza dhe Ukrainë, kjo shfaqje ngjalli emocione të thella, duke shërbyer si pasqyrë e historisë dhe thirrje për paqe.






Me një qasje regjisoriale bashkëkohore, shfaqja ndërthur rrëfimet nga Troja e lashtë me zonat moderne të luftës—nga Ballkani i viteve ’90, Somalia, e më gjerë. Gratë e Trojës kujton se lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve; plagët e saj mbeten të hapura për breza të tërë. Kjo vepër fuqizon zërat e grave që, përgjatë historisë, kanë përjetuar zhvendosjen, humbjen dhe shtypjen, por që vazhdojnë të luftojnë për dinjitet dhe drejtësi.
Figurat e Hekubës, Kasandrës dhe Andromakës tejkalojnë kufijtë e tragjedisë antike, duke mishëruar vuajtjet e grave të sotme. Ato janë nëna që vajtojnë bijtë e tyre, bija të privuara nga e ardhmja dhe gra të detyruara në mërgim. Në luftë, ato shpesh shihen jo si të mbijetuara, por si plaçkë—e megjithatë, zërat e tyre, që jehonin dikur në lashtësi, kërkojnë të dëgjohen edhe sot.
Shfaqja u realizua në gjuhën shqipe dhe serbe, me titra në anglisht, dhe solli në skenë një kast të talentuar aktorësh: Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski.
Një bashkëpunim mes Artpolis dhe Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Gratë e Trojës u mundësua me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Megjithatë, përmbajtja e shfaqjes mbetet përgjegjësi ekskluzive e Artpolis dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Më shumë se një shfaqje teatrore, Gratë e Trojës është një kujtesë, një ballafaqim dhe një thirrje—një testament për qëndresën e shpirtit njerëzor përballë mizorisë së pamëshirshme të luftës.




Media: Freance24; Teelegrafi.com
Titulli i storjes: Gratë ballkanase vënë në skenë dramën e lashtë greke për të dënuar vuajtjet e grave në luftë
Data: 23 nëntor 2024
Linku: https://telegrafi.com/afp-grate-ballkanase-vene-ne-skene-dramen-e-lashte-greke-per-te-denuar-vuajtjet-e-grave-ne-lufte/
Mediumi i njohur francez AFP, i ka dedikuar një artikull, dy grave ballkanase, njëra kosovare dhe tjetra serbe, për adaptimin e një tragjedie të lashtë greke që vë theksin jo tek shkatërrimi që lufta iu shkakton grave, por tek aftësia e grave për t’u shëruar e rezistuar.
Bëhet fjalë për veprën e njohur “Gratë Trojane”, tragjedi e shkruar nga Euripidi, e shfaqur për herë të parë në vitin 415 para Krishtit dhe kjo vepër është një dënim i ashpër i mizorive të luftë. Tragjedia fokusohet në mjerimin dhe padrejtësitë që përjetojnë gratë e Trojës pas konfliktit ndërmjet popullit të tyre dhe grekëve.
Tani, kjo vepër e lashtë greke është adaptuar nga dy artistet Zana Hoxha (që vjen nga Kosova) dhe Maja Mitic (që vjen nga Serbia) dhe është shfaqur në Prishtinë dhe Beograd.
Versioni i Hoxhës dhe Mitic, për sa i përket veprës, ka një fokus të veçantë, shkruan AFP.

“Në versionin tonë, ne ecim përpara duke u kujdesur gjithashtu për njëra-tjetrën, duke gjetur mënyra për të shpëtuar fëmijët tanë”, ka deklaruar Hoxha e cila është regjisore e shfaqjes “Gratë e Trojës”.
“Kjo tregon se në mes të konfliktit dhe luftës, në mes të urrejtjes, gratë janë ato që gjejnë mënyra për të rezistuar”.
Siç shkruan AFP, ky adaptim i veprës i jep jehonë diskutime të pafundme ndërmjet politikanëve [burra] të Serbisë dhe Kosovës, të cilët një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, ende nuk kanë arritur një paqe të qëndrueshme. Gratë në këtë rast, negociojnë në skenën e dizajnuar me seriozitet.
