Category

Teatër

Gratë e Trojës – Një Rrëfim i Përjetshëm për Luftën dhe Qëndresën

Më 5 nëntor 2024, premiera e shfaqjes “Gratë e Trojës” u mbajt në Teatrin Dodona në Prishtinë, e ndjekur nga repriza më 6 nëntor. Kjo vepër e fuqishme teatrale, me regji nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić, solli në skenë një ripërpunim feminist të tragjedisë së Euripidit, duke ndriçuar traumat e përhershme të luftës dhe qëndresën e grave që ballafaqohen me tmerret e saj.

Pas prezantimeve në Prishtinë, Gratë e Trojës udhëtoi drejt Beogradit, ku u shfaq më 22 dhe 23 nëntor 2024 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor (CZKD). Gjatë katër prezantimeve, mbi 370 spektatorë përjetuan një produksion që shndërroi skenën në një hapësirë reflektimi, zie dhe rezistence. Në një botë që ende dëshmon shkatërrimin në Gaza dhe Ukrainë, kjo shfaqje ngjalli emocione të thella, duke shërbyer si pasqyrë e historisë dhe thirrje për paqe.

Me një qasje regjisoriale bashkëkohore, shfaqja ndërthur rrëfimet nga Troja e lashtë me zonat moderne të luftës—nga Ballkani i viteve ’90, Somalia, e më gjerë. Gratë e Trojës kujton se lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve; plagët e saj mbeten të hapura për breza të tërë. Kjo vepër fuqizon zërat e grave që, përgjatë historisë, kanë përjetuar zhvendosjen, humbjen dhe shtypjen, por që vazhdojnë të luftojnë për dinjitet dhe drejtësi.

Figurat e Hekubës, Kasandrës dhe Andromakës tejkalojnë kufijtë e tragjedisë antike, duke mishëruar vuajtjet e grave të sotme. Ato janë nëna që vajtojnë bijtë e tyre, bija të privuara nga e ardhmja dhe gra të detyruara në mërgim. Në luftë, ato shpesh shihen jo si të mbijetuara, por si plaçkë—e megjithatë, zërat e tyre, që jehonin dikur në lashtësi, kërkojnë të dëgjohen edhe sot.

Shfaqja u realizua në gjuhën shqipe dhe serbe, me titra në anglisht, dhe solli në skenë një kast të talentuar aktorësh: Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski.

Një bashkëpunim mes Artpolis dhe Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Gratë e Trojës u mundësua me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Megjithatë, përmbajtja e shfaqjes mbetet përgjegjësi ekskluzive e Artpolis dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Më shumë se një shfaqje teatrore, Gratë e Trojës është një kujtesë, një ballafaqim dhe një thirrje—një testament për qëndresën e shpirtit njerëzor përballë mizorisë së pamëshirshme të luftës.

Gratë ballkanase vënë në skenë dramën e lashtë greke për të dënuar vuajtjet e grave në luftë

Media: Freance24; Teelegrafi.com
Titulli i storjes: Gratë ballkanase vënë në skenë dramën e lashtë greke për të dënuar vuajtjet e grave në luftë
Data: 23 nëntor 2024
Linku: https://telegrafi.com/afp-grate-ballkanase-vene-ne-skene-dramen-e-lashte-greke-per-te-denuar-vuajtjet-e-grave-ne-lufte/

Mediumi i njohur francez AFP, i ka dedikuar një artikull, dy grave ballkanase, njëra kosovare dhe tjetra serbe, për adaptimin e një tragjedie të lashtë greke që vë theksin jo tek shkatërrimi që lufta iu shkakton grave, por tek aftësia e grave për t’u shëruar e rezistuar.

Bëhet fjalë për veprën e njohur “Gratë Trojane”, tragjedi e shkruar nga Euripidi, e shfaqur për herë të parë në vitin 415 para Krishtit dhe kjo vepër është një dënim i ashpër i mizorive të luftë. Tragjedia fokusohet në mjerimin dhe padrejtësitë që përjetojnë gratë e Trojës pas konfliktit ndërmjet popullit të tyre dhe grekëve.

Tani, kjo vepër e lashtë greke është adaptuar nga dy artistet  Zana Hoxha (që vjen nga Kosova) dhe Maja Mitic (që vjen nga Serbia) dhe është shfaqur në Prishtinë dhe Beograd.

Versioni i Hoxhës dhe Mitic, për sa i përket veprës, ka një fokus të veçantë, shkruan AFP.

“Në versionin tonë, ne ecim përpara duke u kujdesur gjithashtu për njëra-tjetrën, duke gjetur mënyra për të shpëtuar fëmijët tanë”, ka deklaruar Hoxha e cila është regjisore e shfaqjes “Gratë e Trojës”.

“Kjo tregon se në mes të konfliktit dhe luftës, në mes të urrejtjes, gratë janë ato që gjejnë mënyra për të rezistuar”.

Siç shkruan AFP, ky adaptim i veprës i jep jehonë diskutime të pafundme ndërmjet politikanëve [burra] të Serbisë dhe Kosovës, të cilët një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, ende nuk kanë arritur një paqe të qëndrueshme. Gratë në këtë rast, negociojnë në skenën e dizajnuar me seriozitet.

Si kosovare dhe regjisore feministe, Hoxha e cila “ende ka kujtime të hidhura nga lufta”, ajo deklaroi për mediumin se “ishte e rëndësishme ta realizonin këtë shfaqje, sepse fatkeqësisht është shumë relevante edhe sot”.

PËRTEJ GJUHËS

Në dramën e Euripidit, gratë e Trojës martohen dhunshëm me armiqtë e tyre, vriten dhe sakrifikohen mbi varret e burrave që ranë në betejë.

Ato janë viktimat e luftës që pason.

“Kjo histori duhej të tregohej nga dy gra”, thotë Mitic, e cila është bashkë-regjisore e Hoxhës.

“Burrat, ata bëjnë luftërat… Pasojat bien mbi gratë dhe fëmijët e tyre”, u shpreh ajo.

Mitic e portretizon Hekubën, ish-mbretëreshën e Trojës, së cilës fëmijët i sakrifikohen, njëri pas tjetrit, për shkak të marrëzive të luftës.

Ajo reciton tekstin e Euripidit në gjuhën serbe, derisa Taltibi, që vjen për t’i njoftuar gratë për fatin e tyre, përgjigjet në shqip.

Përkthimi në anglisht shfaqet në murin mbrapa.

Ajo që me të vërtetë është në një moment në këtë shfaqje, shikuesit nuk mund të dallojnë më gjuhët e ndryshme, sepse siç shkruan AFP, dhimbja është universale.

“Marëdhënia, emocionet që këta aktorë janë në gjendje t’i bartin, janë më të rëndësishme se barrierat gjuhësore”, u shpreh Hoxha.

“ARTI KA FUQI”

Dhe, pavarësisht nëse flasin serbisht, shqip ose anglisht, shkruan AFP, gratë trojane i bëjnë audiencat të reflektojnë dhe t’i zemërojnë.

“Edhe personazhet tona janë të zemëruara”, shpjegon Hoxha. “Thonë, ‘mjaft më, nuk e duam më këtë’. “Pse po vuajmë? Pse duhet që Kasandra të ekzistojë ende sot? Pse Andromaka duhet të humbasë fëmijën e saj?”.

