Media: KTV
Titulli i storjes: Zëra të padëgjuar: “Gratë e Trojës” zërojnë rrëfimin e dhunimeve në luftë
Data: 10 nëntor 2024
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/zera-te-padegjuar-grate-e-trojes-zerojne-rrefimin-e-dhunimeve-ne-lufte
Nga: Col Mehmeti
Të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar. Me një dallim të shënueshëm prej veprës origjinale të Euripidit, ku perdet bien me vaje e tragjedi, kjo performancë sjell shpresë nëpërmjet ndërfutjes së momenteve me humor
Sot, shkrehja e thirrjeve kundër luftës mund të duket si gjëja më e lehtë për t’u bërë. Për fat të keq, ka raste e raste kur është si për dreq zor që të shquhet vija ndarëse mes zemëratës së njëmendët dhe gjakimit për të bërë kapital moral, shtirjes për drejtësi morale apo vetafirmimit egoist. Megjithëkëtë, kur thirrjet kundër luftës ngrihen mbi themele vuajtjesh njerëzore mes vigmash, çirrjesh e vajesh të pikëllimta, arti i madh e përshkon tejpërtej ndërgjegjen njerëzore. Mbi sfondin e së tashmes së tij me luftëra të kurrëmbarimta që po e pllakosnin Greqinë e shekullit të 5-të para erës sonë, Euripidi zëroi botën e brendshme copë-copë të grave fatkeqe dhe makthit të kudondodhur të luftës.
E krijuar në vitin e largmë 415 para erës sonë, drama Trōiades nuk sjell mejdanet heroike të Trojës, mësymjet plot dalldi kundër mureve e bedenave të saj, trillet e Zotave apo rrengjet e palëve të hasmuara. Përkundrazi, Hekuba, Kasandra, Andromaka, Helena dhe kori i grave të vrerosura janë heroinat tragjike në shkrumbnajën e luftës së hatashme. Fitues e humbës qëndrojnë njësoj përballë stivës me të vdekur, mes të cilëve janë edhe më të dashurit e tyre dhe gjithë ajo botë e shuar që duket sikur nuk ekzistoi askurrë. Nëpërmjet dramës së tij, Euripidi e rifrymëtoi të kaluarën homerike, madje anën më të errët të saj, për të aluduar tek e tashmja e zymtë dhe lemeritëse ku poliset greke, të zhytura në luftëra ndërmjet vete, po i skalisnin vetes një epitaf turpi.
Troja e lashtë, Troja moderne
Vepra antiluftë e Euripidit ka rezonime të gjithëkohshme e të gjithëbotshme, por rimbushja e saj me gjuhë të re, me zëra të rinj e prekje bashkëkohore është një grishje e fortë që të ulesh, posi teatërdashësit e dikurshëm athinas me rastin e Dionisisë, e të shohësh produksionin më të ri të Euripidit. Ndjesi të tilla shpërvilen edhe në performancën teatrore “Gratë e Trojës” e bashkëregjisoruar nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić, që për të dytin vit me radhë u shfaq në Teatrin Dodona në Prishtinë. Me fillesë nga një proces krijues bashkëpunimi mes Prishtinës e Beogradit, shfaqjet e saj për dy mbrëmje me radhë, më 5 dhe 6 nëntor, vunë në pah një stërhollim performimi nga artistët e trupës së “Artpolisit” dhe kolegëve të tyre nga Serbia.
Qysh më 1965, Sartri pati bërë një përshtatje të kësaj drame kurdoherë të re, e cila qëlloi të ishte protestë e fuqishme kundër luftës në Algjeri. Së fundmi, shkrimtari e aktori Shpëtim Selmani e sipërmori këtë sprovë kaq të vështirë, pra duke i dhënë një shije lokale e një jeh gjithandej botës. Teksti i tij e ruan kuadrin origjinal me zota e vdekatarë, e megjithatë përditësimi i tij dramaturgjik rezonon gjerë e gjatë në realitetet e ditëve tona.
Nëpërmjet zërave të personazheve femra që janë kurthuruar në mynxyrën e vet – si puna e Hekubesë gjëmëmadhe, Andromakës fatkeqe, Kasandrës fatthënëse e Helenës sfiduese – ai shtjell dhembjen e pareshtur të Kosovës me britmat, vajet e vuajtjet e 20 mijë grave që ishin viktima të dhunimit gjatë luftës.
“Familjet e lumtura janë që të gjitha të njëjta; secila familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet”, ishin fjalët e Tolstoit, me të cilat e hap romanin e tij mbi zhbërjen psikologjike të heroinës së tij moderne, Ana Karenina. Këto fjalë disi mund të përshtaten edhe këtu për të thënë se çdo dhembje njerëzore ka një shenjë unike, që kërkon përpjekje për ta kapur botën e brendshme të zhbërjes e rrënimit psikologjik që shpesh kalon i pazë.