Si kosovare dhe regjisore feministe, Hoxha e cila “ende ka kujtime të hidhura nga lufta”, ajo deklaroi për mediumin se “ishte e rëndësishme ta realizonin këtë shfaqje, sepse fatkeqësisht është shumë relevante edhe sot”.
PËRTEJ GJUHËS
Në dramën e Euripidit, gratë e Trojës martohen dhunshëm me armiqtë e tyre, vriten dhe sakrifikohen mbi varret e burrave që ranë në betejë.
Ato janë viktimat e luftës që pason.
“Kjo histori duhej të tregohej nga dy gra”, thotë Mitic, e cila është bashkë-regjisore e Hoxhës.

“Burrat, ata bëjnë luftërat… Pasojat bien mbi gratë dhe fëmijët e tyre”, u shpreh ajo.
Mitic e portretizon Hekubën, ish-mbretëreshën e Trojës, së cilës fëmijët i sakrifikohen, njëri pas tjetrit, për shkak të marrëzive të luftës.
Ajo reciton tekstin e Euripidit në gjuhën serbe, derisa Taltibi, që vjen për t’i njoftuar gratë për fatin e tyre, përgjigjet në shqip.
Përkthimi në anglisht shfaqet në murin mbrapa.
Ajo që me të vërtetë është në një moment në këtë shfaqje, shikuesit nuk mund të dallojnë më gjuhët e ndryshme, sepse siç shkruan AFP, dhimbja është universale.
“Marëdhënia, emocionet që këta aktorë janë në gjendje t’i bartin, janë më të rëndësishme se barrierat gjuhësore”, u shpreh Hoxha.
“ARTI KA FUQI”
Dhe, pavarësisht nëse flasin serbisht, shqip ose anglisht, shkruan AFP, gratë trojane i bëjnë audiencat të reflektojnë dhe t’i zemërojnë.
“Edhe personazhet tona janë të zemëruara”, shpjegon Hoxha. “Thonë, ‘mjaft më, nuk e duam më këtë’. “Pse po vuajmë? Pse duhet që Kasandra të ekzistojë ende sot? Pse Andromaka duhet të humbasë fëmijën e saj?”.
Në një moment të shfaqjes, Andromaka thotë se dëshiron të mund të ecë lirshëm me burrin dhe djalin e saj, pa u ndjerë e kërcënuar në rrugë, kujton Hoxha. Kjo ndjesi mbetet e pandryshuar për gratë sot, sipas saj.
“Ka vetëm disa vende në botë ku ndihem plotësisht e sigurt për të qenë vetvetja. Ne po përpiqemi ta ndryshojmë këtë”, shtoi ajo. “Nuk mendoj se shfaqja vet mund ta bëjë këtë. Por, arti e ka fuqinë të të sjellë diçka që ndoshta nuk e kishe ditur as që ekzistonte”.
Theksi në adaptimin e Hoxhës dhe Mitic mbi rëndësinë universale të shqetësimeve të protagonistëve shtrihet edhe në zgjedhjen e kostumeve të tyre.
Personazhet janë të veshur në lëkurë të zezë dhe çizme deri te kyçet e këmbës — një uniformë që mund t’i përkasë çdo ushtrie në botë.
Po ashtu, Hekuba mund të jetë çdo nënë që vajton kudo në botë.
Është një histori për gratë dhe luftën “në çdo pjesë të botës, në çdo shekull, në çdo kulturë, në çdo fe”, tha Mitic.
