Category

Teatër

Koncerti inaugurues i Operës së Kosovës

Mbrëmja e 31 tetorit, 2021 shënoi një moment historik për kulturën në Kosovë, me koncertin inaugurues të Operës së Kosovës, “Opera Gala,” që u mbajt në sallën e sporteve të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Zana Hoxha u ftua nga regjisoria e mirënjohur Burbuqe Berisha për të qenë bashkëregjisore në këtë projekt madhështor. Fatkeqësisht, disa ditë para koncertit, Berisha ndërroi jetë, duke mos arritur të shohë frytet e punës së përbashkët.

Për Hoxhën, kjo mbrëmje ishte një përvojë mes emocionesh të thella – trishtim për humbjen e shoqes dhe bashkëpunëtores së saj, Burbuqe Berisha, dhe krenari për angazhimin e përbashkët që rezultoi në një spektakël të paharrueshëm.

“Jam shumë krenare për mundësinë që pata të jem regjisore e Koncertit Inaugurues të Operës Gala mbrëmë dhe për mënyrën se si kjo mbrëmje e tejkaloi çdo pritshmëri”, shkroi Hoxha në rrjetet sociale, duke ndarë emocionet e saj pas përfundimit të koncertit.

Në një intervistë për Grupin KOHA, Hoxha e përshkroi procesin si një sfidë të veçantë, pasi për herë të parë ndërmerrte një regji të kësaj natyre. 

“Ne siç e dimë nuk kemi regjisorë të specializuar për opera. Kjo nuk është operë, është një koncert inaugurues i operës, mirëpo ka pasur shumë punë organizative. Këto që i shihni sonte dhe në këtë angazhim kanë punuar më shumë se 200 persona dhe unë kam qenë një nga personat që është marrë me gjithë këta njerëz, por ka qenë një koordinim fantastik me grupin punues që është themeluar nga Ministria e Kulturës. Ne si regjisore kemi filluar procesin fillimisht me grupin punues që ju të shihni një sallë të tillë e cila siç e dini nuk ekziston, por është bërë enkas për këtë koncert, pastaj realizmi i aspektit vizual, jemi marrë me detajet e videos që i keni parë, me detajet e skenës, pra të gjitha kanë qenë punë që nuk janë në sensin regjisorial si në shfaqje apo filma, por më shumë ne sensin për një ngjarje që është koncertale dhe për televizion”, ka deklaruar Hoxha për Grupin KOHA. 

Pavarësisht sfidave teknike, mbrëmja kaloi pritshmëritë dhe shënoi një hap të madh për operën në Kosovë. “Opera Gala” mbetet një kujtim i fuqishëm për Zana Hoxhën, që ndërthur ndjenjat e humbjes me krenarinë për një arritje të përbashkët, duke dëshmuar fuqinë e artit për të bashkuar.

Lexim skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”

Më 25 qershor 2021 u dha premierë leximi skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”, me regji të Zana Hoxhës, në Parkun e Qytetit në Prishtinës.

Trupa rezidente e Qendrës Artpolis realizoi këtë vepër të Edna Mazyas para një publiku me diversitet gjinor, në moshë e në etni, i cili e mirëpriti realizimin e kësaj vepre dhe temat e trajtuara në të.

Edna Mazya përmes veprës së saj na sjellë ngjarjen e vërtetë të përdhunimit të një vajze nga katër të rinj në Izrael, në vitet 1988-91. E përveç kësaj “Lojëra në Oborrin e Pasmë” vë në pah rrënjët e thella të sistemit patriarkal edhe në institucionet shtetërore, që vetëm sa shton peshën e shtypjes ndaj grave
Aktivisti, Durim Elshani, për këtë temë tha se, “nuk është e natyrshme që djali me qenë jo emocional, agresiv, dhunues e ngacmues. Është sistem pushteti i krijuar me norma të qarta, e me role të përcaktuara sipas konstrukteve sociale, ku për të qenë djalë i ‘mirë, i ndershëm e i dashur’ duhet me qenë agresiv, ngacmues e sundues. Prandaj djemtë gjatë përdhunimit nuk kishin frikë për dhunën që shkaktonin, se brenda hegjemonisë maskuliste ajo të bënë burrë të zotin”.

