Notice: Function _load_textdomain_just_in_time was called incorrectly. Translation loading for the wordpress-seo domain was triggered too early. This is usually an indicator for some code in the plugin or theme running too early. Translations should be loaded at the init action or later. Please see Debugging in WordPress for more information. (This message was added in version 6.7.0.) in /home/u728735110/domains/zanahoxha.com/public_html/wp-includes/functions.php on line 6114
Elira Lluka, Author at Zana Hoxha
All Posts By

Elira Lluka

“Tatuazhi i trëndafilit” nëpër ngjyrat e jetës gjen dashurinë

Media: KTV
Titulli i storjes: “Tatuazhi i trëndafilit” nëpër ngjyrat e jetës gjen dashurinë
Data: 16 korrik 2023
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/385374/tatuazhi-i-trendafilit-neper-ngjyrat-e-jetes-gjen-dashurine/?fbclid=IwAR1AE5vB0X1DvT8hI0eB13b05LUjdrYBXisc651t3oZRxdvmJ2HT0Cmkstc

Nga: Fisnik Minci

Ka ardhur ashtu siç edhe e ka pasur synim: përrallë pasionante e besëtytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer. Me qasje interaktive me publikun në skenën ‘black box’ të vendosur në Qendrën Kulturore Boshnjake në Prizren, drama e njohur e Tennessee Williamsit, inskenuar nën regji të Zana Hoxhës, vjen me thirrjen për hapjen e zemrës dhe gjetjen e shpresës edhe aty ku nuk pritet

Komedia romantike “Tatuazhi i trëndafilit” nga autori Tennessee Williams, që mbetet një simbol i dashurisë, seksit, cenueshmërisë emocionale dhe riprodhimit është vënë në skenë nga teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” falë angazhimit të regjisores Zana Hoxha. Drama është realizuar në skenën ‘black box’ të vendosur në Qendrën Kulturore Boshnjake duke integruar në lojë edhe publikun, i cili në fund të shfaqjes me duartrokitje të gjata ka shprehur mirënjohjen për performancën gati dyorëshe të aktorëve Aurita Agushi, Rifat Smani, Liridona Shehu, Alban Krasniqi, Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyqi, Valmira Hoti dhe Zana Duraku.

Ngjarja në këtë dramë është e vendosur në një komunitet të vogël siciliano-amerikan. Aty Serafina delle Rose që është interpretuar nga aktorja Aurita Agushi, është një grua dhe nënë e zjarrtë dhe e pasionuar, e cila pas vrasjes së burrit kontrabandues, mbyllet nga jeta dhe dashuria. Në ndërkohë, përplaset shpesh edhe me rrethin e saj, ndërkohë që edhe vajza e saj Rosa përballet me barrierën e vendosur nga ajo.

Por situata ndryshon, kur rastësisht një shofer kamioni arrin në shtëpinë e Serafinës.

Shfaqja sipas përshkrimit të dhënë nga teatri i qytetit, është një përrallë pasionante e besëtytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer. Me këtë rast ofron një komedi të zgjuar dhe interaktive me publikun, ndërsa u kujton atyre që të hapin zemrat e tyre dhe të gjejnë shpresën atje ku nuk e presin. Gjithashtu, adreson temën e represionit seksual si një temë e fortë dhe e vazhdueshme, mirëpo duke e kthyer historinë e saj në një pasion, romancë dhe shpresë.

Image

Për aktoren Aurita Agushi ky projekt ka shënuar bashkëpunimin e radhës me teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren. Procesin e punës me aktorët rezidentë e ka përshkruar si të mirë, ndërkohë që ka ofruar hollësi edhe për sfidat në interpretimin e rolit të saj.

ka qenë edhe shumë e lehtë. Pjesën e njoh shumë moti, edhe Tennessee Williams është njëri prej autorëve të preferuar për mua. Ka qenë pak sfiduese kjo puna e aksentit italian, aty është dashtë të koncentrohem më shumë. Edhe të bëj analizë pak më të thuktë personazhit të Serafinës, sepse është një personazh kompleks, shumëdimensional, që varion gjatë gjithë performancës, tragjedia që i ka ndodhur, pastaj e rigjen dashurinë, paragjykimet dhe gjykimet që ia bën rrethi, edhe këtu është dashtë me u ndalë me bë një analizë më të thuktë edhe po besoj që bashkë me Zanën, regjisoren, me kolegët e mi, posaçërisht me Rifatin (Smani), partnerin tim në skenë, kemi punuar shumë ngushtë dhe po besoj që kemi bërë një punë shumë të mirë”, ka thënë Agushi.

Xhevdet Doda, i cili ka interpretuar rolin e At De Leos ka vlerësuar se ambienti i krijuar me “black box” i ka afruar me publikun dhe njëherësh është shprehur i kënaqur me punën ekipore në këtë projekt.

i kënaqur me realizimin e rolit tim. Është një rol, që jam përpjekur me i dhënë disa ‘mëlmesa’ artistike, natyrisht me sugjerimet e regjisores. Jam shumë i kënaqur me ekipin, jam shumë i lumtur për këtë premierë edhe shpresoj që kjo shfaqje ta gjejë rrugën te publiku ynë”, ka thënë Doda.

Regjisorja Zana Hoxha ka vlerësuar se bëhet fjalë për projekt të punuar me dashuri të ndërsjellë, ku si rrjedhojë edhe realizimi ka ecur me lehtësi dhe me energji të mirë.

“Dhe gati si shfaqja që ta jep njëfarë realiteti pak më roze, pak më ndryshe, më optimist, dhe ka qenë një lloj ngadhënjimi do të thosha, sepse ne fillimisht duhej të punonim në ndërtesën origjinale të teatrit të Prizrenit dhe për shkak të renovimit u vendosëm këtu. Mirëpo çdo gjë është mirë kur përfundon mirë, si shfaqja sonte që filloi me momente më dramatike pastaj u zhvillua, dolën në pah edhe ngjyrat tjera të jetës, sepse jeta ka ngritje, ka ulje, ka sfida por ka edhe shumë dashuri nëse dëshirojmë të shohim”, ka thënë Hoxha.

Në audiencë ka qenë i pranishëm edhe profesori universitar, regjisori e dramaturgu Fadil Hysaj, i cili ka vlerësuar lojën e aktorëve, punën e regjisores dhe reagimin e publikut.

filloj prej aktorëve, vërtet një lojë jashtëzakonisht e bukur, një regjisore brilante, Zana Hoxha, një lexim i një kryevepre dramaturgjike e Tennesee Williamsit që në kuptimin gati autorial e zbërthyer në një dimension, që një dramë të thellë të një gruaje e shndërron, i jep jetë, e kthen nga komedia edhe në njëfarë mënyrë një lloj çlirimi që e përcjellë, për të cilin ne kemi nevojë. Edhe kuptohet ajo lufta kundër së keqes, kundër vuajtjes fillon edhe fitohet brenda vetes, jo jashtë vetes. Edhe është një shfaqje shumë e bukur e ndërtuar me finesë, me një aktrim brilant që mendoj se është e rrallë si e tillë dhe uroj që të ketë jetë të gjatë në skenë dhe ta shohin shumë, shumë njerëz”, ka thënë Hysaj.

