Category

Publikimet

“No Carmen!” – zhveshja e ikonës prej miteve, fantazive e sakrificave

https://www.koha.net/kulture/no-carmen-zhveshja-e-ikones-prej-miteve-fantazive-e-sakrificave

“No Carmen!” është një dekonstruktim i muzikës dhe një shikim se cilat do të ishin temat që do ta okuponin këtë Carmen dhe kush do të ishte Carmeni” (Foto: Borut Bučinel)

Produksioni slloven që vjen si rilexim bashkëkohor i figurës ikonike të Carmenit duke e zhvendosur atë nga kornizat tradicionale të operës drejt një universi teatror eksperimental, fizik dhe politik, ka sjellë në Teatrin Slloven për të Rinj qasje unike e regjia e shfaqjes i është besuar Zana Hoxhës. Muzikën e ka kompozuar Liburn Jupolli

“No Carmen!” ngjan si shfaqje unike, version teatral i operës së famshme të Georges Bizet. Me autore dramaturgen sllovene, Urška Brodar, por ku “e pazakonta” vjen te pjesa regjisoriale e skenat ilustrohen kryesisht me veprime të aktorëve, përgjegjësia e regjisë i është dhënë Zana Hoxhës. Të enjten mbrëma në Teatrin Slloven për të Rinj (Slovensko mladinsko gledališče) u dha premierë.

Shfaqja që trajton tema politike e sociale nëpërmjet personazhit ikonik të operës, Carmen, parashihet të shtrojë rrëfimin edhe në Prishtinë, por kushtet e kanë penalizuar. 

Produksioni slloven vjen si rilexim bashkëkohor i figurës ikonike të Carmenit, duke e zhvendosur atë nga kornizat tradicionale të operës drejt një universit teatror eksperimental, fizik dhe politik. Muzika luan rol kyç në këtë shfaqje. Në skenë, pos dhjetë aktorëve, pjesë e kastit ka qenë edhe një pianist –  Jozhe Šalej. Muzika është kompozuar nga Liburn Jupolli. 

“Shfaqja është një rilexim bashkëkohor i operës ‘Camen’ dhe i romanit të Prosper Mérimée. Është një dekonstruktim i muzikës dhe një shikim se cilat do të ishin temat që do ta okuponin këtë Carmen dhe kush do të ishte Carmeni”, ka thënë regjisorja Zana Hoxha në një bisedë për KOHËN.  

Skenë nga shfaqja “No Carmen!” e dhënë premierë në Teatrin Slloven për të Rinj (Foto: Borut Bučinel)

Në skenë kanë interpretuar aktorët: Lina Akif, Dasha Doberšek, Natasha Keser, Boris Kos, Klemen Kovaçiç, Anja Novak, Maruša Oblak, Ivan Peternelj, Blazh Shef dhe Stane Tomazin. Koreografia është realizuar nga Lada Petrovski Ternovšek dhe skenografia nga Dunja Zupančič.

Sipas regjisores, procesi krijues është mbështetur fuqishëm në bashkëkrijim me ansamblin artistik të teatrit.

“Për mua ka qenë e rëndësishme që të zhvillohet një proces i bashkëpunimit dhe kohë krijimit ose bashkëkrijimit me gjithë ekipin e artistëve, gjë që e kanë bërë, duke marrë parasysh eksperiencën time, njohuritë e mia, shkathtësitë e mia, por kam parë një organizim të jashtëzakonshëm të teatrit. Mënyra se si e kanë mbështetur këtë projekt me të gjithë përkrahjen e mundshme, shkathtësitë e aktorëve, por edhe të gjithë bashkëpunëtorëve tjerë të muzikës, koreografisë, skenografisë. Ka qenë një ndërmarrje shumë e madhe dhe një shfaqje në të cilën është investuar shumë. Konsideroj që kemi dalë me një premierë të suksesshme”, është shprehur Hoxha. 

Një prej veçorive më të mëdha të shfaqjes, sipas përshkrimit, është forma e saj skenike, pasi pjesa më e madhe zhvillohet pa dialog.

“Vetëm njëzet për qind e ka tekst, domethënë tetëdhjetë për qind e shfaqjes është pa tekst, që është risi. Është shfaqje pa fjalë”, ka deklaruar regjisorja.

Kësisoj, ajo e ka cilësuar procesin si një prej më sfiduesve në karrierën e saj, duke vlerësuar nivelin profesional dhe angazhimin të ansamblit të teatrit slloven.

“Ka qenë një prej proceseve më sfiduese, sepse ansambli i këtij teatri dihet që është një prej ansambleve më profesionale. Por edhe të angazhuar në aspektin e trajtimit të temave të ndjeshme politike, qoftë në Slloveni por edhe në rajon po më gjerë. Mënyra sesi kam punuar unë dhe me këtë rast, kanë qenë dhjetë aktorë dhe një pianist. Ka kërkuar një kondicion, një dedikim dhe gjithashtu një pasion për projektin. Jam e lumtur që kanë marrë diçka nga unë në mënyrën se si unë kam punuar, por edhe unë kam marrë nga këta artistë”, ka thënë ajo.

“No Carmen!” e çmonton figurën e njohur të Carmenit si arketip femëror në operë. E bllokuar brenda një prej miteve më të njohura të kulturës perëndimore, Carmen në këtë shfaqje “shqyen” veten nga roli i shkruar për të. Për shfaqjen shkruhet se, midis operës, performancës, provave, fantazive, dhunës, dëshirës dhe spektaklit, shfaqja sfidon mënyrën sesi gratë vazhdojnë të reduktohen në mite, fantazi apo sakrifica.

No Carmen!” e çmonton figurën e njohur të Carmenit si arketip femëror në operë (Foto: Borut Bučinel)

Ky projekt shënon bashkëpunimin e parë të Zana Hoxhës me “Slovensko mladinsko gledališče”, ndërsa ajo ka theksuar se është regjisorja e parë shqiptare që punon në një institucion shtetëror teatror në Slloveni.

Hoxha ka bërë me dije se shfaqja trajton tema të forta sociale e politike.

“Kritikat në përgjithësi kanë qenë shumë pozitive me faktin që është diçka me shfaqje shumë speciale, e paparë në formën të cilën unë e kam sjellë. Zakonisht shfaqjet fillojnë në një mënyrë dhe zhvillohen dhe ti e kupton këtë histori, ndërsa ne gjatë tërë shfaqjes nuk arrijmë të kuptojmë me të vërtetë se kush është Cameni dhe çfarë është Cameni, sepse jemi duke e kërkuar atë në kontekste dhe në tema të ndryshme, siç janë për shembull, temat që ndërlidhen me mizogjininë, shovinizmin, femicidin, diskriminimin në punë, dhunën gjithashtu dhe manosferën”, ka shpjeguar ajo për KOHËN. Shfaqja demitizon duke ia veshur petkun e temave të sotme. 

“Të gjitha këto janë të ndërlidhura dhe në fund të shfaqjes kemi një syzhe të tërë operës dhe të librit dhe e bëjmë të qartë se kemi qenë duke dekonstruktuar dhe duke rikrijuar sesi do të ishte një femër sot, kush do të ishte ai ose ai. A do të kishte gjini të caktuar, a do të kishte moshë të caktuar dhe si do të sillej nga konteksti i ditëve të sotme”, ka thënë ajo. 

Regjisorja ka bërë të ditur se ekzistojnë planet që “No Carmen!” të prezantohet edhe në Kosovë, por realizimi i kësaj varet nga kushtet e Teatrit Kombëtar, i cili që nga korriku i 2022-s është zhvendosur në hapësirë të improvizuar në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si rrjedhojë e mbylljes së objektit të TKK-së për renovime. 