Autore: Edna Mazyac
Regjia: Zana Hoxha
Shqipëroi: Artur Lena

Aktorët/et: Zhaneta Xhemajli, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Ismail Kasumi, Blerta Gubetini dhe Art Pasha

“Zgjimi i Pranverës” shfaqja më e mirë e vitit

28.05.2021

Puna e palodhshme e Zana Hoxhës, regjisore e shfaqjes muzikore “Zgjimi i Pranverës” u shpërblye me çmimin shfaqja më e mirë për vitin 2020. Ky çmim u nda nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri Sejnur Veshall dhe këshilltari për kulturë, Liburn Jupolli.

Kjo shfaqje e krijuar dhe prezantuar gjatë pandemisë arriti suksese edhe në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestivali, me ç’rast fitoi çmimin “Grand Prix” si shfaqja më e mirë. Suksesi i shfaqjes nuk mungoi edhe në festivalin “Moisiu On” në Tiranë, që njërin nga çmimet e rrëmbeu aktorja Arta Muçaj e cila u shpërblye me çmimin “Aktorja më e mirë joprotagoniste”, me rolin e saj në shfaqjen muzikore “Zgjimi i Pranverës”.

Gjatë vitit 2021 janë dhënë disa repriza, Prishtinë, Gjakovë dhe Gjilan si dhe synohet të rrugëtojë edhe në festivalet jashtë Kosovës, përfshirë edhe Festivalin tradicional të teatrit shqiptar në Dibër, Maqedoni.

Shfaqja “Zgjimi i Pranverës” e autorit Frank Wedekind, është me regji dhe adaptim nga Zana Hoxha, prodhuar nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet dhe Teatri Kombëtar i Kosovës.

Shfaqja muzikore “ZGJIMI I PRANVERËS”

Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” ishte një thirrje artistike, dëshirë e nevojë për ta sjell atë në Kosovë, tutje duke e adaptuar atë në Kosovën e viteve të 90ta. Nevoja e të rinjëve për të kuptuar dhe për tu kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjët tanë në vitet e 90ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati mirëpo solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.


Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatëzania e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë Kosovare.

Premiera e parë në kohë pandemie me COVID 19 “Zgjimi i Pranverës” rastis të adresojë mungesën e lirisë kolektive në Kosovë. Kjo shfaqje zgjon nevojën për të ngritur në diskutim tema të tilla “të ndaluara”, për të folur për ndjenjat, seksin dhe përvojat e para teksa ato ndodhin, nevojën për t’i ditur të gjitha, për t’i kuptuar e për t’i përjetuar.

Kjo shfaqje duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.



Autor: Frank Wedekind
Adaptimi & Regjia: Zana Hoxha


Aktorët:

Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci, Arta Muçaj, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Shpetim Kastrati, Qëndresa Loki, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi.


Muzikantët: Alzan Gashi, Arbër Salihu & Drin Tashi.
Koreografia: Robert Nuha
Kostumegrafia: Yllka Brada
Skenografia: Youliana Voykova – Najman
Inspicient: Bajram Mehemtaj
Asistente: Elira Lluka

Produksioni: Teatri Kombëtar i Kosovës & Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis.

Foto: Meddy Huduti

Performancë skenike “Gjuetaret e Artemidës”

Inspiruar nga natyra dhe bukuritë e saja të fshatit Kukaj, aty ku hapësira dhe çdo gjë që e rrethon këtë ambient është në harmoni me tokën dhe qiellin, nisi një tregim i jashtezakonshëm i performancës “Gjuetaret e Artemidës”. Ky proces krijues filloi nga një vizitë në natyrën e qetë, që ishte shërim për trupin dhe shpirtin, e që e frymëzoi regjisoren Zana Hoxha, të krijojë një vepër që është në përputhje me natyrën si perëndeshë shëruese, burim i jetës dhe energji e pashtershme.

“Gjuetaret e Artemidës” dalëngadalë u formësuan duke personifikuar shpirtin e një gruaje të pavarur duke bërë ritualet pagane dhe duke dhënë dashuri e solidaritet në harmoni me natyrën. Koreografia, muzika, kostumet dhe performanca e aktoreve, janë rezultat i emocioneve dhe ndjenjave që zgjoi kjo simbiozë e natyrës me gruan, dhe artin, e cila u përshtat plotësisht me vendin, atmosferën dhe ngjarjen e Etno Fest-it.