Në një moment të shfaqjes, Andromaka thotë se dëshiron të mund të ecë lirshëm me burrin dhe djalin e saj, pa u ndjerë e kërcënuar në rrugë, kujton Hoxha. Kjo ndjesi mbetet e pandryshuar për gratë sot, sipas saj.

“Ka vetëm disa vende në botë ku ndihem plotësisht e sigurt për të qenë vetvetja. Ne po përpiqemi ta ndryshojmë këtë”, shtoi ajo. “Nuk mendoj se shfaqja vet mund ta bëjë këtë. Por, arti e ka fuqinë të të sjellë diçka që ndoshta nuk e kishe ditur as që ekzistonte”.

Theksi në adaptimin e Hoxhës dhe Mitic mbi rëndësinë universale të shqetësimeve të protagonistëve shtrihet edhe në zgjedhjen e kostumeve të tyre.

Personazhet janë të veshur në lëkurë të zezë dhe çizme deri te kyçet e këmbës — një uniformë që mund t’i përkasë çdo ushtrie në botë.

Po ashtu, Hekuba mund të jetë çdo nënë që vajton kudo në botë.

Është një histori për gratë dhe luftën “në çdo pjesë të botës, në çdo shekull, në çdo kulturë, në çdo fe”, tha Mitic.

“Kjo është historia që Euripidi e shkroi shekuj më parë, por në fakt ne shohim përsëritjen e të njëjtit model gjatë luftës, pas luftës – përdhunime, kriminelë, gjithçka. Ajo që shohim në këtë shfaqje, e shohim vërtet (sot) në Ukrainë, Gaza, ose në Kosovë, Bosnje, ose kudo ku ndodhin konflikte, përfshirë Somalinë dhe Sudanin”, tha Mitic. /Telegrafi/

Zëra të padëgjuar: “Gratë e Trojës” zërojnë rrëfimin e dhunimeve në luftë

Media: KTV
Titulli i storjes: Zëra të padëgjuar: “Gratë e Trojës” zërojnë rrëfimin e dhunimeve në luftë
Data: 10 nëntor 2024
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/zera-te-padegjuar-grate-e-trojes-zerojne-rrefimin-e-dhunimeve-ne-lufte

Nga: Col Mehmeti

Të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar. Me një dallim të shënueshëm prej veprës origjinale të Euripidit, ku perdet bien me vaje e tragjedi, kjo performancë sjell shpresë nëpërmjet ndërfutjes së momenteve me humor

Sot, shkrehja e thirrjeve kundër luftës mund të duket si gjëja më e lehtë për t’u bërë. Për fat të keq, ka raste e raste kur është si për dreq zor që të shquhet vija ndarëse mes zemëratës së njëmendët dhe gjakimit për të bërë kapital moral, shtirjes për drejtësi morale apo vetafirmimit egoist. Megjithëkëtë, kur thirrjet kundër luftës ngrihen mbi themele vuajtjesh njerëzore mes vigmash, çirrjesh e vajesh të pikëllimta, arti i madh e përshkon tejpërtej ndërgjegjen njerëzore. Mbi sfondin e së tashmes së tij me luftëra të kurrëmbarimta që po e pllakosnin Greqinë e shekullit të 5-të para erës sonë, Euripidi zëroi botën e brendshme copë-copë të grave fatkeqe dhe makthit të kudondodhur të luftës.

E krijuar në vitin e largmë 415 para erës sonë, drama Trōiades nuk sjell mejdanet heroike të Trojës, mësymjet plot dalldi kundër mureve e bedenave të saj, trillet e Zotave apo rrengjet e palëve të hasmuara. Përkundrazi, Hekuba, Kasandra, Andromaka, Helena dhe kori i grave të vrerosura janë heroinat tragjike në shkrumbnajën e luftës së hatashme. Fitues e humbës qëndrojnë njësoj përballë stivës me të vdekur, mes të cilëve janë edhe më të dashurit e tyre dhe gjithë ajo botë e shuar që duket sikur nuk ekzistoi askurrë. Nëpërmjet dramës së tij, Euripidi e rifrymëtoi të kaluarën homerike, madje anën më të errët të saj, për të aluduar tek e tashmja e zymtë dhe lemeritëse ku poliset greke, të zhytura në luftëra ndërmjet vete, po i skalisnin vetes një epitaf turpi.

Aty ku Euripidi vetëm me ngurrim shfaqte ndonjë kundërvënie ndaj Zotave për shpërfilljen e tyre, kjo performancë nga Prishtina plot guxim e pa fije frike thotë që vetë feja është fabrikë dhune. Bota e rrënuar e Trojës ka viktima andej e këndej, por të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar
 

Troja e lashtë, Troja moderne

Vepra antiluftë e Euripidit ka rezonime të gjithëkohshme e të gjithëbotshme, por rimbushja e saj me gjuhë të re, me zëra të rinj e prekje bashkëkohore është një grishje e fortë që të ulesh, posi teatërdashësit e dikurshëm athinas me rastin e Dionisisë, e të shohësh produksionin më të ri të Euripidit. Ndjesi të tilla shpërvilen edhe në performancën teatrore “Gratë e Trojës” e bashkëregjisoruar nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić, që për të dytin vit me radhë u shfaq në Teatrin Dodona në Prishtinë. Me fillesë nga një proces krijues bashkëpunimi mes Prishtinës e Beogradit, shfaqjet e saj për dy mbrëmje me radhë, më 5 dhe 6 nëntor, vunë në pah një stërhollim performimi nga artistët e trupës së “Artpolisit” dhe kolegëve të tyre nga Serbia. 

Qysh më 1965, Sartri pati bërë një përshtatje të kësaj drame kurdoherë të re, e cila qëlloi të ishte protestë e fuqishme kundër luftës në Algjeri. Së fundmi, shkrimtari e aktori Shpëtim Selmani e sipërmori këtë sprovë kaq të vështirë, pra duke i dhënë një shije lokale e një jeh gjithandej botës. Teksti i tij e ruan kuadrin origjinal me zota e vdekatarë, e megjithatë përditësimi i tij dramaturgjik rezonon gjerë e gjatë në realitetet e ditëve tona. 

Nëpërmjet zërave të personazheve femra që janë kurthuruar në mynxyrën e vet – si puna e Hekubesë gjëmëmadhe, Andromakës fatkeqe, Kasandrës fatthënëse e Helenës sfiduese – ai shtjell dhembjen e pareshtur të Kosovës me britmat, vajet e vuajtjet e 20 mijë grave që ishin viktima të dhunimit gjatë luftës. 

“Familjet e lumtura janë që të gjitha të njëjta; secila familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet”, ishin fjalët e Tolstoit, me të cilat e hap romanin e tij mbi zhbërjen psikologjike të heroinës së tij moderne, Ana Karenina. Këto fjalë disi mund të përshtaten edhe këtu për të thënë se çdo dhembje njerëzore ka një shenjë unike, që kërkon përpjekje për ta kapur botën e brendshme të zhbërjes e rrënimit psikologjik që shpesh kalon i pazë. 