“Duke marrë parasysh skenën dhe kërkesat teknike që i ka shfaqja, është e pamundur që të bëhet në skenën aktuale të improvizuar. Ne biseduam që ta sjellim vitin tjetër me shpresën që planet për lëshimin e Teatrit Kombëtar, pra ndërtesës origjinale, të realizohen siç është thënë nga Ministria e Kulturës deri në fund të vitit. Shpresoj që do të kemi mundësi ta sjellim vitin e ardhshëm. Shfaqja do t’i ketë këto repriza pas premierës, pra në muajin maj, ndërsa do të vazhdojë pas muajit maj në vjeshtë”, ka thënë ajo.

Teatri Slloven për të Rinj u themelua në Lubjanë në vitin 1955 si teatri i parë profesional për fëmijë dhe të rinj në Slloveni. Gjatë gjithë historisë së tij, teatri ka bashkëpunuar me reformatorët e teatrit që formësuan teatrin slloven gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.

Kabare 1999

Teatri i Qytetit të Gjilanit, premiera më 5 shkurt.

“Ndoshta nuk jam një romanciere e mirë, por jam një gënjeshtare e mirë”, pohon Aida (Semira Latifi), personazhi kryesor i Kabares 1999, një shfaqje e përshtatur dhe e sjellë në një kontekst të ri nga Zana Hoxha, bazuar në teatrin muzikor klasik të vitit 1966, i Kander dhe Ebb. Është një fjali që pasqyron ndjesinë e të mos qenit vërtet në kontroll mbi drejtimin që po merr jeta, por gjithsesi përpiqesh t’i japësh kuptim asaj, edhe nëse kjo nënkupton ta shtrembërosh pak të vërtetën për të bindur të tjerët, e ndoshta edhe veten. Pesha e këtyre gënjeshtrave ndihet fuqishëm në një qytet si Prishtina, të cilin personazhet e përshkruajnë si një vend ku “gjithçka mund të ndodhë”.

Megjithatë, mënyra se si thuhet kjo nuk tingëllon shpresëdhënëse ose emocionuese. Përkundrazi, tingëllon e përmbajtur, pothuajse pak e çuditshme, më shumë si një paralajmërim i thënë me një buzëqeshje të ngrirë dhe të pasigurt. Kjo ka kuptim duke pasur parasysh se ngjarjet zhvillohen, në vitin 1999, menjëherë pas luftës, një kohë që ende është e brishtë, e pazgjidhur dhe thellësisht e pranishme gjatë gjithë shfaqjes. Edhe pse përshtatja e Hoxhës ndjek historinë e teatrit muzikor origjinal – i cili vetë bazohet në dramën e John Van Druten “I Am a Camera”, dhe në romanet gjysmë-autobiografike të Christopher Isherwood – edhe pse i qëndron mjaft besnik versionit origjinal dhe ruan jehonën e koreografisë së njohur të Bob Fosse, shfaqja nuk ndihet aspak si diçka e huazuar.

Cabaret, i zhvilluar në Gjermaninë e viteve 1930, pasqyronte një shoqëri në prag lufte. Versioni i Hoxhës përshtatet po aq natyrshëm në kontekstin e pasluftës sikur i përket një realiteti ku e kaluara nuk ka përfunduar ende plotësisht. Zhvendosja e personazhit kryesor te Aida, në vend të figurës së Isherwood-it, gjithashtu ndryshon mënyrën se si përjetohet historia. Edhe pse bazohet në “Cabaret”, nuk ndihet si kopje. As Hoxha nuk e lehtëson hyrjen e publikut. Shfaqja fillon fuqishëm me këngën ikonike “Willkommen”, ku gjuha shqipe ndërthuret me gjuhët e tjera gjatë performancës. Kënga interpretohet nga Kushtrim Qerimi në rolin e MC-së, fytyra e tij e lyer në të bardhë. Trupat e trupës së vallëzimit, veçanërisht ato të grave, krijojnë ndjesinë se janë aty në shërbim për t’u vështruar, për t’u konsumuar, pothuajse deri në kufijtë e parehatisë.

Performanca të vendos në një pozitë të dyfishtë: ju jeni duke qeshur sepse këngët dhe vallëzimet janë komike, por nuk ndihesh plotësisht rehat me këtë. Kjo e shton edhe më shumë kureshtjen, duke të nxitur të kuptosh çfarë do të ndodhë më pas, apo drejt çfarë po shkon e gjithë kjo. Kabare 1999 tregon historinë e Aidës, një shkrimtare e re nga Shkupi, e cila mbërrin në Prishtinë dhe takon një burrë (Gëzim Bucolli) në stacionin e autobusëve i cili e ndihmon të gjejë një apartament dhe më vonë një punë në Klubin Europa (versioni i shfaqjes i Kit Kat Club).

Nga ai moment, ngjarjet fillojnë të shpalosen në një mënyrë që mund të lexohet si “fati i saj i keq”, përmes një akumulimi gradual të situateve të vogla që ngadalë fillojnë të formësojnë përvojën e saj, jo përmes një pikë kthese të vetme dramatike.

Paralelisht, zhvillohet historia e pronares së banesës, Afërdita (Aurita Gashi), një e ve që ngadalë e gjen veten në dashuri,  por në një mënyrë paksa të çuditshme, pothuajse lozonjare dhe absurde, ku momentet e vogla të përditshme bëhen në diçka më të madhe seç duhet.  Një ananas shndërrohet në propozim martese dhe po e njëjta ngjarje çon në dasme të organizuar brenda kabaresë, ku burri, Agimi (Ali Demi), ndërron jetë. Dudija (Safete Mustafa Baftiu) sjell një lloj tjetër përçarjeje në shtëpi, pasi vizitorët e saj të natës krijojnë një tension të vazhdueshëm.

E më pas shfaqet gruaja e moshuar e luajtur nga (Mejreme Berisha), e cila vazhdon të rikthehet herë pas here, gjithmonë në kërkim të djalit të saj, Fatbardhit, që u zhduk gjatë luftës. Prania e saj mund të duket e përsëritur, por jo në një mënyrë që rëndon; përkundrazi, është thelbësore. Sikur shfaqja nuk pranon ta lërë atë mungesë të tretet në sfond. Ndërsa skenat e tjera lëvizin, zhvendosen apo edhe anojnë në humor ose absurditet, ajo mbetet fikse, e paaftë të ecë përpara. Kërkimi i saj nuk zhvillohet, as nuk zgjidhet, dhe pikërisht kjo është çështja thelbësore. Ajo çrregullon ritmin e kabaresë dhe na rikujton se për disa, lufta nuk ka përfunduar, por vazhdon në një formë tjetër

Kabare 1999

Mënyra se si funksionojnë burrat në shfaqje është veçanërisht e dallueshme. Ata janë të pranishëm, por rrallëherë në qendër të vëmendjes. Ata lëvizin nëpër skena më shumë si ndërprerje, si pengesa ose si forca kalimtare që ndikojnë në situatat e grave pa qenë vërtet pjesë e bërthamës emocionale të rrëfimit. Burri në stacionin e autobusëve shfaqet shkurtimisht në historinë e Aidës, pastaj zhduket në sfond. Të tjerët shfaqen përmes takimeve të Dudijes ose brenda historisë së Afërditës, por nuk kanë të njëjtën thellësi apo vazhdimësi. Përkundrazi, duken më shumë si figura që vënë gjërat në lëvizje ose i ndërpresin ato, por që nuk qëndrojnë kurrë gjatë.

Në kontrast, janë gratë, ato te të cilat rikthehesh vazhdimisht. Historitë e tyre ndërthuren dhe rishfaqen në mënyra të ndryshme. Pikërisht aty qëndron pesha emocionale e shfaqjes. Nuk duket aspak e rastësishme.  Kabare 1999 nuk ka të bëjë vetëm me realitetin e pasluftës në përgjithësi, por me mënyrën se si ndikon në jetën e këtyre grave.