Kjo shfaqje është premiera e tretë pas fillimit të rinovimit të objektit të teatrit. Premiera e parë ka qenë shfaqja “Fausti”, një koproduksion mes Teatrit “Bekim Fehmiu”, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit të Gjilanit. Ndërsa premiera e dytë ka qenë shfaqja për fëmijët “Afërdita përsëri në shkollë”. Sivjet teatri “Bekim Fehmiu” ka realizuar edhe ciklin e parë të leximeve skenike të dramës bashkëkohore të Kosovës.

Provat kreative të shfaqjes “Toka e Shpirtrave të Trazuar”

Shfaqja “Toka e Shpirtrave të Trazuar”

Autore: Shqipe Malushi

Regjia: Zana Hoxha

Dramaturgjia: Shpëtim Selmani

Koreograf: Robert Nuha

Aktorë/e: Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Kaltrinë Zeneli, Edlir Gashi, Qendresa Kajtazi, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli

Soliste/ë: Donika Rushiti,Shaban Behramaj, Urta Haziraj,Etrit Nura

Kërcimtarë/e: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Edona Mjeku, Enis Mulaku, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani

Kostumograf: Arbnor Brahimi

Videoproduksioni: Florian Canga

Organizatore: Elira Lluka

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” është një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata.

E shtrirë në një format unik eksperimental, performanca e regjisores Zana Hoxha krijon një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës, dhe dramaturgji të Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive.

Ky projekt nga Trupa Artistike e Artpolis së bashku me artistë të rinj të muzikës dhe dansit vjen përmes fragmenteve të ndryshme poetike apo teksteve të mbushura me dhimbje, kushtrim, shpresë e forcë dhe si imazhe të reziliencës sonë kolektive. “Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë. Por, a është e mjaftueshme të jesh i lirë? A ka diçka përtej saj? “Toka e Shpirtrave të Trazuar” është një album fotografish që assesi nuk duhet ta mbulojë pluhuri, apo të harrohet në ndonjë sirtar.

Video inqizim: Gilad Sade

Editimi i videos: Art Qorolli

KOSOVA, TOKA E SHPIRTRAVE TË TRAZUAR – EDHE NJËZET VJET MË PAS

Nga Alba Ajdarevikj

Një nga gjërat e para që dikush mendon kur përmendet toka e Kosovës është lufta brutale që ndodhi në vitet e 90-ta. Frika, zemërimi, lotët, guximi, pikëllimi, rezistenca dhe gjithçka që çoi në lirinë e saj të pjesshme. Kjo periudhë kaotike, e përndjekur për shumëkënd, traumatizuese për të gjithë, edhe për brezat e mëpasshëm, u shfaq në mënyrë të përsosur më 14 qershor 2022, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga Trupa Artistike Rezidente e Artpolis. Ishte nata e hapjes së edicionit të 10-të të FemArt – Festivali më i madh Feminist i Grave Artiste dhe Aktiviste në rajon.

Para se të fillonte shfaqja, një numër i madh njerëzish qëndronin jashtë teatrit ose në holl, të emocionuar për shfaqjen, disa hynin verbërisht, të pavetëdijshëm për atë që do të shikonin. Teatri ishte plot me njerëz, kureshtarë për të parë këtë kryevepër dhe për të përjetuar të gjitha emocionet që artistët shfaqën. Me fillimin e shfaqjes, aktorët e trupës të shoqëruar nga zëri melodik i Donika Rushitit, sjellin në jetë skenën. Këndimi ngjan me ninullat që i kemi dëgjuar nga nëna apo gjyshet tona; teksa nëna e bën gati të bijën për martesë. Skena që pason, e mbështetur nga tingujt e njohur të defave dhe daulleve shqiptare, tregon martesën e këtij çifti të sapomartuar duke kërcyer. Dhe pastaj befas – tingujt intensifikohen, duke rikthyer kujtimet e armatosjes së popullit për t’i rezistuar spastrimit etnik.

Më tej, në skenë u shfaq një zonjë me një fustan të mrekullueshëm të kuq, si gjaku. Një fustan kaq i kuq, sa më bëri të mendoj për një tokë magjepsëse të mbuluar me gjak. Një tokë, që edhe 20 vjet më vonë, ende bart gjakun e kuq të tharë të ushtarëve të rënë, heroinave të rëna dhe fëmijëve të pafajshëm. Një tokë e përhumbur nga shpirtrat e tyre, një tokë e trazuar nga gjaku i saj.

Njerëzit që qëndronin pas ‘Zonjës Gjak’, përball një muri imagjinar, me duart pas kokës, bien dhe zbresin nga toka, teksa ajo shpreh ndjenjën e të qenit në kurth dhe e izoluar në një tokë gjaku. T’i rezistosh regjimit, t’i rezistosh ndjenjës së izolimit, duke rënë e duke u ngritur sërish, si një feniks në një çark rraskapitës të pafund.

E më pas, shpërfaqet çështja që më së paku diskutohet në këtë shoqëri. Gratë gjatë kësaj lufte. Përvojat e grave, ndjenjat e tyre, kujtimet dhe traumat e tyre. Ndjenja e dobësisë, e turpit, e fajit, e frikës, e të qenit në kurth, e ndjenjës sikur ato janë fajtore. Ai momenti i tmerrshëm i gjetjes së vetes lakuriq, e ekspozuar ndaj elementeve, me këmbët lart, duke u torturuar nga një ushtri burrash, një ushtri derrash, një ushtri e ndyrë. Ai kujtim që kurrë nuk do të vdesë, pikërisht në atë minutë kur e gjithë jeta juaj përmbyset dhe nuk e ke nën kontroll. Momenti kur e dini se gjithçka po shkatërrohet, e megjithatë, nuk mund të bëni asgjë tjetër veçse të luftoni – edhe nëse kjo do të thotë të mos fitoni. Momenti kur trupi juaj ndihet i rrezikuar dhe kur truri e pranon atë sinjal. Momenti kur trupi juaj ndihet i cenueshëm dhe ju përdhunojnë. Përdhunuar nga qenie të neveritshme çnjerëzore. Dhe askush nuk ju beson. “Nuk është e vërtetë / Unë jam ajo gruaja / Që ka provuar të shpëtojë / Nga makthi i një beteje të humbur / Që nuk ishte kurrë e imja”.

E bllokuar nga një barrikadë burrash, duke e shtyrë prapa, duke e heshtur, e megjithatë, ajo vazhdon të ngrejë zërin, duke folur. Megjithatë, askush nuk dëshiron ta dëgjojë, askush nuk dëshiron ta besojë dhe askush nuk e pranon. Realiteti i trishtuar i shumë grave të dhunuara.