“Kjo është historia që Euripidi e shkroi shekuj më parë, por në fakt ne shohim përsëritjen e të njëjtit model gjatë luftës, pas luftës – përdhunime, kriminelë, gjithçka. Ajo që shohim në këtë shfaqje, e shohim vërtet (sot) në Ukrainë, Gaza, ose në Kosovë, Bosnje, ose kudo ku ndodhin konflikte, përfshirë Somalinë dhe Sudanin”, tha Mitic. /Telegrafi/
Media: KTV
Titulli i storjes: Zëra të padëgjuar: “Gratë e Trojës” zërojnë rrëfimin e dhunimeve në luftë
Data: 10 nëntor 2024
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/zera-te-padegjuar-grate-e-trojes-zerojne-rrefimin-e-dhunimeve-ne-lufte
Nga: Col Mehmeti
Të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar. Me një dallim të shënueshëm prej veprës origjinale të Euripidit, ku perdet bien me vaje e tragjedi, kjo performancë sjell shpresë nëpërmjet ndërfutjes së momenteve me humor
Sot, shkrehja e thirrjeve kundër luftës mund të duket si gjëja më e lehtë për t’u bërë. Për fat të keq, ka raste e raste kur është si për dreq zor që të shquhet vija ndarëse mes zemëratës së njëmendët dhe gjakimit për të bërë kapital moral, shtirjes për drejtësi morale apo vetafirmimit egoist. Megjithëkëtë, kur thirrjet kundër luftës ngrihen mbi themele vuajtjesh njerëzore mes vigmash, çirrjesh e vajesh të pikëllimta, arti i madh e përshkon tejpërtej ndërgjegjen njerëzore. Mbi sfondin e së tashmes së tij me luftëra të kurrëmbarimta që po e pllakosnin Greqinë e shekullit të 5-të para erës sonë, Euripidi zëroi botën e brendshme copë-copë të grave fatkeqe dhe makthit të kudondodhur të luftës.
E krijuar në vitin e largmë 415 para erës sonë, drama Trōiades nuk sjell mejdanet heroike të Trojës, mësymjet plot dalldi kundër mureve e bedenave të saj, trillet e Zotave apo rrengjet e palëve të hasmuara. Përkundrazi, Hekuba, Kasandra, Andromaka, Helena dhe kori i grave të vrerosura janë heroinat tragjike në shkrumbnajën e luftës së hatashme. Fitues e humbës qëndrojnë njësoj përballë stivës me të vdekur, mes të cilëve janë edhe më të dashurit e tyre dhe gjithë ajo botë e shuar që duket sikur nuk ekzistoi askurrë. Nëpërmjet dramës së tij, Euripidi e rifrymëtoi të kaluarën homerike, madje anën më të errët të saj, për të aluduar tek e tashmja e zymtë dhe lemeritëse ku poliset greke, të zhytura në luftëra ndërmjet vete, po i skalisnin vetes një epitaf turpi.

Troja e lashtë, Troja moderne
Vepra antiluftë e Euripidit ka rezonime të gjithëkohshme e të gjithëbotshme, por rimbushja e saj me gjuhë të re, me zëra të rinj e prekje bashkëkohore është një grishje e fortë që të ulesh, posi teatërdashësit e dikurshëm athinas me rastin e Dionisisë, e të shohësh produksionin më të ri të Euripidit. Ndjesi të tilla shpërvilen edhe në performancën teatrore “Gratë e Trojës” e bashkëregjisoruar nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić, që për të dytin vit me radhë u shfaq në Teatrin Dodona në Prishtinë. Me fillesë nga një proces krijues bashkëpunimi mes Prishtinës e Beogradit, shfaqjet e saj për dy mbrëmje me radhë, më 5 dhe 6 nëntor, vunë në pah një stërhollim performimi nga artistët e trupës së “Artpolisit” dhe kolegëve të tyre nga Serbia.
Qysh më 1965, Sartri pati bërë një përshtatje të kësaj drame kurdoherë të re, e cila qëlloi të ishte protestë e fuqishme kundër luftës në Algjeri. Së fundmi, shkrimtari e aktori Shpëtim Selmani e sipërmori këtë sprovë kaq të vështirë, pra duke i dhënë një shije lokale e një jeh gjithandej botës. Teksti i tij e ruan kuadrin origjinal me zota e vdekatarë, e megjithatë përditësimi i tij dramaturgjik rezonon gjerë e gjatë në realitetet e ditëve tona.
Nëpërmjet zërave të personazheve femra që janë kurthuruar në mynxyrën e vet – si puna e Hekubesë gjëmëmadhe, Andromakës fatkeqe, Kasandrës fatthënëse e Helenës sfiduese – ai shtjell dhembjen e pareshtur të Kosovës me britmat, vajet e vuajtjet e 20 mijë grave që ishin viktima të dhunimit gjatë luftës.