Skenografia, e Bekim Korçës, është menduar në mënyrë që publiku të përfshihet drejtpërdrejt me skenën dhe të ndihet si pjesë e saj, si mysafirë në Klub Europa. Ne ishim ulur në tavolina të vogla të mbuluara me të kuqe dhe të vendosura rreth skenës sipas stilit të kabaresë, secila me nga një qiri dhe kuti shkrepëse.Në një moment, kur u fik energjia elektrike gjatë performancës, na kërkuan t’i ndiznim qirinjtë vetë. Ishte një detaj i thjeshtë por i fuqishëm, që pasqyronte diçka që çdo qytetar këtu e ka përjetuar, veçanërisht në periudhën e pasluftës. Më pëlqeu veçanërisht mënyra si ishte përfshirë një moment që ishte i njohur për shumë prej nesh.

Kur dritat u fikën, teatri u shndërrua në një hapësirë për të ndarë histori rreth luftës, secila nga një këndvështrim i ndryshëm. Në një moment, një nga aktorët, i ulur mes publikut, filloi të flasë se sa i frikësuar ishte për të thënë fjalët “Kosova Republikë”. Kjo tregoi se sa delikate dhe e vështirë ishte ajo kohë, kur edhe shprehja e një mendimi të thjeshtë ishte e pasigurt.

Shfaqja vazhdon të lëvizë nga një moment në tjetrin, duke lënë histori të ndryshme të ekzistojnë pranë njëra-tjetrës pa u përpjekur t’i detyrojë ato në një drejtim të vetëm. Disa skena mbesin me ty pa e shpjeguar plotësisht dhe e gjen veten duke menduar për to pasi kanë kaluar tashmë. Klubi Europa bëhet vendi ku gjithçka rikthehet, jo për të shpjeguar diçka, por për t’i mbajtur këto jetë për pak kohë.

Ndihet si një hapësirë ku gjërat ndodhin, qëndrojnë për pak kohë dhe pastaj rrëshqasin përsëri. Ajo që mbetet me ty është ndjenja e vazhdimësisë, se këto jetë vazhdojnë përtej skenës, edhe kur vetë shfaqja fillon t’i mbledhë ato në një moment të vetëm, të përbashkët.  Kabare 1999 krijon një ndjesi mbylljeje, megjithëse jo duke përfunduar mjeshtërisht historitë e tij. Përkundrazi, lejon që këto histori të ndryshme të qetësohen ngadalë, ku e kaluara as nuk fshihet dhe as përpunohet plotësisht, por thjesht pranohet.

Ekipi realizues:

Adaptuese dhe regjisore: Zana Hoxha

Skenografia: Bekim Korça

Producentët: Teatri i Gjilanit dhe Artpolis.

Shkruan: Fatlinda Daku

“Kabare 1999” – liria si festë e dëshpëruar, plagë e këngë që s’mbaron

Skenë nga shfaqja “Kabare 1999” nën regji të Zana Hoxhës, e dhënë premierë në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, më 5 shkurt 2026 (Foto: Rilind Beqa)

Nga: Berat Bajrami

https://www.koha.net/shtojca-kulture/kabare-1999-liria-si-feste-e-deshperuar-plage-e-kenge-qe-smbaron

Regjisorja Zana Hoxha, e bazuar në veprën “Cabaret” të Joe Masteroffit, e zhvendos ngjarjen nga Berlini i viteve 1930 në Prishtinën e vitit 1999 – një qytet i sapodalë nga lufta, plot me adrenalinën e lirisë së re, i përhumbur në erën e djegur të shtëpive, mungesën e njerëzve e lulëzimin e tregtisë së “më të fortit”. “Kabare 1999” është një realizëm i Kosovës së pasluftës që ende është në kërkim të të mësuarit për të jetuar

“Willkommen, bienvenue, mirë se vini…”, është thirrja që hap botën e “Kabare 1999”, një thirrje që tingëllon si premtim për festë, por që, sa më shumë zgjat shfaqja, aq më shumë kthehet në një ironi të hidhur. Mbrëmjen e më 5 shkurtit 2026, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, kjo kabare u shfaq si një hapësirë e ndarë mes dy botëve: mes dëshirës për të jetuar dhe tregtisë me plagët, mes lirisë së sapofituar dhe frikës së një sistemi që gllabëron secilin që guxon të jetojë i lirë.

Regjisorja Zana Hoxha, e bazuar në veprën “Cabaret” të Joe Masteroff, e zhvendos ngjarjen nga Berlini i viteve 1930 në Prishtinën e vitit 1999 – një qytet i sapodalë nga lufta, plot me adrenalinën e lirisë së re, i përhumbur në erën e djegur të shtëpive, mungesën e njerëzve e lulëzimin e tregtisë së “më të fortit”.

“Klub Europa” është flluska e “lumturisë”, e jetës pa probleme, e lirisë “së plotë” në shndritjen e dritave dhe magjinë e muzikës së pafundme. Aty ku jeta është qejf e plot ngjyra.

Paslufta në kërkim të të mësuarit për të jetuar

Zgjedhjet regjisoriale të Zana Hoxhës na sjellin në jetë personazhe të zakonshme në pamje të parë, porse gjithsecili e përplotëson njëri-tjetrin, secili ka peshën, ngjarjen, luftën dhe mënyrën e vet të konceptimit të jetës. Secili është kompleks, në të njëjtën kohë. Një realizëm i Kosovës së pasluftës që ende është në kërkim të të mësuarit për të jetuar.

Zymtësinë e përditshmërisë së pasluftës personazhet e ndrydhin dhe jetojnë mes dashnisë, seksit e qejfeve në Prishtinën që përqafon individualitetin e atyre që guxojnë, edhe pse të goditur ashpër nga lufta për mbijetesë.

“Kabare 1999” e shemb murin e katërt, publiku nuk është vetëm dëshmitar i ngjarjeve, ai është pjesë e saj me të qeshura e vallëzime. Personazhet janë të shkrira me publikun, të ulur edhe në mesin e tyre bashkëjetojnë momentet. Momente që rrjedhin natyrshëm dhe skena që të bëjnë ta humbësh ndjenjën e kohës. Rrjedhja e shfaqjes është organike, e pasforcuar – nga loja e aktorëve, balerinëve, muzikantëve, e deri te kostumet dhe skenografia.

“Kabare 1999” na sjell Kosovën e pasluftës jo si heroizëm të ngrirë, por si jetë e gjallë, e çrregullt, por ende e padorëzuar plotësisht (Foto: Rilind Beqa)

Një moment që e avancon teatrin vendor

Profesori universitar dhe regjisori, Fadil Hysaj, thotë se ky është teatri i vërtetë dhe “Kabare 1999” e avancon teatrin kosovar.

“Shfaqjet e mira nuk kanë moment, ato rrjedhin skenë pas skene. Ndihesh edhe komod në kuptimin e mirë, kulturalisht, por në të njëjtën kohë sheh se aktorët janë prej fillimit tërë kohën në një pjesë të një koncepti, në këtë rast që ka pasur Zana, edhe secili artist i pranishëm aty, prej balerinëve, kompozitorit, aktorëve, secili është i lirë. Ka një rrjedhë të magjishme dhe ka hapësirë me thënë atë që ndien dhe me thënë në mënyrën më të mirë të mundshme. Shfaqja ka frymëmarrje. Kurrkush, asnjëri prej aktorëve, s’do me tregu tash: ‘Unë kallëzoj çka di me bo’. Por ata luajnë me një koncept. Ky është një moment që e avancon teatrin tonë”, është shprehur Hysaj pas premierës së shfaqjes. “Ky është teatri i vërtetë kur kori vallëzon, kori këndon, krijon personazh, shpreh mendim, por në të njëjtën kohë të gjitha bashkërisht bëhen pjesë të një koncepti, edhe atë koncept e përpin publiku, e pranon emocionalisht në fund kur kryhet shfaqja, e kthen tek artistët me duartrokitje dhe i bën që mos me harru një ngjarje të tillë”.