Derisa στιχομυθία (stikhomythia) e origjinalit euripidian flet me gjuhë moderne, ai sakaq merr fuqi kundër luftës e mizorive të saj. Kjo më së miri gjen shprehje nëpërmjet monologëve të Selmanit (i cili, njashtu, është pjesë e kastit të shfaqjes). Kapërthurja e dy kohërave të ndryshme është drejtpeshuar mjeshtërisht me anë të thyerjeve të “murit të katërt” dhe referencave të herëpashershme moderne: “E gjithë bota është Troja jonë e lashtë dhe Troja juaj moderne. Mijëra kuaj, jo prej druri, por prej çeliku… fluturojnë. Pegasusë të hekurt që hedhin bomba andej e këndej”.

Të gjallët vuajnë

Përtej aspekteve të saj teknike, performanca si sipërmarrje është larg më kërkuese sesa që mund të pritet. Përveç sfidave të një fqinjësie ende të vështirë me plot smira, paragjykime e armiqësira, “Gratë e Trojës” u përballën edhe më një problem shtesë. Vallë dy gjuhët e shfaqjes, shqipja e serbishtja, do të shkonin mirë me njëra-tjetrën? Si produksion dygjuhësh, puna e dy regjisoreve Zana Hoxha dhe Maja Mitić meriton veçse lëvdata. Dygjuhësia shkrihet kaq sublimisht me ndërveprimin e një kasti të zgjedhur me aktorë si Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski. Andaj, mund të thuhet lirshëm se as audienca vendore e as ajo e huaj nuk mund të vërë re ndonjë inkonsistencë. 

Janë dy detaje skenografike që e kanë hak vlerësimin: në skenën e hapjes, janë improvizuar valë deti, nga të cilat del Poseidoni që vajton rënien e Trojës. E gërshetuar me efektet zëruese nga gjëmimi i valëve të detit, kjo përfton ndjesinë e një pashprese të plotë përballë provanisë së pashpirt e memece që i ka braktisur vdekatarët. Gjatë performancës, herë pas here shfaqen edhe pendla që pezullojnë në ajër, një element ky që përpuqet me fytyrat pikë e vrer të grave fatkeqe, duke e theksuar brishtësinë e jetës së tyre. Ç’është e vërteta, këto janë strategji të mrekullueshme regjisoriale që shfrytëzojnë elemente të tilla për të vënë në spikamë përpjekjet vigane të grave kundër forcave të gjithëfuqishme.

Në origjinalin grek, thuajse secili deklamim i personazheve femra përmban shpërthime dhembjeje e pikëllimi (në origjinal ka pa fund raste vajtimesh si aiaí aiaí, ottototototoí, ió ió, aiaí, dhe é é, të cilat, në kohën e Euripidit, ishin evokime realiste nga jeta e përditshme). Sado që agonia e këtyre grave fatprera pezullon në ajër, performanca si tërësi është një ndërlojë e bukur mes dialogësh të goditur, një skene të thjeshtë por tërheqëse, dhe muzikës, e cila kap gjendjet kontrastuese e të ndryshueshme të personazheve. 
Është një lojë që bën tok vargje euripidiane me evokime krejt moderne, duke e theksuar fatin e gjëmshëm të 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Kjo ndërdyshje mendore e fizike më së miri jepet nga Andromaka: “Ata më detyruan të jetoj”. 

Ngjan shpesh, sidomos në momente agonie, që të dalin në sipërfaqe shpërthime të thella ekzistencialiste: “Vetëm të vdekurit nuk ndiejnë dhembje”. Aty ku Euripidi vetëm me ngurrim shfaqte ndonjë kundërvënie ndaj Zotave për shpërfilljen e tyre, kjo performancë nga Prishtina plot guxim e pa fije frike thotë që vetë feja është fabrikë dhune. Bota e rrënuar e Trojës ka viktima andej e këndej, por të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar. 

Me një dallim të shënueshëm prej veprës origjinale të Euripidit, ku perdet bien me vaje e tragjedi, kjo performancë sjell shpresë nëpërmjet ndërfutjes së momenteve me humor. Ky është një tjetër shembull i thyerjes së “murit të katërt” kur autori dhe aktori, Shpëtim Selmani, rijetëson një skenë që ngjan aq shumë me “Deconstructing Harry” të Woody Allenit: si nga hiçi, ai përballet sy me sy me personazhet e tij reale, nga jeta e përditshme, plot me rrebe, që i ankohen për fatet që ai ua shortoi atyre. Ka shpresë, prandaj, ka edhe jetë!

Shfaqja ‘Gratë e Trojës’, thirrjet shqip e serbisht që shkundën skenën e “Dodonës” në kërkim të paqes

Media: Kallxo.com
Titulli i storjes: Shfaqja ‘Gratë e Trojës’, thirrjet shqip e serbisht që shkundën skenën e “Dodonës” në kërkim të paqes
Data: 07 nëntor 2024
Linku: https://kallxo.com/kulture/shfaqja-grate-e-trojes-thirrjet-shqip-e-serbisht-qe-shkunden-skenen-e-dodones-ne-kerkim-te-paqes/

Nga: Isa Vatovci

Historia më tragjike e pushtimit dhe shkatërrimit të Trojës antike pasqyrohet me robërimin e grave trojane nga grekët; mbretëreshës Hekuba, Kasandrës, Poliksenës e Andromakës.

Të përjetësuar me tragjedinë “Gratë e Trojës”, të shkruar nga Euripidi, pas fundit të Trojës ato ndahen nga mbretërit e princërit grekë si plaçkë lufte-robëresha.

Kjo histori e dhimbshme i ka shërbyer Qendrës për Arte dhe Komunitete, “Artpolis” dhe një grupi artistësh nga Beogradi (Serbi) për të krijuar shfaqjen “Gratë e Trojës”, duke treguar se dhimbja dhe realiteti trojan vazhdon të jetojë edhe në kohën tonë.

Me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitiq (Maja Mitić), dhe me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, “Gratë e Trojës” është shfaqur të martën më 05.11.2024, në Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

E inskenuar nga aktorë shqiptarë e serbë, “Gratë e Trojës” shpalosi vuajtjet e grave pas luftës, duke nxjerrë në pah dhunën edhe brutalitetin ndaj tyre.

E veçanta e shfaqjes është se aktorët shqiptarë flasin shqipe, ndërsa ata serbë serbisht, gjatë gjithë shfaqjes, të titruar në gjuhën angleze.

Shfaqja sjell përmes qasjes feministe ndjeshmërinë dhe qëndresën e grave përballë terrorit të luftë, nga Greqia antike e deri në ditët e sotme, ku luftërat po bëjnë kërdi. Gratë trojane udhëtojnë në kohë duke ri-sjellë tragjedinë e grave të që kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, luftën në Gaza, Ukrainë, e gjetiu. Shfaqja bën thirrje për paq dhe fundin e konflikteve në botë, një thirrje që mori duartrokitjet e publikut.


Pamje nga shfaqja “Gratë e Trojës”. Foto: KALLXO.com.

“Troja, metafora për krimet e sotme”

Aktorja serbe, Maja Mitiq, tha për KALLXO.com se “Gratë e Trojës” flet rreth luftës, që në këtë moment po ndodhë në Gaza ose në Somali, apo luftës gjatë vitet e të ‘90-ta në Ballkan, në ish-Jugosllavi. Ajo thotë se arti duhet të fitojë përballë luftës.