“Familjet e lumtura janë që të gjitha të njëjta; secila familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet”, ishin fjalët e Tolstoit, me të cilat e hap romanin e tij mbi zhbërjen psikologjike të heroinës së tij moderne, Ana Karenina. Këto fjalë disi mund të përshtaten edhe këtu për të thënë se çdo dhembje njerëzore ka një shenjë unike, që kërkon përpjekje për ta kapur botën e brendshme të zhbërjes e rrënimit psikologjik që shpesh kalon i pazë.
Derisa στιχομυθία (stikhomythia) e origjinalit euripidian flet me gjuhë moderne, ai sakaq merr fuqi kundër luftës e mizorive të saj. Kjo më së miri gjen shprehje nëpërmjet monologëve të Selmanit (i cili, njashtu, është pjesë e kastit të shfaqjes). Kapërthurja e dy kohërave të ndryshme është drejtpeshuar mjeshtërisht me anë të thyerjeve të “murit të katërt” dhe referencave të herëpashershme moderne: “E gjithë bota është Troja jonë e lashtë dhe Troja juaj moderne. Mijëra kuaj, jo prej druri, por prej çeliku… fluturojnë. Pegasusë të hekurt që hedhin bomba andej e këndej”.
Të gjallët vuajnë
Përtej aspekteve të saj teknike, performanca si sipërmarrje është larg më kërkuese sesa që mund të pritet. Përveç sfidave të një fqinjësie ende të vështirë me plot smira, paragjykime e armiqësira, “Gratë e Trojës” u përballën edhe më një problem shtesë. Vallë dy gjuhët e shfaqjes, shqipja e serbishtja, do të shkonin mirë me njëra-tjetrën? Si produksion dygjuhësh, puna e dy regjisoreve Zana Hoxha dhe Maja Mitić meriton veçse lëvdata. Dygjuhësia shkrihet kaq sublimisht me ndërveprimin e një kasti të zgjedhur me aktorë si Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski. Andaj, mund të thuhet lirshëm se as audienca vendore e as ajo e huaj nuk mund të vërë re ndonjë inkonsistencë.
Janë dy detaje skenografike që e kanë hak vlerësimin: në skenën e hapjes, janë improvizuar valë deti, nga të cilat del Poseidoni që vajton rënien e Trojës. E gërshetuar me efektet zëruese nga gjëmimi i valëve të detit, kjo përfton ndjesinë e një pashprese të plotë përballë provanisë së pashpirt e memece që i ka braktisur vdekatarët. Gjatë performancës, herë pas here shfaqen edhe pendla që pezullojnë në ajër, një element ky që përpuqet me fytyrat pikë e vrer të grave fatkeqe, duke e theksuar brishtësinë e jetës së tyre. Ç’është e vërteta, këto janë strategji të mrekullueshme regjisoriale që shfrytëzojnë elemente të tilla për të vënë në spikamë përpjekjet vigane të grave kundër forcave të gjithëfuqishme.
Në origjinalin grek, thuajse secili deklamim i personazheve femra përmban shpërthime dhembjeje e pikëllimi (në origjinal ka pa fund raste vajtimesh si aiaí aiaí, ottototototoí, ió ió, aiaí, dhe é é, të cilat, në kohën e Euripidit, ishin evokime realiste nga jeta e përditshme). Sado që agonia e këtyre grave fatprera pezullon në ajër, performanca si tërësi është një ndërlojë e bukur mes dialogësh të goditur, një skene të thjeshtë por tërheqëse, dhe muzikës, e cila kap gjendjet kontrastuese e të ndryshueshme të personazheve.
Është një lojë që bën tok vargje euripidiane me evokime krejt moderne, duke e theksuar fatin e gjëmshëm të 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Kjo ndërdyshje mendore e fizike më së miri jepet nga Andromaka: “Ata më detyruan të jetoj”.
Ngjan shpesh, sidomos në momente agonie, që të dalin në sipërfaqe shpërthime të thella ekzistencialiste: “Vetëm të vdekurit nuk ndiejnë dhembje”. Aty ku Euripidi vetëm me ngurrim shfaqte ndonjë kundërvënie ndaj Zotave për shpërfilljen e tyre, kjo performancë nga Prishtina plot guxim e pa fije frike thotë që vetë feja është fabrikë dhune. Bota e rrënuar e Trojës ka viktima andej e këndej, por të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar.
