Zana Hoxha

Zana Hoxha (e lindur në vitin 1981) është regjisore profesioniste teatri, themeluese dhe drejtore ekzekutive e Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, një organizatë që promovon artin dhe diversitetin përmes dialogut shoqëror dhe integrimit komunitar.

Ajo ka krijuar mbi 30 shfaqje teatrale që janë prezantuar në teatrot më të mëdha në Kosovë, në rajonin e Ballkanit, Angli, Francw, Turqi dhe gjithashtu ka prezantuar punën e saj si artiste/aktiviste/trajnere në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Puna e saj është vlerësuar lartë dhe ka fituar disa çmime ndër vite: Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” u shpërblye si shfaqja më e mirë për vitin 2020 nga Ministria e Kulturës së Kosovës, çmimi “Regjisorja më e Mirë” në festivalin “Teatri Shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, çmimi Grand Prix për shfaqjen më të mirë në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestival 2020; Shfaqja “Gjuetaret e Artemidës” u shpërblye në Etno Fest 2020 me dy çmime, Shfaqja më e Mirë dhe Performanca më e Mirë, ndërsa shfaqja “Copë Copë” në Etno Fest 2019 fitoi dy çmime: Regjisorja më e Mirë dhe Aktorja më e Mirë.

Zana ka qenë Drejtoreshë e Departamentit të Teatrit në festivalin SKENA UP gjatë viteve 2004-2011, Drejtore Artistike e Teatrit Profesionist gjatë viteve 2011-2014, si dhe themeluese dhe drejtore e organizatës ARTPOLIS dhe festivalit më të madh feminist në Ballkan për artiste dhe aktiviste, FEMART.

Ajo është përzgjedhur gjithashtu si pjesë e IVLP Alumna (Programi Ndërkombëtar për Vizitorë të Jashtëm në SHBA) dhe është fituese e shumë çmimeve për kontributin e saj si regjisore në Kosovë dhe rajon. Duke kombinuar artin dhe aktivizmin, ajo përdor teatrin si një mjet avokimi për të drejtat sociale, duke u fokusuar në ndërgjegjësimin për dhunën me bazë gjinore, të drejtat e njeriut dhe diversitetin.

Zana është Laureate e programit “Lideret e së Ardhmes” nga Ministria e Jashtme e Francës, për lidershipin e saj në barazinë gjinore, avokimin, përmirësimin social dhe të drejtat e grave.

Ajo është bursiste e Chevening dhe ka përfunduar masterin për Regji Teatri në LAMDA, Londër. Së fundmi, ajo ishte regjisore e shfaqjes teatrale “Revolt. She Said. Revolt Again” nga Alice Birch e cila u dha premiere dhe u prezentua në ORANGE TREE Theater në Richmond, Londër. Përveç kësaj, ajo drejtoi shfaqjen “Elektra”, një performancë e lindur nga bashkëpunimi mes Akademisë së Muzikës dhe Artit Dramatik në Londër (LAMDA) dhe Konservatorit të Athinës.

Gjatë vitit 2024 ajo ishte bashkëregjisore me Maja Mitic në shfaqjen teatrore “Gratë e Trojës”, teksa ka bërë dramaturgjinë e shfaqjes dans teatër “O Zot, O Zot, E Zoja Shpisë”.

Ajo është krenare që është pjesë e bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, ligjëruese dhe trajnere e specializuar në forum teatër, dhe mbështetëse e fuqizimit dhe emancipimit të aktivisteve gra.