“Ndjehem sikur gjithmonë arti duhet të fitojë, jo lufta dhe jo vrasja, përdhunimi, kush e di sa artistë në këto kohë nga Gaza apo Ukraina që janë emigrantë. Ne mendojmë për këta njerëz, janë nga lufta, janë emigrantë dhe kjo është arsyeja pse e pyes skenaristin, pse nuk i keni përfshirë edhe disa zota nga mitologjia greke që mund t’i mbronin pak, ndoshta do të mund t’i ndalnim këto luftëra që po ndodhin”- thotë Mitiq, e cila është edhe bashkëregjisore e shfaqjes, “Gratë e Trojës”.

Mitiq thotë se “Gratë e Trojës” do të shfaqet 22 dhe 23 nëntor (2024) në Qendrën për dekontaminim Kulturor në Beograd. Sipas saj, është e vështirë të sjellësh narrativat e luftës përmes artit. Por, siç thotë, janë tema të rëndësishme për ndryshimin e shoqërisë. “Unë zakonisht po zgjedh tema që janë të rëndësishme për ndryshimin e shoqërisë, sepse besoj se mund të bëj ndryshim”- tha Mitiq.

Aktori Shpëtim Selmani, që ka dramatizuar tekstin modern të shfaqjes, tha për KALLXo.com, se qëllimi i shfaqjes është që tw tregohet se Troja ekziston edhe në ditët e sotme.

“Ideja e shfaqjes është të tregojmë se vuajtja e grave ekziston ende, që sot ende ekziston Troja, në vendet të ndryshme ku ka luftëra, histori që janë të ngjashme me tragjeditë e lashta greke, jemi mbështet te vepra e Euripidit, ‘Gratë e Trojës’, e kemi bërë një gërshëtim me konflikte aktuale dhe i kemi lidhur situata”- tha ai.


Pamje nga shfaqja “Gratë e Trojës”. Foto: KALLXO.com.

Sfida e dygjuhësisë

Regjisorja Zana Hoxha, tha për KALLXO.com se shfaqja “Gratë e Trojës” është rezultat i një procesi të gjatë punë. “Nuk ka qenë lehtë, gati një vit gjysmë, është një prej proceseve më të vështira që i kam bërë në jetë”- tha ajo. Hoxha tha se shfaqja edhe pse bazohet në një prej tragjedive greke, flet për realitetin e sotëm. “S’kam dashur me i ik asaj çfarë po ndodhë, nuk kam mund me realizua ‘Grat e Trojës” pa e aktualizuar, pa dhënë një pjesë të Kosovës, Gazës, e asaj çfarë po ndodhë sot në botë”- tha Hoxha

Por, sfidë për të ka qenë realizmi i një shfaqje ku aktorët shqiptarë flasin shqip, ndërsa ata serbë serbisht, gjatë gjithë shfaqjes. Por, spas saj, ky është një hap historik. “Natyrisht, ka qenë sfiduese me punua në dy gjuhë se asnjë aktorë nuk e ka ditë gjuhën e serbe, ose aktorët serbë gjuhën shqipe. Vetëm unë i kam ditë të dyja gjuhët dhe ndonjëherë i jepja indikacionet në të tri gjuhët, shqipe, anglisht, serbisht”- ka thënë ajo.

Shfaqja “Gratë e Trojës”, sipas regjisores Hoxha do të shfaqet në Beograd në Serbi, më 22 dhe 23 nëntor (2024). Ndërsa tashmë regjisorja Hoxha ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Itali për vitin e ardhshëm (2025).

SHFAQJA TEATRORE “REVOLTË. AJO THA. REVOLTOHU SËRISH.”

“Revoltë. Ajo Tha. Revoltohu Sërish.”, shkruar nga Alice Birch dhe me regji nga Zana Hoxha, është një analizë e mprehtë, e zgjuar dhe e thellë mbi çfarë do të thotë të jesh grua, e interpretuar nga një kast tërësisht gra, duke përfshirë Natalia May, Xixi Xiao, Tanaka Mpofu dhe Olive McHugh.

Bota jonë post-apokaliptike, e dizajnuar nga Grace Rumsey, ri-imagjinon rregullat dhe traditat e mëparshme që çuan shoqërinë tonë drejt fundit. Ajo ngre pyetjen: Çfarë na ndalon të bëjmë diçka me të vërtetë radikale për të shpëtuar të ardhmen tonë? Revoluciononi gjuhën, Revoluciononi botën. Revoluciononi punën. Revoluciononi trupin. Gjallërohuni!

pati premierën e saj më 5 shtator në Greenhouse Festival, Londër. Deri tani, është shfaqur katër herë, përfshirë edhe më 28 shtator, 2024 në edicionin e 12-të të Festivalit FemArt.

Dramaturge: Alice Birch

Regjisore: Zana Hoxha

Aktore: Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao, Natalia May

Skenografia dhe Kostumet: Grace Rumsey

Dizajnere Ndriçimi: Ghoti Fisher

Dizajneri i Zërit: Aidan Gibson

Koreografe: Kristin Fredrickson

Konsulente për Instrumentet: Julia Deng Hanzu

Menaxhere e Skenës: Ace Turner

Asistente e Skenografisë dhe Kostumeve: Xiaomin Fan

Produksioni: LAMDA dhe Orange Tree Theatre

Për më tepër mbi shfaqjen lexoni këto analiza:

Nga Simon Jenner: https://zanahoxha.com/revolt-she-said-revolt-again-recension-nga-simon-jenner/?lang=sq

Nga Shqipe Malushi: https://femart-ks.com/sq/revolt-she-said-revolt-again/

Nga Gili Hoxhaj: https://femart-ks.com/sq/revolte-ajo-tha-revoltohu-serish-hapi-rruge-per-veprim-permes-teatrit//

“Revolt. She Said. Revolt Again.”

Nga: Shqipe Malushi

28 Shtator 2024 | 21:00-22:10 | Teatri Oda, Prishtinë

Shkruar nga: Alice Birch | Regjisore: Zana Hoxha | Aktoret: Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao, Natalia May | Prodhim i: Akademisë së Muzikës dhe Dramës në Londër (LAMDA)

Më 28 Shtator 2024, Zana Hoxha solli për herë të parë në Kosovë pjesën teatrore të Alice Birch, “Revolt. She Said. Revolt Again”, në Teatrin Oda gjatë Festivalit FemArt 12. Shfaqja, e cila pati premierën e saj së fundmi në Teatrin Orange Tree në Londër, u prodhua nga LAMDA dhe mahniti edhe publikun në Prishtinë, ku shumë njerëz u ulën edhe në dysheme për shkak të pjesëmarrjes së madhe. Mes publikut ishte edhe Ambasadori Britanik, i cili përgëzoi personalisht regjisoren dhe aktoret.