Një nënë, një nënë e shqetësuar, e një fëmije që sheh njerëz të vdekur dhe ende dëgjon të shtëna armësh dhe flet me vete. Një nënë që kërkon ndihmë për fëmijën e saj. Askush në parkun e lojërave nuk dëshiron të luajë me fëmijën e saj dhe askush nuk mund ta ndihmojë atë. Sepse, siç thotë ajo, “nuk ka mjekë që ta ndihmojnë me ankthin e saj”. Ju mund të shihni njerëz që e përçmojnë atë, duke injoruar thirrjet e saj për ndihmë, ndërsa atë e rrëzojnë dhe ajo ngrihet duke folur me ta, duke bërtitur për ndihmë.

Dhe më në fund, pjesa që preku gjithësecilin në publik. Në sfond shfaqen pamjet e ushtarëve dhe pamjet e tjera të luftës së Kosovës ’99, të cilat projektohen përmes Mëmëdheut – ‘Zonjës së Kuqe’, perdes së tejdukshme që qëndron mes saj dhe pjesës tjetër të kastës së aktorëve, në rolin e popullit të Kosovës. Këta të fundit festonin çlirimin e tyre, çlirimin e Kosovës. Duke kërcyer, duke qeshur, duke kënduar dhe duke injoruar Mëmëdheun e tyre të gjakosur që po u fliste. Ajo po tregonte se toka në të cilën ata jetojnë ka mbetur e plagosur – toka që ata e njohin si shtëpinë e tyre është e njollosur me gjak dhe do të mbetet e tillë përgjithmonë. Mirëpo, qytetarët, sikur në atë moment përpiqeshin t’i shmangeshin realitetit, nuk i kushtuan vëmendje, të ndarë nga perdja thuajse e maskuar.

Lufta përfundoi me të vërtetë; por, konflikti i armatosur që pasoi, mizoritë që pasuan, nuk mbaruan menjëherë. Dhe prapëseprapë, njerëzit u përpoqën të identifikonin shpresën dhe të kënaqeshin me atë çfarë kishin. Megjithatë, skena e radhës përshkruante në mënyrë të përsosur atë me të cilën u përballën shumë familje kosovare – realitetin e humbjes. Një i ri duke folur me gjyshërit, nënën e tij, e të afërmit e tjerë, të cilët nuk mund t’i shihte, por megjithatë u shfaqën në skenë. Mungesa e bisedës mes tyre dhe mungesa e vëmendjes fizike ndaj njëri-tjetrit e bëri të qartë për publikun se ata ishin larguar. Ata ishin larguar dhe nuk do ktheheshin më. Trupat e tyre ishin aty, por ata, siç i njihte ai, nuk ishin. Familjarët u ulën, në mënyrë elokuente dhe të qetë, në një stol që ishte vendosur në skenë. Pas tyre, djali kërkon të atin, duke bërtitur në skenë. Dhe ashtu si të tjerët, ai përgjigjet; megjithatë, ata nuk mund të bisedojnë. Të dy duke kujtuar momentet e fëmijërisë së djalit, babai shkon ngadalë në fund të skenës, duke u rreshtuar me njerëz të tjerë. Fakti që ai nuk i bashkohet pjesës tjetër të familjes në stol, lë të kuptohet se ai është mes më shumë se një mijë personave, trupat e të cilëve janë ende të zhdukur. Trupat e të cilëve ende nuk i kanë gjetur familjet e tyre dhe shpirtra që nuk kanë vend prehjeje, të cilët familja mund t’i vizitojë dhe të shprehë zemërimin dhe pikëllimin e tyre. Fati i të cilit është ende i panjohur, dhe njerëz që besohet se janë ende gjallë diku.

Kjo shfaqje padyshim ishte diçka që nuk e kam përjetuar më parë. Ka goditur secilin person në audiencë. Sa e pazakontë aq edhe mahnitëse në përçimin e mesazhit. Regjia, loja skenike, poezitë, koreografia, muzika, dhe videoprojeksionet janë në ndërveprim të jashtëzakonshëm. Përmes tyre përcillet një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së një populli. Shumë njerëz, duke përfshirë edhe mua, u përlotën gjatë saj. Sytë e fryrë u theksuan nga dritat e ndezura në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës pas shfaqjes. Shpirtrat e goditur nga një histori e përgjakshme shfaqen në horizont, për t’u mos u harruar kurrë.

Alba Ajdarevikj është e sapodiplomuar në Institutin e Teknologjisë në Rochester, me fokus në Studime për Paqe dhe Konflikt, si dhe Politika Publike dhe Qeverisje. Ajo ishte praktikante në Artpolis dhe aktualisht është reportere e projekteve në Artpolis.

Unë jam grua! Më shikoni! Më dëgjoni! Më shihni!

Nga Ivana Bilic

Shfaqja premierë “Toka e shpirtrave të trazuar” hapi edicionin e 10-të të Festivalit FemArt. Çfarë sinergjie me mori disiplinash – nga poezia, koreografia teatrale, kërcimi, deri te këngët tradicionale dhe videoprojeksionet! Publiku i tha të gjitha me një duartrokitje tre-minutëshe në këmbë, pas lotëve dhe duartrokitjeve mes skenash. Por, le të fillojmë nga e para!

Çfarë është gjuha e dhembshurisë?

“Toka e shpirtrave të trazuar” u performua në anglisht dhe shqip. Poezitë janë shkruar fillimisht në anglisht dhe më pas janë përkthyer nga vet autorja dhe redaktuar nga Berat Bajrami. Autorja shpjegoi se si poezitë morën kuptime krejtësisht të ndryshme pasi u përkthyen në shqip, morën forcë dhe kuptimësi. Ata që nuk kuptonin shqip, ishin dëshmitarë të forcës së këtyre fjalëve, fuqisë së emocioneve dhe pranisë me peshë të aktorëve. Polifonia e zërave – të autores dhe të regjisores – që ndërthurej në zërat e aktorëve dhe të korit, rezononte në të gjithë sallën e teatrit.

Vet hapja vjen si një lajmëtar, një fantazmë nga e kaluara, për të lajmëruar atë që do të dëgjojmë për një orë e gjysmë në vazhdim. Është mjaft interesante, poema në shqip që e hap shfaqjen është e njëjta në anglisht që e mbyll atë: një imazh i gjallë i shtëpisë me çati të kuqe, që ngulitet në mendjen tonë. “Shtëpia ishte e vjetër / Me rrjeta të arta përreth / Dhe kënde argjendi, / Dyert nga lisi / Dhe çatitë e kuqe.” Pikërisht këto linja prezantuan ngjyrat që do të shihnim, imazhet dhe tonin e performancës.

Aktorë me kostume të lehta ngjyrë dheu dalin në skenë, disa minuta para se të vendosin këmisha të arta si mburoja dhe u bien daulleve. Sikur të ishim dëshmitarë të pranisë së ushtarëve, të çizmeve, të uniformave të tyre të rënda dhe të pushkëve. “BIEN TUPANAT. / Dhe njerëzit presin / Edhe një ditë tjetër, / Të nesërmen e pafund…” Të gjithë aktorët, dhe kërcimtarët ishin në harmoni të përsosur. Kërcimet, lëvizjet dhe goditjet e daulleve e defave u bënë pothuajse shurdhuese. Tensioni dhe ankthi ishin të dukshme teksa aktorët shprehnin zemërimin dhe fuqinë e ushtrisë. Si një simfoni e përsosur – çdo element përbënte një copëz të enigmës së një kryevepre.