“Harrojnë shtëpitë e djegura. Personat e zhdukur…”

Në qendër të shfaqjes është Aida, e cila e sheh qytetin me sytë e dikujt që dëshiron të besojë, të jetojë lirinë, e të ëndërrojë. Ajo përpiqet të mbajë distancën estetike, por distanca prishet nga varfëria, nga nevoja për punë, nga tërheqja ndaj Sonit, nga përballja me Claudion, nga kërcënimi i MC-së e bashkëpunimi me Ernestin. Ajo shprehet: “Më pëlqen ky qytet. Është vulgar. I rrëmujshëm. I zhurmshëm. Dhe të gjithë sillen sikur me ardhjen e lirisë të gjitha problemet janë zhdukur”.

Në këtë fjali ka një admirim dhe një ankth njëkohësisht. Sepse menjëherë pas saj vjen kujtesa: “Por harrojnë. Harrojnë shtëpitë e djegura. Personat e zhdukur. Familjet e shkatërruara.”

Kjo është drama e vërtetë e shfaqjes. Jo lufta – por ajo që ndodh pas saj. Momenti kur njerëzit duan të jetojnë, të këndojnë, të duan, të fitojnë para, të ndërtojnë një normalitet, ndërsa një pjesë e tyre ende kërkon të vdekurit.

Në qendër të moralit të shfaqjes qëndron Shyretja, nëna që kërkon djalin e zhdukur, Fatbardhin. Ajo nuk është vetëm figurë tragjike; ajo është figurë ontologjike. “Kur ai u zhduk, emri i tij u bë ironi: fati nuk ishte më i bardhë, por i paqartë, i prerë në mes. I këputur nga lufta”.

Mirëpo Shyretja nuk e pranoi zhdukjen si fund, ajo vazhdonte të kërkonte informacione. Dhe kjo histori nis aty: te vendimi i saj për të mos e mbyllur kërkimin — “sepse disa histori ekzistojnë për të dëshmuar se fundi ende nuk është vendosur”.

Liria është të mos harrosh

Në këtë akt kërkimi që nuk përfundon, shfaqja e gjen një nga kuptimet më të thella të lirisë. Liria nuk është vetëm të jetosh. Liria është të mos harrosh. Është të mos pranosh mbyllje të rreme.

Por përballë kësaj qëndron një botë tjetër – ajo e kabaresë, e cila është më shumë se një lokal. Është një sistem. Një ritëm. Një mënyrë për të harruar. MC e përkufizon këtë filozofi me brutalitet kur këndon: “Parja botën rrotullon”. Dhe papritur, gjithçka bëhet mall – dashuria, trupi, ëndrra, shpresa. Shiten vajza ruse, japoneze, franceze, amerikane… dhe pastaj kosovare “të reja dhe të paprekura”.

“Njerëzit s’janë zhdukur vetëm nga plumbat. Janë zhdukur edhe nga pazaret. […] Me informata. Me shpresë të rreme. Dikush ka bërë tregti me fatin e të zhdukurve. Heshtje”. Këto fjalë të Sonit, të drejtuara ndaj Ernestit, janë akuzë e hapur. Ernesti (dhe MC) bëhen personifikimi i kapitalizmit primitiv të paqes – tregtarë të dhimbjes që blejnë dhe shesin heshtje, shpresë, kohë.

Në këtë botë, liria nuk është më një e dhënë. Ajo bëhet diçka që duhet negociuar çdo ditë. Kjo shfaqet qartë në përballjen mes Aidës dhe MC-së, kur ai i thotë me qetësi: “Këtu rehatinë e ke veç kur ta lejon dikush”.

Dhe më pas, si një ligj i heshtur i realitetit të ri: “Njeri? K’tu njeri bëhesh… veç kur t’lejojnë.”

Pikërisht këtu shfaqja ngre pikëpyetje: çfarë vlere ka liria nëse dinjiteti varet nga leja e dikujt tjetër? Dhe çfarë do të thotë të mbetesh njeri në një vend ku gjithçka mund të blihet?

Por “Kabare 1999” nuk është vetëm kaos. Brenda saj ka një dëshirë të fortë për të jetuar. Ajo shfaqet në mënyra të vogla, të papritura, ndonjëherë të brishta, por me humor e plot dashni. Në dashurinë e vonë mes Afërditës dhe Agimit, që duket pothuaj naive, por që është një akt i heshtur rezistence ndaj vetmisë. Në marrëdhënien e ndërlikuar të Dudijes me ushtarët e huaj, ku mbijetesa dhe mirënjohja përzihen në një zonë morale të paqartë. Në vetë Aidën, që vazhdon të shkruajë edhe kur e kupton se historia e saj nuk është më vetëm për të zhdukurin, por për ata që përfitojnë nga mungesa e tij. Këto nuk janë histori heroike. Janë përpjekje për të jetuar. Për të dashur. Për të mos u shuar.

Zymtësinë e përditshmërisë së pasluftës personazhet e ndrydhin dhe jetojnë mes dashnisë, seksit e qejfeve në Prishtinën që përqafon individualitetin e atyre që guxojnë, edhe pse të goditur ashpër nga lufta për mbijetesë (Foto: Rilind Beqa)

Jetë që nuk dorëzohet plotësisht

Për aktoren Semira Latifi, që e luan Aidën, formati i kabaresë ia ka lehtësuar procesin e krijimit të personazhit, teksa beson se shfaqja do të ketë jetëgjatësi.

“Mundem me thënë që kjo na ka ndihmuar shumë (formati kabare), na ka lehtësuar shumë për ta ndërtuar një personazh, e ka plotësuar personazhin shumë, si personazhin tim edhe të gjitha personazhet e tjera të cilat kanë skena së bashku, kanë storie së bashku. Është një formë e mirë e aktrimit ku secili aktor mundet me shfaqë talentin e vet në formën më të mirë të mundshme para publikut e që sonte ndodhi që publiku e priti tepër mirë, reagimet ishin tepër të mira edhe mendoj që është një projekt i cili ka me pas një jetë të gjatë edhe një publik shumë të fortë brenda vetes”, është shprehur ajo.

Kurse aktorja Aurita Agushi është shprehur se aventura e këtij produksioni veçse ka nisur.

“Jam e stërkënaqur (me reagimet e publikut) sepse aktori në skenë e ndjenë energjinë e publikut. Ia ndien edhe frymëmarrjen, ia ndien edhe energjinë. E di që aventura jonë veç sa ka nis edhe ka me qenë shumë e bukur me krejt ata bashkë që kanë me ardhë me pa këtë spektakël”, ka thënë Agushi, që luan në rolin e zonjës Afërdita.

Në fund, shfaqja nuk ofron një përgjigje. Ajo nuk e mbyll plagën. Nuk e shpëton askënd plotësisht. Por, ajo na lë me një ndjenjë të fortë: se jeta, edhe kur është e çrregullt, edhe kur është e ndotur, vazhdon të kërkojë lumturinë.

“Kabare 1999” na sjell Kosovën e pasluftës jo si heroizëm të ngrirë, por si jetë e gjallë, e çrregullt, por ende e padorëzuar plotësisht.

“Mirë se vini në kabare. Dhe mos harroni – drita fiket kur vendosim ne”.