“Revolt. She Said. Revolt Again” sfidon idetë tradicionale se si gratë duhet të sillen, duke përdorur një seri skenash të guximshme dhe provokuese për të vënë në dyshim gjuhën, marrëdhëniet, punën dhe normat e përditshme. Shkrimi i Alice Birch dekonstruon këto pritshmëri shoqërore, duke i rimagjinuar ato në mënyra të guximshme. Regjia e Hoxhës e çon këtë më tej, duke përmbysur veprimet dhe fjalët e zakonshme, nga simbolika e propozimeve për martesë deri te rishikimi i nënës, plakjes dhe dashurisë.

Pjesa reflekton idenë se “gratë e sjellshme rrallëherë bëjnë histori” dhe nxjerr në pah gjuhën kufizuese që ka kontrolluar gratë për shekuj me radhë. Zana Hoxha thekson këtë, duke u lejuar aktoreve të eksplorojnë fjalët dhe veprimet në mënyra që sfidojnë teatrin tradicional. Gratë, të luajtura nga McHugh, Mpofu, Xiao dhe May, shfaqin një seri emocionesh të papërpunuara, shpesh të pakëndshme, duke e bërë audiencën të reflektojë mbi kufizimet shoqërore të thelluara. Një skenë mbresëlënëse, ku një grua përfshihet me një shalqi të thyer, sfidon kufijtë e intimitetit dhe vetë-eksplorimit, duke provokuar audiencën të përballet me rezervat e saj mbi lirinë.

Pjesa është e ndarë në tre pjesë, secila duke eksperimentuar me teknika të ndryshme tregimi. Në një skenë të paharrueshme, katër gra nga gjenerata të ndryshme përballen në heshtje me audiencën, duke përfaqësuar sfidat që gratë përballen ndër shekuj. Ky moment, si pjesa tjetër e shfaqjes, sfidon kufirin mes aktorit dhe personazhit, duke bërë që publiku të ndihet i përfshirë në përvojën që po ndodh.

Regjia inovative e Zana Hoxhës i inkurajoi aktoret të thyejnë normat tradicionale të teatrit, duke dhënë një mesazh të fuqishëm se patriarkati nuk është një strukturë e pandryshueshme, por një konstrukt shoqëror që mund të shpërbëhet. Përtej politikave gjinore, pjesa eksploron tema më të thella të zgjedhjes, lirisë, fuqisë dhe kontrollit.

Shfaqja përfundoi me ovacion, ndërsa aktoret ngritën pankarta mbi kokat e tyre, duke ftuar publikun të bashkohej me to duke thirrur “NE KEMI ZGJEDHJE.” Nëpërmjet qasjes së guximshme të Zana Hoxhës, audienca në Kosovë dëshmoi fuqinë e grave që sfidojnë kufijtë dhe u inkurajuan të reflektojnë e të bëhen pjesë e thirrjes për ndryshim. Shfaqja lë pas pyetje që kanë nevojë për kohë për t’u përpunuar: A kemi lejuar ndonjëherë veten të jemi aq të lirë sa të hedhim poshtë kufizimet e imponuara nga shoqëria?

“Revoltë. Ajo tha. Revoltohu sërish.” hapi rrugë për veprim përmes teatrit

Nga Gili Hoxhaj

Në rebelim nuk mjafton vetëm mendimi – të paktën jo për gratë e shekullit 21. Andaj shfaqja me titull “Revoltë. Ajo tha. Revoltohu sërish.” i jep zë kësaj nevoje. Me tekst të Alice Birch e regji të Zana Hoxhes, shfaqja e prodhuar në Angli erdhi me një kastë të aktoreve që shpërfaqin veçantinë e lojës në skenë – ajo në rrugën e saj në Prishtinë e mbajti publikun të mbërthyer dhe interaktiv mu në zemër të Prishtinës, në teatrin “ODA” në kuadër të edicionit të 12-të të FemArt-it. Një kurorë për ato që hynin për ta parë shfaqjen ishte diçka që regjisorja e kishte vënë për t’i dhënë frymën e vendit prej nga ishte krijuar shfaqja. Zana Hoxha u kthye në Kosovë me një shfaqje më ndryshe se krejt çfarë kishte krijuar në karrierën e saj të gjatë prej aktivisteje e regjisoreje. Na mësoi të revoltohemi dhe të luajmë me revoltën tonë në një mënyrë tjetër në një krijim modern. Aktorja Tanaka Mpofu që në fillim i drejtohet njërës nga vajzat e publikut me një kompliment për vathët dhe pyetje se ku i ka gjetur. Një intimitet në skenë të parë. Skena më pas, e njëjta do të krijonte interaksion me shumë nga publiku, kësaj radhe me ca fjalë të mira sa për sy e faqe e pyetja do të ishte “A do të votosh për mua?”. Mori ca “po”. Por, si aktore edhe për lojën e saj do të merrte shumë “po” për energjinë kur kërkohej dhe mospërfilljen ndaj situatave për rreth. Dinte të luante me situatat. T’i vendoste personazhet e tjera në to dhe vetë t’i përcillte me dilema – kështu për të hapur debat. Një skenë për dashurinë dhe seksualitetin mes dy personazheve do të vinte më pas. Ishin disa mënyra për të kaluar dhe të kjo – madje disa mënyra për ta shprehur dhe për ta dëshiruar tjetrën. Tanaka Mpofu  thotë se gjithë fuqinë e saj në lojë ishte inspiruar nga pasioni i vetë regjisores.

“Më pëlqejnë punët që kanë qellim mbrapa. Jam e inkurajuar nga pasioni i Zanës për feminizmin dhe për të luftuar për fuqizimin e grave. Ftesa e saj për ne në Kosovë ishte shumë emocionuese. Njerëzit këtu janë shumtë hapur dhe mikpritës dhe gjithçka ishte e lehtë këtu”, ka thënë ajo fill pas shfaqjes.

Aktoret me një ton të qetë jepnin mesazhet. Erën e shalqirit të shpërndarë në tokë do ta lidh gjithmonë me këtë shfaqje. Një mënyrë për të protestuar – me shalqirin e ndarë në copë dhe pastaj copët edhe do të shijoheshin. Aktoret me rolet që i ndërronin luajtën me sensualitetin e tyre, me nevojën për një jetë më të mirë ekonomike dhe liri në vendin e punës, për përfshirjen dhe pushtetin në politikë, për dëshirën për tu qenë të pranuara dhe të bindura që janë krijuar nga diçka më e mirë. Ato në dialog të shprehjes së dashurisë treguan se ka plot mënyra për ta vlerësuar dhe për t’i thënë tjetrit/es që e do. Flitet dhe për martesën në disa kontekste – si mënyrë e pranimit dhe shpesh e refuzimit. Shfaqja bartë preokupimet e shekullit të kaluar por flet për gratë e këtij shekulli që janë mes hapësirës së shtëpisë, jetës publike, asaj familjare e dashurore – e gjithkah kërkojnë pak më shumë kohë për vete. Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao, Natalia May secila kishte një veçanti që se kishte tjetra dhe secila nxirrte më të mirën nga tjetra.  Shfaqja është produksion i LAMDA dhe Orange Tree Theatre që regjisorja e ka krijuar gjatë studimeve master në Angli dhe ishte shfaqur në festivalin GreenHouse. Si shfaqje inovative e me shumë intensitet që se lë jashtë as publikun, ajo erdhi edhe në FemArt. Nuk mjaftuan as situatat komike. Na mësoi se revolta mund të bëhet pa e ngritur zërin, por duke diskutuar vazhdimisht për atë që na takon. Lë vend për të hapur debate të reja feministe. I transformon temat dhe të bën të ngresh pyetje në një ambient ku gratë flasin për vete. Gjuhën e autores Alice Birch, regjisorja Zana Hoxha e ka vendosur në një kontekst që i flet secilit. Veçmas që i flet kohës së tanishme – me guxim. Kur e kishte marr për herë të parë në duar tekstin, regjisorja Hoxha thekson se ishte shokuar.