Performancë skenike “Gjuetaret e Artemidës”
Nga: Zana Hoxha
Muzika: Arbër Salihu
Koreografia: Robert Nuha
Aktoret: Aurita Agushi, Semira Latifi, Donikë Ahmeti, Daniela Markaj, Qëndresa Kajtazi, Hajat Toçilla, Fitore Jashari.
Kostumograf: Arbnor Brahimi
Asistente teknike: Elira Lluka

Foto : Meddi Huduti

Leximi skenik “Zgjimi i pranverës”

“Më beso se nuk je vetëm jo
Më beso të lutem ti
Më beso se do t’shkrij jetën
Dhe nuk do të jem larg nga ti.
Beso në diell, beso në diell…”

Me vargjet e këngës “Beso në diell”, hit i viteve 90-ta, përfundoi leximi skenik i shfaqjes “Zgjimi i pranverës” që u performua shkëlqyeshëm nga aktoret dhe aktorët profesionist të Kosovës, në Teatrin Oda. Inskenimi i shfaqjes duke u vendosur në Kosovën e viteve të 90-ta, e mallëngjeu publikun divers që përbëhej nga të rinj, të gatshëm dhe kurioz që përmes shfaqjes të kuptojnë më shumë për bindjet, lojërat, storiet e prindërve të tyre në kohën e adoleshencës, dhe nga publiku më i vjetër që ishin dëshmitarë dhe e kanë provuar atë periudhë të jetës, në atë kohë.

Pas performancës u hap diskutim me publikun për të marrë komente, pyetje apo propozime rreth tematikës dhe procesit të shfaqjes, e cila do të marrë formën e vet finale në mars të vitit 2020, kur edhe do të jepet premiera e shfaqjes “Zgjimi i pranverës”.

Autor: Frank Wedekind; Regjia dhe adaptimi: Zana Hoxha;
Aktorët: Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Arta Muçaj, Shkelzen Veseli, Labinot Raci, Qëndresa Loki, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi.
Muzika: Alzan Gashi; Koreograf: Robert Nuha; Ass.regjie: Arlinda Morina, Kostumografe: Youliana Voykova – Najman; Ndriçimi: Skender Latifi; Dizajni dhe ilustrimi: Vanja Lazić
Produksioni: Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet
Foto: Blerta Hocia

DESTUR – Blasfemi e ëmbël

Për herë të parë, Teatri Kombëtar i Kosovës po shfaq në skenë storien e poetit të famshëm, Rumi. Për të treguar storien e tij, trupa e aktorëve janë trajnuar intenzivisht për të prezantuar kërcimin e dervishëve fluturues në mënyren më autentike të mundshme. “Destur”, shkruar nga Musa Ramadani, dhe “Blasfemi e Ëmbël” nga Elif Shafak janë bashkuar e përpunuar mjeshtërisht nga regjisorja Zana Hoxha.

Ndërsa ngjarja ndodh në shekullin e 13të, kjo shfaqje trajton interpretimet e ndryshme të fesë dhe dashurisë dhe konfliktet që ngriten mes intelektit akademik dhe mencurisë së pastër. Shemsi i Tabrizit, një endacak që kërkonte Zotin, ka gjetur formën më të pastër të dashurisë prandaj prezenca e tij i lë të gjithë të transformuar. Mevlana Rumi, është një dijetar dervish i njohur për diturinë akademike ndaj fesë.

Takimi dramatik i këtyre të dyve, në qytetin e Konias, rezulton në një transformim në spiritualitetin e Rumit dhe mënyrën se si ai e sheh fenë dhe dashurinë. Shemsi dhe Rumi, mbyllen në bibliotekën e Rumit për katërdhjetë ditë dhe në secilën prej atyre ditëve e diskutojnë një nga katërdhjetë rregullat e dashurisë. Pytjet filozofike të dashurisë i drejtohen Zotit përgjatë gjithë shfaqjes por magjia e vërtetë gjindet në mënyrën se si këto pyetje diskutohen edhe në përditshmëri, drejturar dashurisë romantike të shekullit 21. Shemsi mësoi Rumin se si ta hap zemrën dhe si të ç’mësojë atë që kishte mësuar.