“Gratë e Trojës” edhe me rrëfime Kosove, pas Italisë rikthehet në Serbi

https://www.koha.net/kulture/grate-e-trojes-edhe-me-rrefime-kosove-pas-italise-rikthehet-ne-serbi

“Gratë e Trojës”, nën regji të Zana Hoxhës e Maja Mitiqit, është dhënë në skenën e festivalit “Tempora Contempora” në Lecce të Italisë

Shfaqja që evokon vargjet e Euripidit dhe i ndërthur ato me historitë moderne tek prek vuajtjet në Gazë, Ukrainë, Somali, Kongo e edhe në Kosovë, ka pasur stacion të radhës Italinë. “Gratë e Trojës”, realizuar nga ekipi nga Kosova e Serbia, njihet edhe nga publiku në Beograd, e aty do të rikthehet në nëntor si një vepër e cila nëpërmjet gjuhës së teatrit dënon atë që po ndodh në botën e mbërthyer prej luftërave që nuk ndalen

Dhembja e pareshtur e Kosovës e plaga që lëngon edhe sot me vuajtjet e rreth 20 mijë grave viktima të dhunës gjatë luftës, është njëra prej temave që shpaloset te “Gratë e Trojës”, e shfaqja në tërësi është ngjitur edhe në skenën e festivalit “Tempora Contempora” në Lecce të Italisë. Ndarja e roleve të projektit të organizatës “ArtPolis” me kastë të teatrit serb “DAH”, nisur nga regjia e aktorët, ka qenë përshtypja kryesore e publikut italian. 

Po kjo temë e ky komunikim, i cili tejkalon kufijtë politikë me gjuhë të teatrit, rikthehet në zemër të Beogradit në nëntor. 

Është një shfaqje që evokon vargjet e Euripidit dhe i ndërthur ato me historitë moderne. Nga lufta e Trojës mijëra vjet më parë, rrëfimi vjen me vuajtjet në Gazë, në Ukrainë, në Somali, Kongo e edhe në Kosovë. Si cikël i pafundmë i tragjedisë. 

Me dramatizim nga Shpëtim Selmani dhe nën regji të Zana Hoxhës e Maja Mitiq, aktore e regjisore serbe, shfaqja bazohet në tragjedinë greke me të njëjtin titull nga Euripidi. 

Aktorët Maja Mitiq, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojkoviq, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski e kanë ngjallur rrëfimin edhe në Itali. 

Festivali “Tempora/Contempora” konsiderohet si eksplorim i horizonteve të gjera që u jep zë dhe hapësirë “mbi të gjitha një brezi të ri artistësh dhe interpretuesish, ende të panjohur për publikun e gjerë dhe median”. 

Bashkëregjisorja e shfaqjes, Zana Hoxha, njëherësh drejtuese e organizatës “ArtPolis”, ka treguar se atje shfaqja është pritur mjaft mirë dhe se e ka prekur publikun në Lecce. 

“Një prej gjërave që më së shumti u ka bërë përshtypje është ndërlidhja me historitë moderne, fakti që shfaqja tregon qysh prej gati katër mijë vjet më herët. Është shkruar për historinë e grave të Trojës, historia e grave të skllavëruara pas luftës. Mirëpo mandej qysh i kemi edhe historitë e sotme ku ka luftë dhe konflikt, për shembull, në Gazë, në Kosovë, historinë e Kubës që e kemi përdorur, sikur edhe në Algjeri pas luftës me Francën, sipas Sartreit”, ka treguar ajo në një bisedë për KOHËN. 

Shfaqja u dha në hapësirën e qendrës kulturore “Manifatture Knos”, të enjten e kaluar, në kuadër të edicionit të gjashtë që u mbajt prej 31 gushtit deri më 6 shtator. 

Në program ka qenë dhe shfaqja me të cilën, sipas regjisores Hoxha, dënohet me gjuhë dramaturgjike kaosi aktual në botë. 

“Dënojmë me gjuhën e dramaturgjisë atë që po ndodh edhe sot ku nuk po ndalen luftërat, dhimbjet dhe në njëfarë mënyre tërheqim këtë paralele me sot. Kjo u ka bërë përshtypje se si të dy ekipet u janë dukur që kanë punuar bashkë për një kohë e gjatë, pra kohezioni i aktorëve si të jenë një ansambël i vetëm”, ka thënë ajo, duke dhënë detaje mbi të dhënat që përdoren në shfaqje.

“Ne kemi përdorur një histori të vërtetë të një gruaje nga Podujeva, e cila është intervistuar në fillim të viteve 2000 nga ‘Associated Press’. Ajo tregon se si ka jetuar vetëm me dy prindërit. Babanë e ka pasur në karrocë dhe kanë hyrë forcat paramilitare, e kanë dhunuar në sytë e prindërve të saj. Babai i saj ka vdekur paslufte nga pikëllimi, ndërsa nëna ishte hedhur në bunar, sepse nuk ka mundur të vazhdonte të jetonte me atë çfarë ka ndodhur me nënën e saj. Kjo grua ka vazhduar të jetojë. Prindërit e saj i kanë vuajtur njëjtë pasojat në një mënyrë tjetër, e cila më pas ka rezultuar me vdekjen e tyre të parakohshme”, ka treguar regjisorja Hoxha. 

Këtë rol e interpreton Semira Latifi, sikurse edhe atë të Kasandrës. “Ajo thotë: ‘kjo është Kasandra e ditëve të sodit” dhe “këto janë 20 mijë Kasandrat e Kosovës pas luftës’”, ka transmetuar Hoxha. 
Shfaqjen e unifikon fakti se personazhet flasin midis vete pa kuptuar dhe pa u kuptuar çfarë thotë tjetri që nuk flet të njëjtën gjuhë si folësi. Në rrethana të zakonshme kështu do të ndodhte në një bisedë të zakonshme. 

“Nëna dhe vajza aty njëra komunikon në shqip e njëra serbisht dhe ata komunikojnë e kuptohen sikur e njohin gjuhën e njëra-tjetrës. Aktorët serbë nuk e dinë fare gjuhën shqipe. Në krejt projektin ata kuptohen me gjuhën e teatrit”, ka shpjeguar regjisorja Zana Hoxha. 

Premiera e shfaqjes u dha tetorin e kaluar në teatrin “Dodona” në Prishtinë. U inskenua edhe në Beograd në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në fundnëntor. Për dy net radhazi transmetoi, midis tjerash, edhe pasojat e krimeve të forcave serbe në Kosovë. 

“Kur është dhënë shfaqja në Serbi, shumë prej publikut kanë dëgjuar që 20 mijë gra të të gjitha komuniteteve janë dhunuar në Kosovë”, ka kujtuar Hoxha. 

E shfaqja “Gratë e Trojës” në kryeqytetin serb rikthehet pas një viti. Në nëntor do të shfaqet në “Reflektor Teatar”, që ka për mision “promovimin e formave teatrale eksperimentale, politike dhe inovative, me një fokus të veçantë në prodhimin e skenave të pavarura të arteve performuese në rajon”. 

Në shumë prodhime artistike të Kosovës të cilat marrin rrugë për t’u shfaqur nëpër qytetet e Serbisë, shpesh ngjan që ekipet të hasin në lëvizje nacionaliste. Vjet nuk ka pasur të tilla për ekipin e “ArtPolis” e drejtuesja e organizatës ka thënë se nuk presin as sivjet. 

“Në Serbi tash situata politike është shumë e ndjeshme, protestat e studentëve nuk janë ndalur, po bëhet gati një vit. Situata është pak më jostabile dhe ne do ta përcjellim me kujdes deri në fund. Nëse është e rrezikshme për ekipin, së pari nuk i dërgoj, mirëpo është një festival që organizohet nga ‘Reflektor Teatar’ në Beograd, në një hapësirë që është për njerëz më mendjehapur, më demokratë, jo për nacionalistë”, ka thënë ajo.

Incidente të tilla i ka quajtur të inskenuara. 