Unë jam grua!

Një grua, na drithëroi zemrat me lëvizjet energjike të fustanit të kuq të pafund, duke thënë: “Unë jam grua / Me dhuratën / E lirisë (…) Më prek / Dhe më lë të jem e lirë”. Kjo skenë në njëfarë mënyre hapi dhe vuri në pah idenë kryesore të Festivalit FemArt që feston gratë, fuqinë, forcën dhe kreativitetin e tyre duke nderuar guximin dhe qëndrueshmërinë e tyre. Pothuajse arritëm të shihnim mundimin në shpirtin e saj përmes lëvizjeve të fustanit të saj. Teksa dritat ndryshonin, vinin në pah edhe ngjyrën dhe tonet e zërit të saj. Në një moment zëri i saj ngritet lart, ajo është në prag të bërtitjes, duke shprehur fuqinë e pranisë së saj sikur të ishte në një fron. Ishte fuqia e një gruaje, e të gjitha grave që luftonin për të drejtat e tyre. Sipas fjalëve të autores së poezisë, ajo pushtoi skenën. Në fund, ajo merr fustanin e rëndë ngjyrë të kuqe të ndezur, më të shndritshëm se të gjitha kostumet e tjera në skenë, si copëz të një ëndërre dhe zhduket në errësirë ​​si një fantazmë e kohëve të shkuara.

Më shikoni! Më dëgjoni! Më shihni!

Ajo hyn dhe vrapon, ngre zërin ndërsa përpiqet të kalojë, por ata – burrat, nuk e lënë. Ata formojnë barriera me trupat e tyre, për ta mbajtur larg, për të mos e lënë të flasë, për ta mbajtur të heshtur. Pastaj qan dhe bërtet. Ajo dëshiron të dëgjohet, por askush nuk dëshiron ta dëgjojë historinë e saj! Një skenë thellësisht prekëse e trupave të grave si fushë betejë! Por, me gjithë dhimbjet, fizike dhe psikologjike, ajo lufton për t’u dëgjuar! Ajo lufton për të vërtetën! Ajo është në të tashmen, sot, duke mos u lejuar të flasë, e stigmatizuar, e turpëruar për atë që i kishte ndodhur dhe që nuk ishte aspak faji i saj. A jemi gati t’i dëgjojmë këto histori? A jemi gati të pranojmë, të kuptojmë, të dëgjojmë dhe të shohim?

Autorja Shqipe Malushi më në fund pa një shprehje trupore të dhimbjes që mban brenda për më shumë se 40 vjet. Ajo gjeti shtëpinë e saj, shtëpinë e saj që ishte e pamundur të gjendej pas luftës. Regjisorja Zana Hoxha më në fund e gjeti paqen shpirtërore me këtë shfaqje. “Nuk kam luftë në zemër. Unë jam një luftëtare paqeje! Por, teatri shërben për katarsis. Dhe atë ne ia ofruam audiencës sonë sonte.” Kjo është vlera dhe hiri i teatrit të angazhuar, për t’iu lënë të reflektoni dhe për t’iu ofruar paqe dhe përmbyllje shpirtërore.

Kujtesa kolektive

“Pse ia bëj këtë publikut tim? Duhet t’i mbaj zgjuar; ata nuk bën të bien në gjumë”, tha autorja. Dhe, ajo na mbajti të gjithëve zgjuar. Na mbajti zgjuar për hir të kujtesës kolektive, që të mos harrojmë. Sonte ishim dëshmitarë të një force të madhe të të gjithë atyre që ishin të përfshirë në këtë performancë, për të ruajtur kujtimet e tyre nga harresa, si ruajtës të kujdesshëm të së kaluarës sonë të përbashkët.

Ivana Bilić (Sarajevë, BeH) është praktikante në Artpolis me ç’rast do të kryejë kërkimin e saj mbi rolin e artit skenik në ndryshimin shoqëror. Ajo është përkthyese në anglisht, frëngjisht dhe boshnjakisht. Ajo është studente për të drejtat e njeriut me interes të veçantë për të drejtat e grave, minoritetet dhe LGBT+.

“Toka e Shpirtrave të Trazuar”

14.06.2022

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” është një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata.

E shtrirë në një format unik eksperimental, performanca e regjisores Zana Hoxha krijon një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës, dhe dramaturgjinë e Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive.

Ky projekt nga Trupa Artistike e Artpolis së bashku me artistë të rinj të muzikës dhe dansit vjen përmes fragmenteve të ndryshme poetike apo teksteve të mbushura me dhimbje, kushtrim, shpresë e forcë dhe dhe shfaqet si imazh i reziliencës sonë kolektive.

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë.

Por, a është e mjaftueshme të jesh i lirë? A ka diçka përtej saj?

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” është një album fotografish që assesi nuk duhet ta mbulojë pluhuri, apo të harrohet në ndonjë sirtar.

Autore: Shqipe Malushi

Regjia: Zana Hoxha

Dramaturgjia: Shpëtim Selmani

Koreograf: Robert Nuha

Aktorë/e: Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli, Edlir Gashi

Kërcimtarë/e: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani

Soliste/ë: Donika Rushiti, Shaban Behramaj, Urta Haziraj, Etrit Nura

Kostumograf: Arbnor Brahimi

Videoprojeksionet skenike: Florian Canga

Asistente dhe organizatore: Elira Lluka

Skenografia: Arben Shala

Tonist: Arben Aliu

Ndriçimi: Sherif Sahiti dhe Mursel Bekteshi

Mjeshtër skene: Aziz Maloku, Rrahman Mehmeti

Grimi: Myrvete Tahiri, Flora Hasani

📸 Rilind Beqa

#zanahoxha #artist #hauntedland #kosovo #theatre

“Çimka” në dy botë paralele: pasqyrim i së kaluarës, thirrje për reflektim

Media: KTV
Titulli i storjes: “Çimka” në dy botë paralele: pasqyrim i së kaluarës, thirrje për reflektim
Data: 08 maj 2022
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/324388/cimka-ne-dy-bote-paralele-pasqyrim-i-se-kaluares-thirrje-per-reflektim/?fbclid=IwAR01Q2zP6069AUTGL-1Df08aY3IPmJsEX-25GuZBaCpOXmYuYpgmgr6-g6s

Nga: Berat Bajrami

E rimarrë nga “Çimka”, Shtëpia me Gjethe është hapësirë e dy botëve paralele: regjimit jugosllav në Kosovë dhe atij në Shqipëri, të cilin publiku e përjeton paralelisht. Historitë e përgjimeve, të vuajtjeve dhe persekutimeve të mijëra shqiptarëve, viktima të këtyre regjimeve totalitare, ringjallen e rinjihen përmes shfaqjes “Çimka”, me autor Shpëtim Selmani, në regji të Zana Hoxhës

Aty kur dikur të internuarit, disidentët e të rebeluarit detyrueshëm ecnin për t’iu nënshtruar torturave të regjimit totalitar, mbrëmjen e ditës së parë të majit, publiku në Tiranë ecte me kureshtje në dhomat e hapësirat e inskenuara për shfaqjen “Çimka”. Përjetimet e një populli të ndarë pikëtakohen në një vend – muzeun kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Shijen e një shfaqjeje të pazakontë publiku e përjeton qysh me hapjen e dyerve të muzeut. Të ndarë në dy grupe: si “gjeth” apo “çimkë” publiku fillon ecjen në drejtime të kundërta, një ecje e ngadaltë e me ndrojtje, në pritje të skenave që do të pasonin.