“U impresionova nga mënyra sesi dekonstruktonte gjuhën, sjelljet dhe faktorët e tjerë socio-kulturorë në ndërtimin e feminitetit”, është shprehur ajo. “Performanca dukej se rezononte me metodën time artistike dhe aktiviste. Birch sfidonte shtypjen patriarkale dhe bënte pyetjen kryesore: “Çfarë na pengon të bëjmë diçka vërtet radikale për t’i ndryshuar ato?” (Birch, 2016). Kjo reflektonte përsëri angazhimin tim për të nxitur mendimin kritik dhe për të hapur rrugë për veprim përmes teatrit”, ka theksuar Zana Hoxha. Ajo vërehet se e ka eksploruar në temel tekstin dhe narrativen që përcjell për ta pasuruar më tej me përvojën e gjatë në artin feminist. Edhe sikur të mos e dëgjoje asnjë fjalë te aktores Olive McHugh, në sytë e saj lexon shqetësimin që mbetet peng për të dëgjuar një fjalë të mirë prej nënës. E ka instiktin e fort të amësisë, por ka një fëmijëri të munguar. Teksa flet me sy i përgjërohet momentit në një skenë tryeze të zakonshme me një vazo me lule e bukë me një tegull me reqel. Është një zhytje e thellë e një bagazhi familjar e një drame të pshtjelluar familjare pasojat e së cilës trashëgohen. McHugh thotë se që nga koha kur kanë lexuar skripten thotë se janë ndjerë sikur është një ndjenjë e vecantë në sallë dhe janë ndjerë shumë të sigurta për të eksploruar karakteret.   “Oo unë e dua Zanën që nga dita ime e parë në Londër. Kam pasur një lidhje të mrekullueshme me të dhe kur më tregoi se do duhej të vija në Kosovë, nuk e kam besuar se do të vi pikërisht këtu të luaj këtë shfaqje. Energjia e FemArt është e mrekullueshme, njerëzit që vijnë këtu edhe ata që nuk janë aktorë e kanë një energji shumë të vecantë. Do ta kujtoj gjithmonë kohën këtu”, shprehet aktorja Olive McHugh.

Intensive, energjike dhe provokative përgjigjet e publikut e formësojnë rrjedhën. Kur aktorja Xixi Xiao i drejtohet dikujt nga publiku se cilën nga të drejtat duhet t’ua plotësojë ekipit që kërkon më shumë pushim e kërkesa të tjera që lidhen me jetën e punës, aktorja pret përgjigjen, një edhe e merr. Në rastin tjetër vonesa e bën të heqë dorë nga përgjigja. “Shumë ngadalë, nuk kam kohë për këtë”, shprehet ajo teksa i kthehet lojës e bindur. Dha një mesazh që secili duhet ta respektojë kohën e vetes, kohën e shfaqjes dhe të publikut.

“Kam bërë rishikime të vogla në tekst për ta bërë atë më të rëndësishëm për një temë post-apokaliptike dhe qasje feministe. Kam sjellë në lojë njohuritë e mia të mëparshme mbi teorinë feministe dhe punën e mëparshme të kryer, me fokus në luftimin e narrativave kulturore që nënrendisin gratë (Butler, 1990). Teksti ishte një skelet i gjallë nga i cili aktorët mund të krijonin performanca komplekse dhe të lejonte një eksplorim të thellë”, thekson tutje Zana.

Për të protesta e madhe ishte ideja e parë e kësaj shfaqjeje. Një protestë kundër sistemeve dhe vlerave që sjellin kolapsin e shoqërive dhe ekologjive. Skena ishte një botë e shkatërruar, mbetje e strukturave patriarkale; ishte bazuar në teoritë e eko-feminizmit, që lidhin shfrytëzimin e natyrës me shtypjen e grave.  Regjisorja dhe dramaturgia Shqipe Malushi tha se kjo ishtë një shfaqje teatrale guximtare dhe eksperimentale qe sfidon idetë tradicionale rreth asaj se si gratë duhet të sillen.

“Zana Hoxha përqafoi këtë ndjenjë të çrregullimit duke inkurajuar aktoret ti thyenin rregullat e zakonshme të teatrit”, u shpreh ajo pas shfaqjes.

Në bashkëpunim me dizenjatoren e skenës dhe kostumeve, Grace Rumsey, Hoxha ka punuar intensivisht duke përcjell një praktikë të qëndrueshme që tregon ndërgjegjësim mjedisor në teatër duke përdorur kostume të recikluara. Edhe në kontekst të skenës e veshjeve u prekë një aspekt i rëndësishëm. Në skenën e bërë gjithë lëng shalqiri, aktoret përmblidhen dhe e pastrojnë skenën gjatë shfaqjes –  kështu për të kaluar te akti tjetër i saj. Një formë tjetër ndërgjegjësimi në teatër e regjisorja u bashkohet në rivendosjen e skenës për aktin tjetër. Zana me ekipin depërtoi me një vizion krijues. Një vizion të atyre që e ngrenë lart thirrjen për zgjedhjet e tyre. Zgjedhje me shumë guxim!

“Revolt. She Said. Revolt Again”, recension nga Simon Jenner

Simon Jenner ka shkruar një recension për shfaqjen e Zana Hoxhës Revolt. She Said. Revolt Again, botuar në fringereview.co.uk.
Më poshtë mund ta lexoni recensionin e tij:

Alice Birch – Revolt. She Said. Revolt Again

Drama e vitit 2014 e Alice Birch për Royal Shakespeare Company e realizon plotësisht atë që premton titulli. Regjisorja Zana Hoxha i merr disa prej udhëzimeve të autores fjalë për fjalë dhe i shndërron në pjesë të shfaqjes, duke ndjekur mbi të gjitha thirrjen e Birch për të mos pasur “mirësjellje”. Është një tekst revolucionar, i hapur, me shpërthime dinamike dhe potencial nxitës. Hoxha e kap këtë frymë, ndryshon disa detaje dhe e freskon shfaqjen me disa ndërhyrje të zgjedhura.

Në versionin e Hoxhës, “sjellja e keqe” shtrihet deri te teksti i Birch-it, ku ajo heq dy faqet e fundit – një Akt të Katërt të shkurtër, ku katër gra bashkëbisedojnë mbi vështirësinë e luftës. Në vend të kësaj, Revolt përfundon me monologun e mëparshëm të interpretuar nga Natalie May, një rrëfim vetë-shkatërrues që mbyllet befas me një akt skenik. Hoxha zgjedh teatralitetin gjatë gjithë shfaqjes, duke e zhveshur nga çdo shpresë e përkohshme. Në prodhimin e saj, ka edhe më pak optimizëm sesa lejonte vet Birch. Publiku sheh një të ardhme distopike ku vetëm pak gra vazhdojnë të rezistojnë.