Me një dallim të shënueshëm prej veprës origjinale të Euripidit, ku perdet bien me vaje e tragjedi, kjo performancë sjell shpresë nëpërmjet ndërfutjes së momenteve me humor. Ky është një tjetër shembull i thyerjes së “murit të katërt” kur autori dhe aktori, Shpëtim Selmani, rijetëson një skenë që ngjan aq shumë me “Deconstructing Harry” të Woody Allenit: si nga hiçi, ai përballet sy me sy me personazhet e tij reale, nga jeta e përditshme, plot me rrebe, që i ankohen për fatet që ai ua shortoi atyre. Ka shpresë, prandaj, ka edhe jetë!
Media: Kallxo.com
Titulli i storjes: Shfaqja ‘Gratë e Trojës’, thirrjet shqip e serbisht që shkundën skenën e “Dodonës” në kërkim të paqes
Data: 07 nëntor 2024
Linku: https://kallxo.com/kulture/shfaqja-grate-e-trojes-thirrjet-shqip-e-serbisht-qe-shkunden-skenen-e-dodones-ne-kerkim-te-paqes/
Nga: Isa Vatovci
Historia më tragjike e pushtimit dhe shkatërrimit të Trojës antike pasqyrohet me robërimin e grave trojane nga grekët; mbretëreshës Hekuba, Kasandrës, Poliksenës e Andromakës.
Të përjetësuar me tragjedinë “Gratë e Trojës”, të shkruar nga Euripidi, pas fundit të Trojës ato ndahen nga mbretërit e princërit grekë si plaçkë lufte-robëresha.
Kjo histori e dhimbshme i ka shërbyer Qendrës për Arte dhe Komunitete, “Artpolis” dhe një grupi artistësh nga Beogradi (Serbi) për të krijuar shfaqjen “Gratë e Trojës”, duke treguar se dhimbja dhe realiteti trojan vazhdon të jetojë edhe në kohën tonë.
Me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitiq (Maja Mitić), dhe me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, “Gratë e Trojës” është shfaqur të martën më 05.11.2024, në Teatrin “Dodona” në Prishtinë.
E inskenuar nga aktorë shqiptarë e serbë, “Gratë e Trojës” shpalosi vuajtjet e grave pas luftës, duke nxjerrë në pah dhunën edhe brutalitetin ndaj tyre.
E veçanta e shfaqjes është se aktorët shqiptarë flasin shqipe, ndërsa ata serbë serbisht, gjatë gjithë shfaqjes, të titruar në gjuhën angleze.
Shfaqja sjell përmes qasjes feministe ndjeshmërinë dhe qëndresën e grave përballë terrorit të luftë, nga Greqia antike e deri në ditët e sotme, ku luftërat po bëjnë kërdi. Gratë trojane udhëtojnë në kohë duke ri-sjellë tragjedinë e grave të që kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, luftën në Gaza, Ukrainë, e gjetiu. Shfaqja bën thirrje për paq dhe fundin e konflikteve në botë, një thirrje që mori duartrokitjet e publikut.

Pamje nga shfaqja “Gratë e Trojës”. Foto: KALLXO.com.
“Troja, metafora për krimet e sotme”
Aktorja serbe, Maja Mitiq, tha për KALLXO.com se “Gratë e Trojës” flet rreth luftës, që në këtë moment po ndodhë në Gaza ose në Somali, apo luftës gjatë vitet e të ‘90-ta në Ballkan, në ish-Jugosllavi. Ajo thotë se arti duhet të fitojë përballë luftës.
“Ndjehem sikur gjithmonë arti duhet të fitojë, jo lufta dhe jo vrasja, përdhunimi, kush e di sa artistë në këto kohë nga Gaza apo Ukraina që janë emigrantë. Ne mendojmë për këta njerëz, janë nga lufta, janë emigrantë dhe kjo është arsyeja pse e pyes skenaristin, pse nuk i keni përfshirë edhe disa zota nga mitologjia greke që mund t’i mbronin pak, ndoshta do të mund t’i ndalnim këto luftëra që po ndodhin”- thotë Mitiq, e cila është edhe bashkëregjisore e shfaqjes, “Gratë e Trojës”.