E rimarrë nga “Çimka”, Shtëpia me Gjethe është hapësirë e dy botëve paralele: regjimit jugosllav në Kosovë dhe atij në Shqipëri, të cilin publiku e përjeton paralelisht.

Historitë e përgjimeve, të vuajtjeve dhe persekutimeve të mijëra shqiptarëve, viktima të këtyre regjimeve totalitare, ringjallen e rinjihen përmes shfaqjes “Çimka”, me autor Shpëtim Selmani, në regji të Zana Hoxhës, që ka zhvilluar deri më tani edhe tri repriza (4, 5, 6 maj 2022). Ato vijnë si pasqyrim i së kaluarës, e thirrje për të reflektuar e mësuar nga to.

Përgjimet, torturat, tmerri dhe shtypja e një populli, të ndarë në dy shtete, jetësohen mjeshtërisht përmes dy protagonistëve: Dervish Shaqa e Musine Kokalari, të cilat i luajnë Mikel Markaj, përkatësisht Xhulia Musagalliu.

Te këto dy personalitete, regjisorja Zana Hoxha ka parë rebelizmin ndaj regjimeve përkatëse, si figura që para së gjithash e mbi të gjitha – kanë dashur lirinë.

“Konsideroj se që të dy janë rebelë, dhe që nuk e kanë komprometuar artin e tyre. Dervishi nuk e ka komprometuar artin e tij dhe e ka përdorur këngën për të përçuar mesazhe edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Ndërsa Musinea, emblemë e kohës, disidente, e cila nuk e nëpërkëmbi dinjitetin e saj, përkundër të gjitha vështirësive, dënimeve, internimeve e kushteve të vështira të jetës”, thotë Hoxha.

Gjersa skenat ndërrohen, publiku i ambientuar nxiton për të parë skenat e tjera. Lëviz nga ngushticat e muzeut në hapësirat e jashtme, për t’u prezantuar edhe me ankthin që ka përjetuar populli shqiptar për një kohë të gjatë. Kjo vihet në pah përmes tablosë së Edison Gjergos, një piktor që ishte viktimë e regjimit totalitar në Shqipëri. Ankthi sa vjen e shtohet kur personazhet nuk arrijnë të gjejnë një hapësirë të përshtatshme për ta fshehur pikturën e tij. Ai dhe arti i tij, si qindra artistëve, përjetoi grushtin e hekurt të regjimit totalitar.

Por, ëndrrat, dashuria për lirinë dhe jetën, këngën dhe vallëzimin kulmojnë në takimin e Dervishit dhe Musinesë, viktima të regjimeve në të dyja anët e kufirit. Personazhe që inspirojnë për jetën edhe sot e kësaj dite. Skena si këto ofrojnë një ndjesi sa të çuditshme aq edhe të pazakontë. Ngjallin mendime e reflektime mbi përjetimet e këtyre personaliteteve dhe shumë të tjerëve.

“E vërteta është se këtu mbizotëron frika, terrori. Po kush ka guxim të thotë jo, kush? Askush! Ama brenda zemrës sime sundojnë ëndrrat. E di që nëse jo unë, ata që do të vijnë pas meje do të vallëzojnë, do të hedhin hapat ashtu sikurse duan ata vetë. Asnjë sistem sundues nuk do të mund ta hedhë dot rrjetën e tij mbi nevojën e njeriut për të ushtruar vullnetin e lirë”, thotë personazhi i Musine Kokalarit dhe kjo vjen si mesazh përmbyllës i shfaqjes.

Kjo shfaqje vjen edhe si një bashkëpunim i veçantë ndërmjet artistëve të Kosovës e Shqipërisë. Bashkëproduksioni i “Artpolis” dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka bërë bashkë gjashtë aktorë e aktore nga Shqipëria dhe dy nga Kosova: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu , Mikel Markaj , Edlir Gashi, Urim Aliaj , Altea Dulellari.

Këtë shfaqje, të krijuar enkas për “Shtëpinë me Gjethe”, publiku do të ketë rastin ta përjetojë edhe pak ditë: Pos të shtunën mbrëma, edhe më 11, 12, 13, 14 e 15 maj.

“ÇIMKA”

01.05.2022

“ÇIMKA” pasqyrim i të kaluarës së shqiptarëve, e thirrje për reflektim

Mbrëmjen e 1 majit, 2022 publiku pati rastin të përjetojë emocione të veçanta në premierën e shfaqjes “ÇIMKA”, me autor Shpëtim Selmani dhe regji të Zana Hoxhës.

E jetësuar në “Shtëpinë me Gjethe”, aty kur dikur përgjoheshin personalitete e qytetarë të thjeshtë, “ÇIMKA” vjen si pasqyrim i të kaluarës së popullit shqiptar, e thirrje për të reflektuar e mësuar nga ajo.

Publiku si “gjeth” apo “çimkë” përjetoi paralelisht dy botë paralele, diktaturën në Shqipëri dhe regjimin jugosllav në Kosovë. Historitë e përgjimeve, torturat, tmerri, dhe shtypja e mijëra shqiptarëve jetësohet me mjeshtëri përmes dy protagonistëve, Dervish Shaqa e Musine Kokalari.

Për regjisoren Zana Hoxha, protagonistët e shfaqjes “ÇIMKA” janë simbole të rezistencës në mënyra të ndryshme: “Një rapsod, qëndrestar përmes këngës, e tjetra një aktiviste, artiste disidente që dha jetën pa humbur integritetin e saj”.

Skenat ndërrohen. Publiku lëviz nga ngushticat e muzeut në hapësirat e jashtme të saj, për t’u prezantuar edhe me ankthin që ka përjetuar populli shqiptar për një kohë të gjatë. Kjo vihet në pah edhe përmes tablosë së Edison Gjergon, një piktor që ishte viktimë e regjimit totalitar në Shqipëri. Ankthi sa vjen e shtohet kur personazhet nuk arrijnë të gjejnë një hapësirë të përshtatshme për ta fshehur pikturën e Gjergos, që ishte goditur nga dora e çeliktë e censurës.

Por, ëndrrat, dashuria për lirinë dhe jetën, këngën dhe vallëzimin kulmojnë në takimin e Dervishit dhe Musinesë, viktima të regjimeve në të dy anët e kufirit. Personazhe që inspirojnë për jetën edhe sot e kësaj dite.