Tanaka Mpofu këndon, ndërsa hapja e shfaqjes fillon me improvizim. Pavarësisht udhëzimit të Birch për të mos pasur skenografi, Grace Rumsey sjell një hapësirë skenike me ngjyrat blu-jeshile të algave detare, si një ogur i një fundi të afërt. Ndërrimet evokative të kostumeve shtojnë teksturë dhe shënojnë kalimet mes skenave.

Një shalqir i copëtuar shndërrohet në rrëmujë të lëngshme në një korridor dyqani, teksa (jo në kuptimin literal) një klient zhvishet dhe vë në dyshim motivet e menaxherëve, duke e transformuar gjuhën e tyre mizogjiniste. Ka edhe shumë pastrim dyshemeje.

Po të ishte shkruar disa vite më vonë, Birch mund të kishte zgjedhur fluiditetin gjinor dhe përjashtimin e aktorëve meshkuj – siç ndodh këtu. Kjo funksionon fuqishëm (p.sh., me May dhe Mpofu në skenën hapëse të anti-joshjes). Rolit performativ mashkullor, kur paraqitet përmes gjuhës, i rikthehet kuptimi si një nga nivelet e shtypjes që përjetojnë gratë – nga marrëdhëniet seksuale deri te puna.

Patriarkati shtrihet kudo, por në seksionin hapës gjuha (madje edhe fjala “penis”) përvetësohet si pronë e gruas, e subvertuar nga Birch në mënyrë që roli “i poseduar” të marrë pushtetin përmes gjuhës. Kjo bëhet me humor të këndshëm dhe, duke parë skenat e mëvonshme, me optimizëm.

Në skenat e punës, kjo strukturë sfidohet: tre punonjëse kërkojnë të hënën pushim, ndërsa punëdhënësi (Xixi Xiao me ritëm komandues) pretendon se zotëron fytyrat, madje edhe buzëqeshjet e tyre.

Teatraliteti i pastër i Hoxhës funksionon edhe kur disa nuanca sakrifikohen, si heqja e afrimit në Aktin e Katërt. Revolt tashmë luan me formën e hapur dhe rrëzon skenat tradicionale me role të emërtuara. (Ndriçimi i Ghoti Fisher ndjek interpretimet me shumë fleksibilitet.)

Kjo përshtatet mirë në një shfaqje me tre aktore. Olive McHugh shpesh sjell monologë emocionalë dhe është në qendër të veprimit. Ndërsa Xiao mbetet pothuajse e heshtur, May ulërin me çallmë në kokë. Në një çajnik të stilit çehovian, një nënë përballet ashpër me ftohtësinë e pamëshirshme të nënës së saj; mbesa shqipton fjalën “bilbil” dhe disa fjalë të përhumbura. Por, këto dy breza bashkohen kundër brezit të mesëm më të zëshëm, në një akt të jashtëzakonshëm (një moment që Birch e ka shkruar edhe në forma të tjera dhe që ndiqet besnikërisht).

Hoxha mban një ritëm të gjallë me një kast të jashtëzakonshëm. Ka pasur interpretime virtuoze të disa monologëve, por ekipi i Hoxhës refuzon çdo lehtësi për duartrokitje të thjeshta. Disa fjalë janë zëvendësuar, si “gjenocid”, duke iu përshtatur një klime edhe më të ftohtë.

Revolt këtu shfaqet ndryshe – shtypja është e brendësuar. Edhe pse jo specifikisht mbi gjininë, elementi performativ nënvizon mënyrën si feminzmi pas #MeToo ka adaptuar kritika vetë-hetuese që rrëzojnë edhe binaritetet e vetë Revolt-it.

Një riafirmim i shkëlqimit të Birch, pavarësisht shkurtimeve. Një përditësim thelbësor për luftën, Revolta e Hoxhës sjellë kundërshtimin përballë dëshpërimit.

Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao, Natalia May
Aktorë zëri: Gloria Olajide, Alex Holliday, Diego Zozaya, James Walsh, Robert Furey, Samuel Ferrer
Autore: Alice Birch
Regjisore: Zana Hoxha
Skenografia dhe kostumet: Grace Rumsey
Dizajni i ndriçimit: Ghoti Fisher
Dizajni i zërit: Aidan Gibson
Drejtore lëvizjeje: Kristin Fredrickson
Konsulente instrumentesh: Julia Deng Hanzu
Menaxhere skene: Ace Turner
Asistente skenografie dhe kostumesh: Xiaomin

Fan Artikulli në Anglisht: https://fringereview.co.uk/review/fringereview-uk/2024/greenhouse-festival-lamda-festival-new-directors-in-association-with-orange-tree/

“Tatuazhi i trëndafilit” nëpër ngjyrat e jetës gjen dashurinë

Media: KTV
Titulli i storjes: “Tatuazhi i trëndafilit” nëpër ngjyrat e jetës gjen dashurinë
Data: 16 korrik 2023
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/385374/tatuazhi-i-trendafilit-neper-ngjyrat-e-jetes-gjen-dashurine/?fbclid=IwAR1AE5vB0X1DvT8hI0eB13b05LUjdrYBXisc651t3oZRxdvmJ2HT0Cmkstc

Nga: Fisnik Minci

Ka ardhur ashtu siç edhe e ka pasur synim: përrallë pasionante e besëtytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer. Me qasje interaktive me publikun në skenën ‘black box’ të vendosur në Qendrën Kulturore Boshnjake në Prizren, drama e njohur e Tennessee Williamsit, inskenuar nën regji të Zana Hoxhës, vjen me thirrjen për hapjen e zemrës dhe gjetjen e shpresës edhe aty ku nuk pritet

Komedia romantike “Tatuazhi i trëndafilit” nga autori Tennessee Williams, që mbetet një simbol i dashurisë, seksit, cenueshmërisë emocionale dhe riprodhimit është vënë në skenë nga teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” falë angazhimit të regjisores Zana Hoxha. Drama është realizuar në skenën ‘black box’ të vendosur në Qendrën Kulturore Boshnjake duke integruar në lojë edhe publikun, i cili në fund të shfaqjes me duartrokitje të gjata ka shprehur mirënjohjen për performancën gati dyorëshe të aktorëve Aurita Agushi, Rifat Smani, Liridona Shehu, Alban Krasniqi, Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyqi, Valmira Hoti dhe Zana Duraku.

Ngjarja në këtë dramë është e vendosur në një komunitet të vogël siciliano-amerikan. Aty Serafina delle Rose që është interpretuar nga aktorja Aurita Agushi, është një grua dhe nënë e zjarrtë dhe e pasionuar, e cila pas vrasjes së burrit kontrabandues, mbyllet nga jeta dhe dashuria. Në ndërkohë, përplaset shpesh edhe me rrethin e saj, ndërkohë që edhe vajza e saj Rosa përballet me barrierën e vendosur nga ajo.

Por situata ndryshon, kur rastësisht një shofer kamioni arrin në shtëpinë e Serafinës.