Mitiq thotë se “Gratë e Trojës” do të shfaqet 22 dhe 23 nëntor (2024) në Qendrën për dekontaminim Kulturor në Beograd. Sipas saj, është e vështirë të sjellësh narrativat e luftës përmes artit. Por, siç thotë, janë tema të rëndësishme për ndryshimin e shoqërisë. “Unë zakonisht po zgjedh tema që janë të rëndësishme për ndryshimin e shoqërisë, sepse besoj se mund të bëj ndryshim”- tha Mitiq.
Aktori Shpëtim Selmani, që ka dramatizuar tekstin modern të shfaqjes, tha për KALLXo.com, se qëllimi i shfaqjes është që tw tregohet se Troja ekziston edhe në ditët e sotme.
“Ideja e shfaqjes është të tregojmë se vuajtja e grave ekziston ende, që sot ende ekziston Troja, në vendet të ndryshme ku ka luftëra, histori që janë të ngjashme me tragjeditë e lashta greke, jemi mbështet te vepra e Euripidit, ‘Gratë e Trojës’, e kemi bërë një gërshëtim me konflikte aktuale dhe i kemi lidhur situata”- tha ai.

Pamje nga shfaqja “Gratë e Trojës”. Foto: KALLXO.com.
Sfida e dygjuhësisë
Regjisorja Zana Hoxha, tha për KALLXO.com se shfaqja “Gratë e Trojës” është rezultat i një procesi të gjatë punë. “Nuk ka qenë lehtë, gati një vit gjysmë, është një prej proceseve më të vështira që i kam bërë në jetë”- tha ajo. Hoxha tha se shfaqja edhe pse bazohet në një prej tragjedive greke, flet për realitetin e sotëm. “S’kam dashur me i ik asaj çfarë po ndodhë, nuk kam mund me realizua ‘Grat e Trojës” pa e aktualizuar, pa dhënë një pjesë të Kosovës, Gazës, e asaj çfarë po ndodhë sot në botë”- tha Hoxha
Por, sfidë për të ka qenë realizmi i një shfaqje ku aktorët shqiptarë flasin shqip, ndërsa ata serbë serbisht, gjatë gjithë shfaqjes. Por, spas saj, ky është një hap historik. “Natyrisht, ka qenë sfiduese me punua në dy gjuhë se asnjë aktorë nuk e ka ditë gjuhën e serbe, ose aktorët serbë gjuhën shqipe. Vetëm unë i kam ditë të dyja gjuhët dhe ndonjëherë i jepja indikacionet në të tri gjuhët, shqipe, anglisht, serbisht”- ka thënë ajo.
Shfaqja “Gratë e Trojës”, sipas regjisores Hoxha do të shfaqet në Beograd në Serbi, më 22 dhe 23 nëntor (2024). Ndërsa tashmë regjisorja Hoxha ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Itali për vitin e ardhshëm (2025).

Zana Hoxha u nderua me Bursën prestigjioze Chevening për të ndjekur Masterin në Regjinë e Teatrit në London Academy of Music and Dramatic Art (LAMDA). Ajo ishte gjithashtu fituesja e parë e Bursës Vjosa Berisha, e cila mbështet krijimtarinë dhe kulturën në kujtim të artistes Vjosa Berishës. Ky njohje shënoi një moment kyç në udhëtimin artistik dhe profesional të Zanës, duke reflektuar përkushtimin, kreativitetin dhe vizionin e saj për teatrin në Kosovë.
Në fillim të studimeve të saj, Zana shprehu mirënjohjen dhe entuziazmin për këtë mundësi transformative:
“Jam thellësisht mirënjohëse dhe e entuziazmuar që u bëra Bursiste Chevening për Masterin në Regjinë e Teatrit në LAMDA London, një udhëtim që e nis me krenari dhe vendosmëri të madhe.”