Shfaqja përmbyllet me një mesazh të fuqishëm nga Musine Kokalari: “E vërteta është se këtu mbizotëron frika, terrori. Po kush ka guxim të thotë jo, kush? Askush! Ama brenda zemrës sime sundojnë ëndrrat. E di që nëse jo unë, ata që do të vijnë pas meje do të vallëzojnë, do të hedhin hapat ashtu sikurse duan ata vet. Asnjë sistem sundues nuk do të mund ta hedhë dot rrjetën e tij mbi nevojën e njeriut për të ushtruar vullnetin e lirë”.

Produksioni : Teatri Kombetar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” & Qendra Artpolis

Autor: Shpetim Selmani
Regjisore: Zana Hoxha

Aktorë/e: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi , Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj, Altea Dulellari

Kompozitor: Liburn Jupolli

Skenografia dhe Kostumet: Youliana Voykova – Najman
Asistentë regjie: Greta Baci & Kevin Rrapaj
Asistente teknike: Elira A Lluka
Koreografe: Valentina Myteveli

Kjo shfaqje mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Shtëpia e Gjetheve, Zyra e Presidentes së Kosovës, cfd dhe Buçaj.

📸 Andis Rado

#ZanaHoxha #Artpolis #TeatriKombetarEksperimental #Çimka #theater #documentary #tirana #prishtina #albanianart #muzeugjetheve #albania #kosova #artandcommunity

Lexim skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”

Më 25 qershor 2021 u dha premierë leximi skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”, me regji të Zana Hoxhës, në Parkun e Qytetit në Prishtinës.

Trupa rezidente e Qendrës Artpolis realizoi këtë vepër të Edna Mazyas para një publiku me diversitet gjinor, në moshë e në etni, i cili e mirëpriti realizimin e kësaj vepre dhe temat e trajtuara në të.

Edna Mazya përmes veprës së saj na sjellë ngjarjen e vërtetë të përdhunimit të një vajze nga katër të rinj në Izrael, në vitet 1988-91. E përveç kësaj “Lojëra në Oborrin e Pasmë” vë në pah rrënjët e thella të sistemit patriarkal edhe në institucionet shtetërore, që vetëm sa shton peshën e shtypjes ndaj grave
Aktivisti, Durim Elshani, për këtë temë tha se, “nuk është e natyrshme që djali me qenë jo emocional, agresiv, dhunues e ngacmues. Është sistem pushteti i krijuar me norma të qarta, e me role të përcaktuara sipas konstrukteve sociale, ku për të qenë djalë i ‘mirë, i ndershëm e i dashur’ duhet me qenë agresiv, ngacmues e sundues. Prandaj djemtë gjatë përdhunimit nuk kishin frikë për dhunën që shkaktonin, se brenda hegjemonisë maskuliste ajo të bënë burrë të zotin”.

Autore: Edna Mazyac
Regjia: Zana Hoxha
Shqipëroi: Artur Lena

Aktorët/et: Zhaneta Xhemajli, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Ismail Kasumi, Blerta Gubetini dhe Art Pasha

Zana e artit dhe e aktivizmit

“Është identitet i jemi”, thotë regjisorja Zana Hoxha. Qysh prej kohës së studimeve, e ka shoqëruar kombinimi i krijimtarisë teatrale me vullnetarizmin qytetar. Shpesh, në dërrasat e teatrit, ka gërshetuar kauzat shoqërore, sidomos ato në mbrojtje të të drejtave të grave. Mesazhet për ndryshim janë përçuar nëpërmjet artit, të cilin e ka kthyer edhe në mjet mirënjohjeje edhe për sakrificën e grave dhe aktivisteve të viteve nëntëdhjetë.

“Zana, në radhë të parë, është një feministe e fortë, edhe ajo lufton përmes punës së saj për të drejtat e grave dhe vajzave dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë”, thotë Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës.

“Zana është grua e fortë, por paralelisht është edhe e ndjeshme, dhe ndien e solidarizohet me të tjerët, të cilët kanë nevojë me pasë përkrahjen e saj”, thekson Venera Ismaili, pjesë e qendrës “Artpolis”.

“….por kjo është Zana, nuk ka qejf me qenë e dyta, ka qejf me realizu deri në perfeksion, si në jetë si profesionalisht, por puna e saj si aktiviste e të drejtave të njeriut, puna e saj e jashtëzakonshme me ‘FemArtin’, ku është pjesa edhe profesionale dhe humanitare, e bën Zanën shumë të veçantë për modelin, hajde unë po them qysh kemi qejf, të gruas shqiptare…”, spikat aktori Adrian Morina.

Këto janë fjalët e disa prej miqve dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë që pasqyrojnë veprimtarinë si aktiviste dhe krijimtarinë si regjisore të Zana Hoxhës. Krejt jeta e saj dyzon angazhimin vullnetar qytetar jashtë e realizimin e ambicieve profesionale brenda teatrit. Aty ndihet më së miri. Mesazhi i saj, gjithnjë thirrje për ndryshim.

Arka si thirrje për ndryshim

Edhe kthesat më të mëdha në karrierën e saj lidhen me ndryshimet historike të Kosovës.

Për jetësimin e tyre, Zana do të frymëzohej nga gjyshja Hedije, një grua me karakter të fortë.

“Gjyshja e ka pasur një histori interesante të rritjes, nuk ka përtuar kurrë që me m’i tregu historitë e saj mua. Ka qenë një model se si duhet me i pranu personat që shoqëria i gjykon, i përjashton, që i sheh më ndryshe”, kujton me krenari Hoxha copëza rrëfimi në zyrën e saj në Prishtinë. Muret, të mbushura me shenja që ia përkujtojnë kohë të ndryshme. Secila prej tyre, histori më vete.

“Qoftë komunitetet tjera, qoftë njerëz të preferencave të tyre ndryshe, qoftë prej stilit të jetesës që kanë bërë në atë kohë, dhe gjyshja ime është njohur si person që i përqafon të gjitha këto preferenca dhe që nuk i gjykon dhe nuk i largon”.

Arkën e gjyshes e ka sjellë në zyrë. Nga Gjakova në Prishtinë. Ishte edhe pjesë e shfaqjeve në teatër. Arka përfaqëson të kaluarën e familjes. Përherë ia kujton se për të ardhmen duhet të punojë tani.

Shpërblimet nëpër mure, mirënjohje për veprat e saj. Ama, më me qejf flet për thesarin e gjyshes.

“Ka qenë arka e saj që i themi ne me çejzin që e ka dërguar. Ajo ka edhe arka tjera, ka edhe një pjesë tjetër të trashëgimisë që e ka lanë. Unë kam kërkuar pikërisht këtë sepse është edhe pjesë e trashëgimisë së nanës së saj”, thotë Hoxha. Me dorën e djathtë fërkon pjesën këndore të arkës.

“Për mua është një kujtesë shumë e mirë prej asaj nga unë vij, sepse ne vijmë prej një kulture, rrethanave të caktuara, unë vij nga Gjakova që është një qytet shumë matriarkal dhe si lokacion matriarkal, është shumë normale në Gjakovë me pa gra që kanë udhëhequr, të zonja, udhëheqëse jo vetëm të familjes, por edhe të bizneseve të ndryshme dhe jam rritur me këtë modelin e grave që udhëheqin”.