“Unë mendoj se ka ekipe në Kosovë dhe në Serbi që edhe i inskenojnë incidentet për të pasur popullaritet më të madh shfaqja. Ne nuk kemi inskenuar ndonjëherë incidente dhe nuk do të kemi nevojë”, ka thënë Hoxha. 

E shfaqja “Gratë e Trojës” ka ende rrugë për të bërë. Synon edhe Zvicrën, për të cilën po pritet konfirmimi.

Kur viktima kthehet në fajtor… një fenomen që nuk gjendet vetëm te Vojçeku, por edhe në realitetin tonë

Media: Observerkult.com
Titulli i storjes: Kur viktima kthehet në fajtor… një fenomen që nuk gjendet vetëm te Vojçeku, por edhe në realitetin tonë
Data: 24.02.2025
Linku: https://observerkult.com/kur-viktima-kthehet-ne-fajtor-nje-fenomen-qe-nuk-gjendet-vetem-te-vojceku-por-edhe-ne-realitetin-tone/?fbclid=IwY2xjawIvIOlleHRuA2FlbQIxMQABHUYQ134tHWydrKnlP2AML8yXktsl1dG0nX3xG_xwqDxdxJnRlJrPMPZbdA_aem__R-USuPrvAgoJdxm9PvXxA

“Vojçeku”, njeriu mes fatit dhe lirisë

Nga Sibel Halimi

Së fundi në Gjakovë u shfaq premiera e dramës “Vojçeku” në regji të Zana Hoxhës.

Në këtë interpretim skenik të fatit njerëzor, personazhi kryesor, Vojçeku, shfaqet si një reflektim i fuqishëm mbi ekzistencën dhe shtypjen e njeriut nga rrethanat, duke ngritur pyetjen thelbësore: A është njeriu i lirë, apo i robëruar nga fati dhe e kaluara e tij?

Në dramën “Vojçeku”, fëmijëria e protagonistit nuk eksplorohet drejtpërdrejt, por prania e një djali të vogël në skenë si personifikim i kujtesës së tij thekson peshën e së kaluarës në formësimin e tragjedisë së tij.

Ky element skenik krijon një lidhje të fuqishme mes kujtesës dhe fatit, duke thelluar kuptimin e rrënjëve të vuajtjes së Vojçekut.

I shtypur në fëmijërinë e tij, Vojçeku na kujton thënien e Friedrich Nietzsche “Ai që lufton me përbindësha duhet të kujdeset që të mos bëhet vetë një përbindësh.”

Tragjedia e tij nuk është një ngjarje e rastësishme, por një vazhdimësi e pashmangshme, ku ai, i shtyrë nga dhuna dhe padrejtësia, shkatërron gjithçka përreth vetes.

Vojçeku paraqitet si një individ i thyer, i shtypur nga varfëria dhe padrejtësia sociale. Ai nuk është në gjendje të ngrihet mbi rrethanat e tij, duke sugjeruar se jeta e tij ka qenë e dënuar që në fillesë. Nga një këndvështrim psikologjik dhe filozofik, fëmijëria e tij mund të shihet si një periudhë ku ai mësohet me nënshtrimin dhe me mungesën e fuqisë për të ndryshuar fatin e tij. Mungesa e një baze të fortë emocionale e bën atë të pambrojtur ndaj shfrytëzimit, duke e çuar drejt shkatërrimit.

Në këtë mënyrë, fëmijëria e Vojçekut nuk është thjesht një e kaluar e errët, por një fillim i pashmangshëm i tragjedisë që ai jeton. Përmes syve të tij shohim një individ të luhatur mes instinktit dhe moralit, mes arsyes dhe çmendurisë. Drama e tij mishëron idetë ekzistencialiste, ku njeriu përballet me absurditetin e jetës dhe kufizimet e jashtme që formësojnë fatin e tij. Ai nuk është vetëm një viktimë e fatkeqësisë, por një simbol i pashmangshmërisë së vuajtjes që përcakton ekzistencën njerëzore.

Adaptimi i Jack Thorne dhe një regji fantastike nga Zana Hoxha e sjellin këtë dilemë në një kontekst modern, duke dëshmuar se sfidat e Vojçekut nuk i përkasin vetëm një epoke të largët, por janë universale.

Në një shoqëri ku individi shpesh ndihet i papërfillshëm përballë forcave të mëdha sociale, Vojçeku bëhet një pasqyrë e realitetit tonë, duke na bërë të reflektojmë mbi kufijtë e lirisë sonë dhe mbi peshën e ekzistencës.

Kjo shfaqje nuk është thjesht një rrëfim tragjik, por një ftesë për të menduar mbi njeriun – mbi atë që e shkatërron dhe mbi shpresën e heshtur për një realitet ndryshe.

Në thelbin e saj, tragjedia e Vojçekut është historia e një njeriu të shfrytëzuar në të gjitha aspektet – ekonomikisht, psikologjikisht, moralisht dhe emocionalisht. Ai është viktimë e një shoqërie që e përdor dhe e flak tutje kur nuk i nevojitet më.

Ironia më e madhe qëndron në faktin se, pasi është shkatërruar nga të gjitha këto forma shtypjeje, shoqëria e gjykon si përbindësh. Ai nuk shihet si një njeri që ka vuajtur, por si një kriminel që duhet të përballet me pasojat. Viktima kthehet në fajtor – një fenomen që nuk gjendet vetëm te Vojçeku, por edhe në realitetin tonë.

Në një kuptim më të gjerë filozofik, Vojçeku nuk është vetëm një individ, por një simbol i të gjithë atyre që shtypen nga një sistem i padrejtë. Ai është një dëshmi se si shoqëria mund të shfrytëzojë një njeri deri në pikën kur ai nuk ka më asgjë për të humbur – dhe më pas ta gjykojë për dëshpërimin e tij.

A është Vojçeku një viktimë, apo një pasqyrë e shoqërisë që e krijoi? Kjo dilemë vazhdon të mbetet e hapur, duke na sfiduar të reflektojmë mbi përgjegjësinë kolektive ndaj individëve të shtypur dhe mbi mënyrën se si shoqëria formëson fatin e tyre.

ObserverKult

“Vojçeku” lë jehonën e njeriut të tjetërsuar deri në fund tragjik

Media: Koha.net
Titulli i storjes: “Vojçeku” lë jehonën e njeriut të tjetërsuar deri në fund tragjik
Data: 23.02.2025
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/vojceku-le-jehonen-e-njeriut-te-tjetersuar-deri-ne-fund-tragjik?fbclid=IwY2xjawItdR9leHRuA2FlbQIxMQABHeGlTlD02y1J6kDXZNbJgkXHbdvWZQf5BGfRfVDOJhLWAC_Tels7fZjb4w_aem_7IhMPRNRvyz1V6_qLDss4A

Jeta e Vojçekut është poshtërim i pafundmë. Nga të gjithë ai përqeshet, përbuzet, nënçmohet. Në skenën e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, “Vojçeku” i Georg Büchnerit nën regji të Zana Hoxhës është vënë si version më modern i veprës, me tekst të përshtatur nga dramaturgu anglez Jack Thorne. Aty bashkëjetojnë çmenduria, efekti i punës çnjerëzore, alkoolizmi dhe jo vetëm. Fundi është tragjik, e në realitet është alarm

Shfaqje përmasash të tilla, synojnë efektin që zgjat te publiku. Provon ta arrijë atë që teatri e synonte qysh në zanafillë – katarsisin. Këtë rol ka “Vojçeku” i njërit prej dramaturgëve më të mëdhenj gjermanë, Georg Büchner. Nën regji të Zana Hoxhës, rrëfimi i frymëzuar në ngjarje të vërtetë është zbardhur në Gjakovë dhe sipas regjisores ai rezonon mjaft mirë edhe me këtë qytet. Drama është portret i fuqishëm dhe thellësisht emocional i vuajtjes dhe efektit shkatërrues të padrejtësive në shoqëri. 