Ajo falënderoi Ambasadën Britanike për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe theksoi përkushtimin e saj për shkëmbimin kulturor:
“Jam e përkushtuar të përvetësoj pasurinë e njohurive dhe përvojës që LAMDA ofron dhe të përdor këtë ekspertizë të re për të pasuruar skenën artistike në Kosovë. Po ashtu, jam e etur të ndaj esencën e skenës së gjallë teatrale të Kosovës me studentët britanikë dhe ndërkombëtarë.”
Pas përfundimit të studimeve, Zana reflektoi mbi diplomimin e saj në vitin 2024:
“E vonova këtë postim për kaq shumë kohë sepse nuk isha gati ta lëshoja dhe të besoja se udhëtimi im me Chevening kishte përfunduar. Por, pas viteve të pasionit, përkushtimit dhe kreativitetit si regjisore, desha të sfidoja veten dhe gjithçka që dija duke filluar nga e para. Jam shumë e lumtur të ndaj se kam diplomuar me Master në Regjinë e Teatrit në LAMDA (klasa 2023–2024).”
Koha e kaluar në LAMDA jo vetëm që përforcoi aftësitë e saj regjisoriale, por gjithashtu thelloi besimin e saj në fuqinë transformuese të tregimeve dhe teatrit. Ajo shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që e mbështetën në këtë rrugëtim:
“Një falënderim i madh për të gjithë ato/a që më kanë mbështetur dhe frymëzuar gjatë këtij udhëtimi—veçanërisht familjen time, mentorët dhe kolegët e mi nga Artpolis. Nuk do ta kisha arritur këtë pa ju. LAMDA forcoi besimin tim në fuqinë e tregimit dhe potencialin transformues të teatrit dhe artit. Lëre të shkojë dhe lëre të rrjedhë…”
Bursa Chevening dhe diplomimi i Zanës në LAMDA përbëjnë kulmin e një udhëtimi të jashtëzakonshëm artistik dhe profesional. Ky sukses dëshmon për përkushtimin e saj për të pasuruar skenën teatrale të Kosovës dhe për të nxitur dialogun kulturor në një skenë ndërkombëtare.







“Revoltë. Ajo Tha. Revoltohu Sërish.”, shkruar nga Alice Birch dhe me regji nga Zana Hoxha, është një analizë e mprehtë, e zgjuar dhe e thellë mbi çfarë do të thotë të jesh grua, e interpretuar nga një kast tërësisht gra, duke përfshirë Natalia May, Xixi Xiao, Tanaka Mpofu dhe Olive McHugh.
Bota jonë post-apokaliptike, e dizajnuar nga Grace Rumsey, ri-imagjinon rregullat dhe traditat e mëparshme që çuan shoqërinë tonë drejt fundit. Ajo ngre pyetjen: Çfarë na ndalon të bëjmë diçka me të vërtetë radikale për të shpëtuar të ardhmen tonë? Revoluciononi gjuhën, Revoluciononi botën. Revoluciononi punën. Revoluciononi trupin. Gjallërohuni!
pati premierën e saj më 5 shtator në Greenhouse Festival, Londër. Deri tani, është shfaqur katër herë, përfshirë edhe më 28 shtator, 2024 në edicionin e 12-të të Festivalit FemArt.
Dramaturge: Alice Birch
Regjisore: Zana Hoxha
Aktore: Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao, Natalia May
Skenografia dhe Kostumet: Grace Rumsey
Dizajnere Ndriçimi: Ghoti Fisher
Dizajneri i Zërit: Aidan Gibson
Koreografe: Kristin Fredrickson
Konsulente për Instrumentet: Julia Deng Hanzu
Menaxhere e Skenës: Ace Turner
Asistente e Skenografisë dhe Kostumeve: Xiaomin Fan
Produksioni: LAMDA dhe Orange Tree Theatre
Për më tepër mbi shfaqjen lexoni këto analiza:
Nga Simon Jenner: https://zanahoxha.com/revolt-she-said-revolt-again-recension-nga-simon-jenner/?lang=sq
Nga Shqipe Malushi: https://femart-ks.com/sq/revolt-she-said-revolt-again/
Nga Gili Hoxhaj: https://femart-ks.com/sq/revolte-ajo-tha-revoltohu-serish-hapi-rruge-per-veprim-permes-teatrit//















Recent Comments