Dokumentimi i tmerrit të luftës

Dhe pasojat shoqërore të trashëgimisë patriarkale shpesh përbëjnë boshtin e shfaqjeve të Hoxhës. Edhe atëherë kur forca e zakonit e bën të veten, nuk heq dorë nga misioni i saj sfidues. Arti, mjet për të përçuar mesazhin për mbrojtje të të drejtave të njeriut. Sidomos të grave dhe të kategorive të margjinalizuara.

Prania dominuese e të rinjve e të rejave në performancat e saj, shenjë e shpresës për kapërcimin e pengesave. Aso, me të cilat ishte përballur edhe gjyshja Hedije. Por, betejën për barazi, Zana e zhvendos dhe e kolektivizon në dërrasat e teatrit.

Zana Hoxha dhe organizata e saj joqeveritare “Artpolis” promovojnë artin dhe diversitetin nëpërmjet dialogut shoqëror dhe krijimit të frymës së bashkësisë. Është vetëm njëri prej leksioneve të shumta që i transmeton artistikisht me lojën teatrore.

Por, edhe rrethanat në Kosovën e pushtuar, sidomos gjatë luftës në fundvitet nëntëdhjetë, do të ndikonin në formësimin dhe rrugëtimin e saj. Si tinejxhere nisi të punonte për organizata ndërkombëtare në Gjakovën e shkatërruar nga forcat serbe. Njohja me aktivistë të shteteve të ndryshme, mundësi për njohje të kulturave të reja.

Ajo do të dokumentonte terrorin serb mbi shqiptarët. Me veshët e saj po dëgjonte dëshmitë për mizoritë dhe format e ndryshme të dhunës që ishte ushtruar mbi gratë e burrat e pafajshëm.

“Ne kemi gra që kanë qenë lidere të lëvizjes paqësore dhe të rezistencës paqësore të viteve nëntëdhjetë. Kemi gra aktiviste, kemi,… ose aktiviste të protestave paqësore në rrugë nga Prishtina në Drenicë, gra që u janë bashkuar lëvizjeve studentore, ose lëvizjeve për paqe, dhe të gjitha këto histori nuk kanë arritur kurrë të mbërrijnë në teatër”, thotë Hoxha.

“Dhe, e kam ndier këtë nevojë me pasë këtë fuqi, këtë vijë të një fuqie të grave, të cilat vendosin për vetveten, vendosin për shoqërinë në të mirë të shoqërisë dhe nuk kërkojnë falje për ato që janë. Dhe, kjo ka qenë ajo që përfaqësoj, jo vetëm si lidere dhe aktiviste, por edhe si regjisore”.

Ky gërshetim e ka përcaktuar edhe kontributin e saj në skenë dhe jashtë saj. Me fjalë të ngjashme e përshkruajnë edhe kolegët e punës në “Artpolis”. Venera Ismaili është njëra prej tyre.

“…e fortë dhe e ndjeshme”

Venera Ismaili, e cila tani punon në “Artpolis”, ka përcjellë aktivitetin artistik e vullnetar të Hoxhës edhe para se të bëhej pjesë e stafit të qendrës.

“Më ka pëlqyer shumë edhe si artiste, por edhe si një grua e fortë që ka punuar dhe ka arritur atë që ka dashtë. Dua të them se pos që ka treguar se është një grua e fortë, por gjithnjë në biseda, po flas para se me qenë në ‘ArtPolis’, ajo e ka treguar edhe një anë të ndjeshme në punën e saj, ka pasur karakteristika që shumë më kanë pëlqyer dhe disi e kam çmuar shumë si grua. Zana është grua e fortë, por paralelisht është edhe e ndjeshme, dhe ndien e solidarizohet me të tjerët, të cilët kanë nevojë me pas përkrahjen e saj”, thotë Ismaili.

“Është identitet i jemi”, thotë Hoxha. Qysh prej kohës së studimeve, e ka shoqëruar ky kombinimin.

Adrian Morina ka hapëruar bashkë me Zana Hoxhën në rrugëtimin artistik qysh prej ditëve të para në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Bashkë do të ndërmerrnin edhe nisma e projekte studentore.

“Po flas për energjinë dhe ëndrrat, sepse Zana gjithnjë ka qenë edhe ëndërrimtare, edhe ambicioze, edhe energjike. I kemi nisur punët e para bashkë në provimet studentore, e mbaj mend ‘Jul Cezarin’, një shfaqje shumë ambicioze për kohën, prej një studenteje të regjisë”, kujton Morina në hollin e Teatrit Kombëtar.

“Ne atëherë ishim studentë të aktrimit, me kostumet u marrke vetë, me i qepë, me i përgatitë vetë. Ndoshta ka qenë hera e parë në shfaqjet studentore kur luanim me kostume të qepura enkas për ne, dhe natyrisht si student ndihesh mirë. Po e them këtë sepse është shumë insistuese. Ka qenë gjithmonë insistuese me realizu punën maksimalisht dhe me dashni shumë të madhe”.

Morina ia njihte aq mirë karakterin sa për t’iu përvjelë bashkërisht planeve ambicioze, si atëherë kur një grup të rinjsh themeluan festivalin e studentëve “Skena UP”. Zanës i ishte besuar programi i shfaqjeve teatrore.

“E kemi nisur me Zanën, Arzana Krajën, Mentor Halitin, Arjan Krasniqin, Arben Zharkun, dhe një grup e kemi realizu festivalin ‘Skena UP’. Zana ka qenë përgjegjëse për teatër. Kishim qejf me ba diçka më shumë se veç teatër. Ndoshta atëherë nuk e kemi ditur se ajo ishte aktivizëm, ose aktivizimi i diçkaje më shumë se sa aktivizëm, edhe në aspektin njerëzor”, thotë ai. “…dhe kthehem dhe them se njeriu definitivisht e ka të vështirë dhe ne nuk e kemi artikuluar çfarë po dojmë me ba, por rrugën sigurisht e ka trasuar Zana, d.m.th, kjo punë e saj gjigante si një udhëheqëse e një organizate që merret me të drejtat e njeriut, ti e sheh se fillet i ka shumë moti. Ndoshta s’e kemi ditur emrin, ndoshta s’e kemi ditur kuptimin me quajt saktë, por gjatë jetës që kulmon sot jo vetëm me ‘FemArtin’, por edhe me shumë punë tjera që bën ‘ArtPolisi’”.

Shfaqja e kthesës së madhe

Në vitin e Pavarësisë së Kosovës, Zana pas një shfaqjeje do të merrte vlerësimin dhe përkrahjen e aktivisteve e artisteve vendore e ndërkombëtare për të kanalizuar edhe më shumë energjinë për shndërrimin e shfaqjeve të saj në platforma publike të thirrjeve për të drejta të barabarta, pavarësisht pikëpamjeve e orientimeve për zhvillimin e shoqërisë.