Shfaqja sipas përshkrimit të dhënë nga teatri i qytetit, është një përrallë pasionante e besëtytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer. Me këtë rast ofron një komedi të zgjuar dhe interaktive me publikun, ndërsa u kujton atyre që të hapin zemrat e tyre dhe të gjejnë shpresën atje ku nuk e presin. Gjithashtu, adreson temën e represionit seksual si një temë e fortë dhe e vazhdueshme, mirëpo duke e kthyer historinë e saj në një pasion, romancë dhe shpresë.

Image

Për aktoren Aurita Agushi ky projekt ka shënuar bashkëpunimin e radhës me teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren. Procesin e punës me aktorët rezidentë e ka përshkruar si të mirë, ndërkohë që ka ofruar hollësi edhe për sfidat në interpretimin e rolit të saj.

ka qenë edhe shumë e lehtë. Pjesën e njoh shumë moti, edhe Tennessee Williams është njëri prej autorëve të preferuar për mua. Ka qenë pak sfiduese kjo puna e aksentit italian, aty është dashtë të koncentrohem më shumë. Edhe të bëj analizë pak më të thuktë personazhit të Serafinës, sepse është një personazh kompleks, shumëdimensional, që varion gjatë gjithë performancës, tragjedia që i ka ndodhur, pastaj e rigjen dashurinë, paragjykimet dhe gjykimet që ia bën rrethi, edhe këtu është dashtë me u ndalë me bë një analizë më të thuktë edhe po besoj që bashkë me Zanën, regjisoren, me kolegët e mi, posaçërisht me Rifatin (Smani), partnerin tim në skenë, kemi punuar shumë ngushtë dhe po besoj që kemi bërë një punë shumë të mirë”, ka thënë Agushi.

Xhevdet Doda, i cili ka interpretuar rolin e At De Leos ka vlerësuar se ambienti i krijuar me “black box” i ka afruar me publikun dhe njëherësh është shprehur i kënaqur me punën ekipore në këtë projekt.

i kënaqur me realizimin e rolit tim. Është një rol, që jam përpjekur me i dhënë disa ‘mëlmesa’ artistike, natyrisht me sugjerimet e regjisores. Jam shumë i kënaqur me ekipin, jam shumë i lumtur për këtë premierë edhe shpresoj që kjo shfaqje ta gjejë rrugën te publiku ynë”, ka thënë Doda.

Regjisorja Zana Hoxha ka vlerësuar se bëhet fjalë për projekt të punuar me dashuri të ndërsjellë, ku si rrjedhojë edhe realizimi ka ecur me lehtësi dhe me energji të mirë.

“Dhe gati si shfaqja që ta jep njëfarë realiteti pak më roze, pak më ndryshe, më optimist, dhe ka qenë një lloj ngadhënjimi do të thosha, sepse ne fillimisht duhej të punonim në ndërtesën origjinale të teatrit të Prizrenit dhe për shkak të renovimit u vendosëm këtu. Mirëpo çdo gjë është mirë kur përfundon mirë, si shfaqja sonte që filloi me momente më dramatike pastaj u zhvillua, dolën në pah edhe ngjyrat tjera të jetës, sepse jeta ka ngritje, ka ulje, ka sfida por ka edhe shumë dashuri nëse dëshirojmë të shohim”, ka thënë Hoxha.

Në audiencë ka qenë i pranishëm edhe profesori universitar, regjisori e dramaturgu Fadil Hysaj, i cili ka vlerësuar lojën e aktorëve, punën e regjisores dhe reagimin e publikut.

filloj prej aktorëve, vërtet një lojë jashtëzakonisht e bukur, një regjisore brilante, Zana Hoxha, një lexim i një kryevepre dramaturgjike e Tennesee Williamsit që në kuptimin gati autorial e zbërthyer në një dimension, që një dramë të thellë të një gruaje e shndërron, i jep jetë, e kthen nga komedia edhe në njëfarë mënyrë një lloj çlirimi që e përcjellë, për të cilin ne kemi nevojë. Edhe kuptohet ajo lufta kundër së keqes, kundër vuajtjes fillon edhe fitohet brenda vetes, jo jashtë vetes. Edhe është një shfaqje shumë e bukur e ndërtuar me finesë, me një aktrim brilant që mendoj se është e rrallë si e tillë dhe uroj që të ketë jetë të gjatë në skenë dhe ta shohin shumë, shumë njerëz”, ka thënë Hysaj.

Kjo shfaqje është premiera e tretë pas fillimit të rinovimit të objektit të teatrit. Premiera e parë ka qenë shfaqja “Fausti”, një koproduksion mes Teatrit “Bekim Fehmiu”, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit të Gjilanit. Ndërsa premiera e dytë ka qenë shfaqja për fëmijët “Afërdita përsëri në shkollë”. Sivjet teatri “Bekim Fehmiu” ka realizuar edhe ciklin e parë të leximeve skenike të dramës bashkëkohore të Kosovës.

TATUAZHI I TRËNDAFILIT

14.07.2023

Në një komunitet të vogël siciliano-amerikan Serafina delle Rose është një grua dhe nënë e zjarrtë dhe e pasionuar. Kur burri i saj Rosario vritet teksa kontrabandonte, Serafina mbyllet nga jeta dhe dashuria.

Ajo i injoron thashethemet e qytetit dhe jeton në hutim derisa vajza e saj Rosa deklaron veten e dashuruar. E frustruar dhe zemërthyer, Serafina sulmon me zemërim këdo që arsyeton me të. Kjo derisa një shofer kamioni arrin në derën e saj. Shfaqja që Tennessee Williams e quajti “loja e tij e dashurisë për botën”, është një përrallë pasionante e bestytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer.

Tatuazhi i Trëndafilit ofron një komedi të zgjuar dhe interaktive me publikun ndërsa i kujton atyre që të hapin zemrat e tyre dhe të gjejnë shpresën atje ku nuk e presin.

Nën regjinë e Zana Hoxhës, kjo shfaqje vjen si një komedi romantike e cila angazhon Ansamblin resident të Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” dhe aktoren mysafire Aurita Agushi për të adresuar temën e represionit seksual si një temë e fortë dhe e vazhdueshme, mirëpo duke e kthyer historinë e saj në një pasion, romancë dhe shpresë.

Tatuazhi i trëndafilit mbetet një simbol i dashurisë, seksit, cenueshmërisë emocionale dhe riprodhimit.

Kasti

Autor: Tennessee Williams

Regjia: Zana Hoxha

Luajnë: Aurita Agushi, Rifat Smani, Hajat Toçilla, Alban Krasniqi, Xhevdet Doda, Beslidhje bytyqi, Valmira Hoti, Zana Duraku

Koreograf dhe mjeshtri plastike: Robert Nuha

Kostumografe dhe skenografe: Youliana Voykova

Kompozitor: Liburn Jupolli

Shqipëroi: Nehat S Hoxha

Producent: Burim Mustafa

Udhëheqës artisitik: Fatos Berisha

Asistent teknik i regjisë: Alban Çela

Tonist: Flamur Krasniqi

Ndriques: Fikrim Menekshe

Grimi: Canan Cibo

Garderobiere: Vjollca Hoxhaj

Rekuiziter: Arben Rashkaj

Dekorater: Murat javori

Realizimi i skenografisë: Onur Cibo

Teknik i skenës: Shqipe Gollopeni