Në skenën e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, “Vojçeku” është vënë si version më modern i veprës, me tekst të përshtatur nga dramaturgu anglez Jack Thorne. Aty bashkëjetojnë çmenduria, efekti i punës çnjerëzore, alkoolizmi dhe jo vetëm. 

Vepra që shquhet si gur themeltar për teatrin gjerman ka në qendër Franz Vojçekun, ushtarin që plotëson të ardhurat e tij të pamjaftueshme duke kryer punë nga më të çuditshmet. Madje duke “helmuar” veten duke marrë pjesë në eksperimente njerëzore. 

Me t’u ngritur perdet e skenës, paralelisht nis edhe muzika me ritme rocku, interpretuar nga Kreshnik Koshi. Skena dashurie në hapje të shfaqjes bëjnë të ditur se njëra nga temat qendrore është po ashtu dashuria e kryepersonazhit për gruan e tij, Marian, që luhet nga aktorja Vlora Dervishi. 

Vojçek, rol që e luan aktori Bujar Ahmeti, duke u kthyer shpejt në detyrën e tij si ushtar, zbulon karakterin e tij prej burri besnik dhe jolakmitar derisa flet me mikun e tij më të afërt dhe të vetmin. Është Andrew, që luhet nga aktori Edi Kastrati, si karakter krejt i kundërt nga protagonisti qendror. Por zbulohet edhe gjendja e tij financiare. Vështirësitë e klasës punëtore mund të përmblidhen si temë e komplet dramës. Ngjarja zhvillohet në Gjermani.

Jeta e Vojçekut është poshtërim i pafundmë. Nga të gjithë ai përqeshet, përbuzet, nënçmohet. Veçmas nga kapiteni i tij, që luhet nga Arbies Komoni. Paralele midis të pasurit dhe të varfrit ngrihen veçmas kur gruaja e kapitenit, Megi, që luhet nga Aurita Agushi, e viziton Marian, që i jep për detyrë të shpërndajë dy mijë zarfe nëpër qytet. Sipër shtëpisë ku ata banojnë është thertorja që kundërmon rëndë. 

Kur Vojçeku ndeshet në një formë për të siguruar para, gjendja e rëndë financiare reflektohet kur nuk i intereson fare të dijë sesi praktikohet ajo dhe cilat janë efektet e pasojat. Është testim medikamentesh për të parë sesi trupi reagon ndaj tyre. 

“Një djalë që jeton në kushte të vështira dhe që e do shumë gruan e tij. Ai do ta ndryshojë pak jetën e tij duke iu nënshtruar një testi mjekësor i cili e çon në një gjendje tjetër mendore”, ka thënë aktori Bujar Ahmeti që luan rolin që ia jep dramës edhe titullin.

Ngjarjet vijnë edhe si pasojë e traumave nëpër të cilat ka kaluar protagonisti (Foto: Rilind Beqa)  

Ka thënë se në shfaqje, mirësia e Vojçekut keqpërdoret dhe shfrytëzohet naiviteti i tij. 

“Ky është një motërzim, dramatizim i tekstit të Büchner ku autori ka bërë një ndryshim ku vjen në pah karakteri i një djali të rëndomtë, që nuk e ka gjendjen e mirë financiare, i cili i nënshtrohet testit. Njerëzit përreth tij ia lakojnë komplet jetën, ia keqpërdorin mirësinë e tij, naivitetin e tij dhe fillon gradualisht të bjerë në ato pozita çfarë janë të shkruara në tekst e që ne i kemi ekzekutuar me performancë”, ka thënë aktori Bujar Ahmeti. 

Dieta e rreptë e mjekes, të cilën e luan Altina Kusari, e çon përherë e më shumë në çmenduri. Fillon të ketë halucinacione. Sheh veten si fëmijë tek vrapon duke ikur nga e ëma. Vojçekun e vogël e luan Eden Kastrati. 

Aktorja Aurita Agushi e konsideron tematikën e kësaj shfaqje si tejet emocionale. 

“Jam pritur shumë mirë nga kolegët, më kanë bërë të ndihem si në shtëpi. Procesi ka shkuar vaj. Kjo sigurisht kur punon. Tema është shumë e vështirë, shumë e rëndë, shumë emocionale. Ka situata shumë dramatike, deri në tragjedi. Ne themi që para premierës jemi si bombë me sahat, por që në fund ky rezultat që e patë, është rezultat i punës së jashtëzakonshme, në radhë të parë të Zanës, pastaj aktorët, por edhe i gjithë stafi që nuk shihet në skenë”, është shprehur ajo. 

Me t’u ngritur perdet e skenës, paralelisht nis edhe muzika me ritme rocku, interpretuar nga Kreshnik Koshi  (Foto: Rilind Beqa)

Nga gjendja e rëndë psikologjike, papritmas Vojçekun e kap frika nga vdekja. Kthehet në përbindësh në raport me bashkëshorten. Nis të shfaqet temperamenti i tij. Përballet me të kaluarën e tij e cila nuk duket aq e mirë. Ai është rritur pa prindër. Duke takuar fëmijërinë e tij, i rëndohet edhe më shumë gjendja. 

Aktori Ahmeti ka thënë se është dashur të hulumtohet mirë materiali për të kuptuar gjendjen e personazhit. 

“Është pak sfiduese sepse duhet të hulumtohet, duhet ditur çfarë krizash nervore, çfarë problemesh e shqetësimesh ka. Në bashkëpunim me Zanën, gjithë ekipin, me shumë sugjerime e propozime kemi ardhur deri te ky rezultat. Shpresoj që kemi bërë punë të mirë. Besoj se publiku i Gjakovës do ta presë mirë këtë shfaqje dhe shpresoj se do të ketë jetë të gjatë”, është shprehur ai. 

Goditjen e fundit kryepersonazhi e merr nga miku më i afërt i tij, Andrew. 

Aktori Edi Kastrati, që e luan këtë rol, ka thënë se ky personazh është pasqyrë e sjelljes së njerëzve që na rrethojnë dhe mënyrës sesi ata ndikojnë në jetë. 

“Andrew është njëri prej personazheve, mik i afërt dhe i vetmi i Vojçekut, që e pamë shumë mirë se çfarë ndodhi me të, sesi ia gatoi dhe sesi ia bërë jetën. Një personazh shumë i mirë, i cili na tregon shumë mirë, shumë qartë se duhet të kemi shumë kujdes me rrethin që na rrethon, sidomos në këto rrethana që po jetojmë. Rrethi është i vetmi shqetësim i njerëzve. Rrethi që na shtyn të bëjmë gjëra, që na komploton dhe na rregullon situatat e këqija. Mendoj se kemi arritur ta realizojmë atë që autori ka dashur ta thotë me Andrew”, është shprehur ai. 

Shfaqja “Vojçeku” zgjat dy orë dhe s’është fort lehtë ta mbajë ritmin e të mos e prekë monotoninë.
Procesin e punës, Kastrati e ka konsideruar sa të mundimshëm, aq të kënaqshëm. 

“Tash jemi liruar krejtësisht prej një emocioni, pasi patëm shumë emocione të them të drejtën. Shfaqje e mundimshme për ne, por shumë e kënaqshme, sidomos kur e shohim që ka rezultuar me sukses te publiku, ne jemi shumë të kënaqur me rezultatin”, ka thënë ai pas shfaqjes. 

E aktori Bujar Ahmeti e konsideron si punë të madhe të krejt ekipit të shfaqjes. 

“Jemi kënaqur shumë. Ka qenë punë intensive, për mua është shumë kënaqësi të punoj në Teatrin e Gjakovës, është qyteti im dhe për të dytën herë po punoj edhe me Zanën. Jam shumë i lumtur, besoj që e kemi jetësuar një shfaqje shumë të mirë”, është shprehur ai. 