“Bëra një shfaqje në vitin 2008 dhe një aktiviste suedeze feministe erdhi më uroi për shfaqjen që e kisha bërë me artistë nga krejt Ballkani – ishte viti i Pavarësisë së Kosovës – dhe erdhi më tha se arti yt është shumë feminist, dhe unë nuk e kuptoja se çfarë po më thotë”, thotë Hoxha në sallën e qendrës së saj artistike. “Dhe, mandej gjeta përkrahje nga aktiviste dhe Rrjeti i Grave, në veçanti nga Igballe Rugova që thanë se na duhen aktiviste si ti dhe në lëvizje gjeta shumë solidaritet dhe shumë përkrahje për artin tim që nuk ishte vetëm brenda teatrove, por edhe në punë me komunitetin”.

Edhe drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës e kujton bisedën e para 14 vjetësh kur do t’i jepte zemër regjisores së re.

“Shih, duke pasur parasysh se në vitet nëntëdhjetë na, si Motrat Qiriazi, dhe gjatë luftës kemi vepruar përmes artit, përmes shfaqjes, sepse ne kemi besuar dhe akoma besoj se mesazhi më i mirë për t’iu dhënë qytetarëve është përmes artit. Dhe kur e kam takuar Zana Hoxhën në atë kohë, ajo më ka fascinuar për idenë që ajo kishte për të punuar që përmes artit të jepte mesazhin”, thotë Rogova në zyrën e Rrjetit të Grave të Kosovës.

“Për shembull, unë mundem me dhanë vetëm një shembull. Shumë është punuar për të drejtën për trashëgimi, janë dhënë shumë të dhëna, por mënyra qysh e ka prezantuar Zana përmes një shfaqjeje dhe kanë shkuar në gjithë Kosovën se pse kanë gratë të drejtë në pasuri, dhe mënyra që pas shfaqjes pastaj të ketë debat, ka qenë më efektivja. Prandaj, vërtet është një mënyrë shumë e fortë dhe shumë e qëlluar se si vepron ‘ArtPolisi’ dhe Zana Hoxha përmes artit”.

Rogova thotë se e përbashkëta e aktivitetit qytetar e artistik të “Motrave Qiriazi” dhe ‘ArtPolisit’ është lidhja e drejtpërdrejtë me anëtarët e komunitetit, për të cilët kërkohet drejtësi e barazi shoqërore.

Përpjekjet e Zanës janë intensifikuar edhe më shumë në këtë drejtim pas themelimit të festivalit ‘FemArt’ më 2013. Nëpërmjet tij promovohen vlerat artistike dhe qytetare të grave. Edicioni i vjetëm u realizua fizikisht dhe online në kohën e masave kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Pjesët e realizuara në ambient të hapur nuk përbënin sfidë për mënyrën thuajse rutinore të punës së regjisores kosovare.

Slogani i shpresës

Slogani, lidhje e fortë ndërmjet sfidave të mëdha, por të ndryshme, ndërmjet dy dekadave. Puna e saj lidh përherë artin me aktivizmin qytetar.

“Solidaritet me gra dhe burra që i ka prekur më së shumti COVID-i, që kanë përjetuar dhunë, solidaritet me ato gra që kanë mbetur në rrugë, solidaritet me ato gra që nuk kanë zë, solidaritet me ato gra që ndoshta janë në shtëpi, por që kur e hapin TV-në e kanë të vetmen liri komunikimi”, thotë Hoxha në teatër.

Zyra e regjisores, nënë e tre fëmijëve, pasqyron atë që ajo e quan binom të angazhimit të saj publik nëpërmjet aktivizimit vullnetar dhe artit. Aty ka gjëra që i ngjallin copëza kujtimesh të jetës personale, por edhe mirënjohje e nderime kombëtare e ndërkombëtare për jetën profesionale.

“Vizioni jem e parasheh edhe këtë pjesën si artiste që mbron të drejtat e njeriut, një vizion që është në kundërshtim me një grup të caktuar. Ne e dimë se në art ka abuzim të të drejtave të grave, në art në përgjithësi”, thekson Hoxha. “Në Kosovë shumë pak flitet për abuzimet apo diskriminimin në art. Diskriminohen në pagesa, gjithashtu kemi pak gra që janë në krye të institucioneve, por që edhe kur gjinden në krye, shpesh veprojnë si burrat për shkak të patriarkatit dhe mentalitetit se ti, për me qenë e fuqishme, duhet me vepru njëjtë si një burrë para teje. Pra, ka shumë çështje që më kanë pru këtu jam”.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism” që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF dhe Ambasada Suedeze në Kosovë.)

Kampi i Artivisteve – ndikim artistik dhe holistik gjatë COVID

Qeniet njerëzore kanë vazhduar të krijojnë edhe në rrethanat më të çuditshme dhe të papërshtatshme, sepse procesi krijues është pjesë e gjenezës sonë dhe funksionimit bazik, prandaj edhe Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka organizuar kampin feminist me artiste dhe aktiviste kosovare nga etnitë dhe grupet e ndryshme për 4 ditë në fshatin Kukaj nga data 26- 29 Qershor, 2020. Edhe pse për herë të dytë, ky kamp bëri bashkë 25 gra “Art-iviste” për të krijuar vepra arti që shtjellojnë përvojat, rezistencën, sfidat, konfliktet, dhunën, qëndrueshmërinë dhe dashninë në kohë pandemie të shkaktuar nga virusi korona në mbarë botën.

Për katër ditë u treguan shumë histori, përjetime e emocione; u afruan me njëra tjetrën dhe zbuluam se ngjashmëritë nuk mungonin. Ato hasnin në to dhe lidheshin mes vete, dhe kjo u jepte fuqi por edhe frymëzim për të gjetur të tjera. Gjatë 4 ditëve janë mbajtur sesione pune grupore, ku ushtrime të lëvizjeve skenike, shkrimit kreativ dhe meditimit e çlirimit shpirtëror kanë ndihmuar artistet dhe aktivistet të shprehin më së miri përvojat e tyre dhe vizionin e tyre për shoqërinë. Përveç këtyre sesioneve u diskutuan, konstruktuan e dekonstruktuan edhe shumë koncepte e ide që i kanë ndihmuar grupit për t’i dhënë jetë skenës me performancat e tyre artistike.

Artistet dhe aktivistet e ndara në 4 grupe krijuan një lidhje shumë inspiruese e kreative mes vete dhe u bashkuan me ide e qëllime të përbashkëta që ndihmuan njëra tjetrën për realizmin e 4 performancave artistike që adresojnë e përkrahin qëllimet dhe çështjet sociale. Por, gjatë atyre ditëve çdo aktivitet e sesion ishte në funksion të krijimit dhe zhvillimit të shfaqjeve të tyre përtej kampit prandaj këto shfaqje do të përpunohen dhe zgjerohen për tu prezantuar gjatë Edicionit të tetë të festivalit Femart me 15-20 Tetor, 2020.

Kampi i Artisteve dhe Aktivisteve është lehtësuar nga Zana Hoxha – Regjisore, Robert Nuha – Koreograf dhe Shpëtim Selmani – Aktor dhe Poet.