Në rolet kryesore: Rumi: Çun Lajçi, Shemsi: Shkelzen Veseli Rolet tjera: Armend Smajli, Edlir Gashi, May-linda Kosumoviç, Semira Latifi, Anisa Ismajli, Basri Lushtaku, Kushtrim Qerimi, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi, Mikel Markaj, Selman Jusufi, Florent Salihu, Blend Sadiku, Leonit Maloku. Koreografia: Robert Nuha, Kostumografe dhe Skenografe: Youliana Vojkova-Najman, Muzika: Memli Kelmendi, Assistente Regjie: Flutura Çelaj, Inspicient: Bajram Mehmetaj, Ndriçimi: Sherif Salihu dhe Mursel Bekteshi, Tonist: Arben Aliu, Shef Skene: Aziz Maloku. Shfaqja është dedikim aktorit symbol të Teatrit Kombëtar z. Istref Begolli.

Shfaqja “TROJANËT”

25.05.2018

Nga data 28 gusht deri më 10 Shtator, 2017 artistët/et e Teatrit La MaMa në partneritet me Qendrën Artpolis, në teatrin Oda në në Prishtinë dhe në fshatin artistik Kukaj u fokusuan për të ngritur kapacitete të reja të artistëve dhe artisteve në eksplorimin e zërit, muzikës dhe gjesteve, si dhe duke përdorur tekstin nga produksioni i famshëm i La MaMa’s së vitit 1974 “TROJANET”.

Rreth La Mama-së:
Teatri eksperimental La Mama i është dedikuar të gjithë artisteve/ëv kudo nëpër botë. Teatri u themelua në vitin 1961 nga Ellen Steëart, ndërsa tradicionalisht njihet si teatri i të gjitha kulturave botërore. La Mama ka prezantuar më shumë se 150.000 artistë nga mbarë bota në qindra vende të ndryshme. Çdo vit teatri La Mama prezenton mbi 80 produksione, ndërsa vizitohet nga 34.000 vizitorë të të gjitha moshave. Ky teatër përkrahë çdo individë që krijon art duke ju dhënë mundësi promovimi dhe mbështetje financiare.

Shfaqja “TROJANËT” me produksion të Zana Hoxhës mbështetet në një dramë të lashtë greke që nxit një mjedis të favorshëm për të ushqyer dhe forcuar marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. Ajo ndërthur jetën dhe luftën e kohëve të lashta me kohët moderne, duke pasqyruar vuajtjen, dashurinë, jetën, mirëqenien, solidaritetin dhe bashkëpunimin. Kjo shfaqje bazohet në dramën 2500 vjeçare “Trojanet” dhe në temat e saj të luftës, zhvendosjes, dhunës kundër grave, fëmijëve dhe gjenocidit.

Funksioni i teatrit për shekuj me radhë ka qenë gjetja e një arsye dhe ndjenjës së përbashkët të njerëzimit për të krijuar një botë më të mirë. Inskenimi i saj është unik në mënyrën se si ndërveprojnë aktorët dhe publiku. Fuqia e kësaj shfaqje të veçantë është vërtetuar në prezentime gjatë 40 viteve të fundit dhe në më se 30 kombe.

“Trojanet” është e veçantë sepse përdorë një kombinim të punëtorive, provave, prezantimeve, dialogut dhe ndërgjegjësimit të komunitetit.

Pjesëmarrja e 30 artistëve dhe aktivistëve rezulton në një bashkëbisedim të përbashkët të gjuhës së paqes, dashurisë dhe solidaritetit që shërben si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm të artistëve dhe aktivistëve të kulturës.

Pjesëmarrësit eksperimentojnë me metodat e forcimit të zërit dhe përdorimin e zërit të pastër gjatë këtij programi. Nxënësit eksperimentojnë me gjestet dhe gjuhën e trupit. Artisti(ët) studiojnë muzikën dhe shtojnë këngë, histori dhe lëvizje nga përvojat e tyre personale në material. Partneriteti do të jetë në formën e një ansambli. Një zonë bisede do të sigurohet për procesin e prodhimit, temat e shfaqjes dhe lidhjet me jetën tonë të përditshme.