Teatër

“Çimka” në dy botë paralele: pasqyrim i së kaluarës, thirrje për reflektim

By 08/05/2022January 26th, 2024No Comments

Media: KTV
Titulli i storjes: “Çimka” në dy botë paralele: pasqyrim i së kaluarës, thirrje për reflektim
Data: 08 maj 2022
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/324388/cimka-ne-dy-bote-paralele-pasqyrim-i-se-kaluares-thirrje-per-reflektim/?fbclid=IwAR01Q2zP6069AUTGL-1Df08aY3IPmJsEX-25GuZBaCpOXmYuYpgmgr6-g6s

Nga: Berat Bajrami

E rimarrë nga “Çimka”, Shtëpia me Gjethe është hapësirë e dy botëve paralele: regjimit jugosllav në Kosovë dhe atij në Shqipëri, të cilin publiku e përjeton paralelisht. Historitë e përgjimeve, të vuajtjeve dhe persekutimeve të mijëra shqiptarëve, viktima të këtyre regjimeve totalitare, ringjallen e rinjihen përmes shfaqjes “Çimka”, me autor Shpëtim Selmani, në regji të Zana Hoxhës

Aty kur dikur të internuarit, disidentët e të rebeluarit detyrueshëm ecnin për t’iu nënshtruar torturave të regjimit totalitar, mbrëmjen e ditës së parë të majit, publiku në Tiranë ecte me kureshtje në dhomat e hapësirat e inskenuara për shfaqjen “Çimka”. Përjetimet e një populli të ndarë pikëtakohen në një vend – muzeun kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Shijen e një shfaqjeje të pazakontë publiku e përjeton qysh me hapjen e dyerve të muzeut. Të ndarë në dy grupe: si “gjeth” apo “çimkë” publiku fillon ecjen në drejtime të kundërta, një ecje e ngadaltë e me ndrojtje, në pritje të skenave që do të pasonin.

E rimarrë nga “Çimka”, Shtëpia me Gjethe është hapësirë e dy botëve paralele: regjimit jugosllav në Kosovë dhe atij në Shqipëri, të cilin publiku e përjeton paralelisht.

Historitë e përgjimeve, të vuajtjeve dhe persekutimeve të mijëra shqiptarëve, viktima të këtyre regjimeve totalitare, ringjallen e rinjihen përmes shfaqjes “Çimka”, me autor Shpëtim Selmani, në regji të Zana Hoxhës, që ka zhvilluar deri më tani edhe tri repriza (4, 5, 6 maj 2022). Ato vijnë si pasqyrim i së kaluarës, e thirrje për të reflektuar e mësuar nga to.

Përgjimet, torturat, tmerri dhe shtypja e një populli, të ndarë në dy shtete, jetësohen mjeshtërisht përmes dy protagonistëve: Dervish Shaqa e Musine Kokalari, të cilat i luajnë Mikel Markaj, përkatësisht Xhulia Musagalliu.

Te këto dy personalitete, regjisorja Zana Hoxha ka parë rebelizmin ndaj regjimeve përkatëse, si figura që para së gjithash e mbi të gjitha – kanë dashur lirinë.

“Konsideroj se që të dy janë rebelë, dhe që nuk e kanë komprometuar artin e tyre. Dervishi nuk e ka komprometuar artin e tij dhe e ka përdorur këngën për të përçuar mesazhe edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Ndërsa Musinea, emblemë e kohës, disidente, e cila nuk e nëpërkëmbi dinjitetin e saj, përkundër të gjitha vështirësive, dënimeve, internimeve e kushteve të vështira të jetës”, thotë Hoxha.

Gjersa skenat ndërrohen, publiku i ambientuar nxiton për të parë skenat e tjera. Lëviz nga ngushticat e muzeut në hapësirat e jashtme, për t’u prezantuar edhe me ankthin që ka përjetuar populli shqiptar për një kohë të gjatë. Kjo vihet në pah përmes tablosë së Edison Gjergos, një piktor që ishte viktimë e regjimit totalitar në Shqipëri. Ankthi sa vjen e shtohet kur personazhet nuk arrijnë të gjejnë një hapësirë të përshtatshme për ta fshehur pikturën e tij. Ai dhe arti i tij, si qindra artistëve, përjetoi grushtin e hekurt të regjimit totalitar.

Por, ëndrrat, dashuria për lirinë dhe jetën, këngën dhe vallëzimin kulmojnë në takimin e Dervishit dhe Musinesë, viktima të regjimeve në të dyja anët e kufirit. Personazhe që inspirojnë për jetën edhe sot e kësaj dite. Skena si këto ofrojnë një ndjesi sa të çuditshme aq edhe të pazakontë. Ngjallin mendime e reflektime mbi përjetimet e këtyre personaliteteve dhe shumë të tjerëve.

“E vërteta është se këtu mbizotëron frika, terrori. Po kush ka guxim të thotë jo, kush? Askush! Ama brenda zemrës sime sundojnë ëndrrat. E di që nëse jo unë, ata që do të vijnë pas meje do të vallëzojnë, do të hedhin hapat ashtu sikurse duan ata vetë. Asnjë sistem sundues nuk do të mund ta hedhë dot rrjetën e tij mbi nevojën e njeriut për të ushtruar vullnetin e lirë”, thotë personazhi i Musine Kokalarit dhe kjo vjen si mesazh përmbyllës i shfaqjes.

Kjo shfaqje vjen edhe si një bashkëpunim i veçantë ndërmjet artistëve të Kosovës e Shqipërisë. Bashkëproduksioni i “Artpolis” dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka bërë bashkë gjashtë aktorë e aktore nga Shqipëria dhe dy nga Kosova: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu , Mikel Markaj , Edlir Gashi, Urim Aliaj , Altea Dulellari.

Këtë shfaqje, të krijuar enkas për “Shtëpinë me Gjethe”, publiku do të ketë rastin ta përjetojë edhe pak ditë: Pos të shtunën mbrëma, edhe më 11, 12, 13, 14 e 15 maj.