Derisa στιχομυθία (stikhomythia) e origjinalit euripidian flet me gjuhë moderne, ai sakaq merr fuqi kundër luftës e mizorive të saj. Kjo më së miri gjen shprehje nëpërmjet monologëve të Selmanit (i cili, njashtu, është pjesë e kastit të shfaqjes). Kapërthurja e dy kohërave të ndryshme është drejtpeshuar mjeshtërisht me anë të thyerjeve të “murit të katërt” dhe referencave të herëpashershme moderne: “E gjithë bota është Troja jonë e lashtë dhe Troja juaj moderne. Mijëra kuaj, jo prej druri, por prej çeliku… fluturojnë. Pegasusë të hekurt që hedhin bomba andej e këndej”.
Të gjallët vuajnë
Përtej aspekteve të saj teknike, performanca si sipërmarrje është larg më kërkuese sesa që mund të pritet. Përveç sfidave të një fqinjësie ende të vështirë me plot smira, paragjykime e armiqësira, “Gratë e Trojës” u përballën edhe më një problem shtesë. Vallë dy gjuhët e shfaqjes, shqipja e serbishtja, do të shkonin mirë me njëra-tjetrën? Si produksion dygjuhësh, puna e dy regjisoreve Zana Hoxha dhe Maja Mitić meriton veçse lëvdata. Dygjuhësia shkrihet kaq sublimisht me ndërveprimin e një kasti të zgjedhur me aktorë si Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski. Andaj, mund të thuhet lirshëm se as audienca vendore e as ajo e huaj nuk mund të vërë re ndonjë inkonsistencë.
Janë dy detaje skenografike që e kanë hak vlerësimin: në skenën e hapjes, janë improvizuar valë deti, nga të cilat del Poseidoni që vajton rënien e Trojës. E gërshetuar me efektet zëruese nga gjëmimi i valëve të detit, kjo përfton ndjesinë e një pashprese të plotë përballë provanisë së pashpirt e memece që i ka braktisur vdekatarët. Gjatë performancës, herë pas here shfaqen edhe pendla që pezullojnë në ajër, një element ky që përpuqet me fytyrat pikë e vrer të grave fatkeqe, duke e theksuar brishtësinë e jetës së tyre. Ç’është e vërteta, këto janë strategji të mrekullueshme regjisoriale që shfrytëzojnë elemente të tilla për të vënë në spikamë përpjekjet vigane të grave kundër forcave të gjithëfuqishme.
Në origjinalin grek, thuajse secili deklamim i personazheve femra përmban shpërthime dhembjeje e pikëllimi (në origjinal ka pa fund raste vajtimesh si aiaí aiaí, ottototototoí, ió ió, aiaí, dhe é é, të cilat, në kohën e Euripidit, ishin evokime realiste nga jeta e përditshme). Sado që agonia e këtyre grave fatprera pezullon në ajër, performanca si tërësi është një ndërlojë e bukur mes dialogësh të goditur, një skene të thjeshtë por tërheqëse, dhe muzikës, e cila kap gjendjet kontrastuese e të ndryshueshme të personazheve.
Është një lojë që bën tok vargje euripidiane me evokime krejt moderne, duke e theksuar fatin e gjëmshëm të 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Kjo ndërdyshje mendore e fizike më së miri jepet nga Andromaka: “Ata më detyruan të jetoj”.
Ngjan shpesh, sidomos në momente agonie, që të dalin në sipërfaqe shpërthime të thella ekzistencialiste: “Vetëm të vdekurit nuk ndiejnë dhembje”. Aty ku Euripidi vetëm me ngurrim shfaqte ndonjë kundërvënie ndaj Zotave për shpërfilljen e tyre, kjo performancë nga Prishtina plot guxim e pa fije frike thotë që vetë feja është fabrikë dhune. Bota e rrënuar e Trojës ka viktima andej e këndej, por të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar.
Me një dallim të shënueshëm prej veprës origjinale të Euripidit, ku perdet bien me vaje e tragjedi, kjo performancë sjell shpresë nëpërmjet ndërfutjes së momenteve me humor. Ky është një tjetër shembull i thyerjes së “murit të katërt” kur autori dhe aktori, Shpëtim Selmani, rijetëson një skenë që ngjan aq shumë me “Deconstructing Harry” të Woody Allenit: si nga hiçi, ai përballet sy me sy me personazhet e tij reale, nga jeta e përditshme, plot me rrebe, që i ankohen për fatet që ai ua shortoi atyre. Ka shpresë, prandaj, ka edhe jetë!