Në shfaqje, dashuria midis personazheve është e shtirur. Tradhtia shfaqet haptazi e tërthorazi. 
Një element sa i çuditshëm, po aq edhe asi që zgjon kureshtje, ka qenë materiali prej plastike, me ngjyrë të zezë, që zgjatet në një pjesë të skenës. Roli i tij zbulohet vetëm në fund kur Maria pështillet me të si një shenjë mbrojtjeje nga Vojçeku, por ngulfatet nga ai po me këtë material. Po në të njëjtën formë e vret edhe veten. 

Regjisorja e shfaqjes, Zana Hoxha, ka thënë se krejt këto ngjarje vijnë edhe si pasojë e traumave nëpër të cilat ka kaluar protagonisti. 

“Shfaqja ka të bëjë me një person fatkeq, Vojçekun, i cili ka kaluar nëpër trauma gjatë fëmijërisë së tij, të cilat vihen në pah dhe zmadhohen edhe më shumë kur ai bëhet pjesë e një eksperimenti mjekësor, për shkak të kushteve të vështira që e shtyjnë drejt këtij eksperimenti. Ai humb gjënë më të dashur në jetë – gruan e tij – e cila përfundon e vrarë nga ai dhe ai vret veten. Një fund tragjik, por mendoj se nuk mund të ketë një fund të lumtur pas kësaj”, është shprehur ajo. 

Ka bërë të ditur se provat kanë nisur më 15 janar dhe se janë gjithsej 24 ditë prova për shfaqjen dyorëshe. 

“Ka pasur angazhim maksimal nga tërë ekipi dhe jam shumë e lumtur me rezultatin sepse ky teatër është i vetmi i tillë në Kosovë me këto përmasa infrastrukturore. E di që publiku sonte është emocionuar, jam emocionuar edhe unë dhe kemi arritur të nxjerrim më të mirën që kemi mundur. Është realizuar koncepti im dhe ajo çfarë unë kam dashur me këtë shfaqje. Besoj se sonte ka ardhur një frymë e kësaj shfaqje edhe te publiku”, ka thënë regjisorja Hoxha.

Në shfaqje ka edhe skena humori midis aktorëve, por me të njëjtin efekt nuk përcillen te publiku. 
Hoxha ka thënë se këto skena qëllimisht nuk janë zmadhuar. 

“Në të njëjtën kohë paralelisht ndodhin gjëra shumë të dhimbshme dhe ato momente humori janë me cinizëm, me sarkazmë dhe nuk kemi dashur t’i rrisim ato më shumë sepse pastaj del që personazhi mund të jetë edhe më tragjik sesa është. Mendoj se e kemi bërë një shfaqje e cila lirisht mund të reprezentojë Gjakovën në shumë nivele”, ka thënë regjisorja. 

Bujar Ahmeti në rolin e Vojçekut dhe Edi Kastrati në Andrew në shfaqjen “Vojçek” (Foto: Rilind Beqa) 

Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Tomor Kuçi, ndërsa lëvizjet skenike janë nga Nicoletta Bonanni nga Anglia. Skenografinë dhe kostumet i ka punuar anglezja Grace Rumsey. 

“Bashkëpunimi ka shkuar shumë mirë që nga fillimi. E kemi dizajnuar bashkë si pjesë e një projekti konceptual dhe pastaj Zana më tha se me të vërtetë do ta bëjmë këtë skenografi. Është nder ta punoj në këtë teatër kaq të mrekullueshëm, veçmas që ky është dizajni i parë profesional i imi”, është shprehur Grace Rumsey. 

“Vojçeku” i Büchnerit konsiderohet si një nga dramat më të interpretuara dhe më me ndikim në letërsinë gjermane. Sipas të dhënave për shfaqjen, autori u frymëzua nga historia e vërtetë e Johann Christian Woyzeck, parukier dhe ushtar i Lajpcigut, i cili në vitin 1821, si shkak i xhelozisë, vrau Christiane Woost me të cilën bashkëjetonte. 

Büchner e shkroi tekstin e shfaqjes në vitin 1836, por mbeti i papërfunduar si pasojë e vdekjes së tij nga tifoja në shkurt 1837. Por ai do të sqaronte qëllimet e tij për veprën nëpërmjet një letre që do të linte pas. 

“Unë nuk e përbuz askënd, veçanërisht për shkak të intelektit ose edukimit, pasi nuk është fuqi e askujt që të mos bëhemi kryetarë ose kriminelë – sepse në të njëjtat kushte do të bëheshim të gjithë të njëjtë, ose sepse nga jashtë kushtet na gënjejnë të gjithëve”, do të shkruante autori Büchner. 

Një mesazh të tillë e lë si jehonë edhe “Vojçeku” i Gjakovës.

Gratë ballkanase vënë në skenë dramën e lashtë greke për të dënuar vuajtjet e grave në luftë

Media: Freance24; Teelegrafi.com
Titulli i storjes: Gratë ballkanase vënë në skenë dramën e lashtë greke për të dënuar vuajtjet e grave në luftë
Data: 23 nëntor 2024
Linku: https://telegrafi.com/afp-grate-ballkanase-vene-ne-skene-dramen-e-lashte-greke-per-te-denuar-vuajtjet-e-grave-ne-lufte/

Mediumi i njohur francez AFP, i ka dedikuar një artikull, dy grave ballkanase, njëra kosovare dhe tjetra serbe, për adaptimin e një tragjedie të lashtë greke që vë theksin jo tek shkatërrimi që lufta iu shkakton grave, por tek aftësia e grave për t’u shëruar e rezistuar.

Bëhet fjalë për veprën e njohur “Gratë Trojane”, tragjedi e shkruar nga Euripidi, e shfaqur për herë të parë në vitin 415 para Krishtit dhe kjo vepër është një dënim i ashpër i mizorive të luftë. Tragjedia fokusohet në mjerimin dhe padrejtësitë që përjetojnë gratë e Trojës pas konfliktit ndërmjet popullit të tyre dhe grekëve.

Tani, kjo vepër e lashtë greke është adaptuar nga dy artistet  Zana Hoxha (që vjen nga Kosova) dhe Maja Mitic (që vjen nga Serbia) dhe është shfaqur në Prishtinë dhe Beograd.

Versioni i Hoxhës dhe Mitic, për sa i përket veprës, ka një fokus të veçantë, shkruan AFP.

“Në versionin tonë, ne ecim përpara duke u kujdesur gjithashtu për njëra-tjetrën, duke gjetur mënyra për të shpëtuar fëmijët tanë”, ka deklaruar Hoxha e cila është regjisore e shfaqjes “Gratë e Trojës”.

“Kjo tregon se në mes të konfliktit dhe luftës, në mes të urrejtjes, gratë janë ato që gjejnë mënyra për të rezistuar”.

Siç shkruan AFP, ky adaptim i veprës i jep jehonë diskutime të pafundme ndërmjet politikanëve [burra] të Serbisë dhe Kosovës, të cilët një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, ende nuk kanë arritur një paqe të qëndrueshme. Gratë në këtë rast, negociojnë në skenën e dizajnuar me seriozitet.

Si kosovare dhe regjisore feministe, Hoxha e cila “ende ka kujtime të hidhura nga lufta”, ajo deklaroi për mediumin se “ishte e rëndësishme ta realizonin këtë shfaqje, sepse fatkeqësisht është shumë relevante edhe sot”.

PËRTEJ GJUHËS

Në dramën e Euripidit, gratë e Trojës martohen dhunshëm me armiqtë e tyre, vriten dhe sakrifikohen mbi varret e burrave që ranë në betejë.

Ato janë viktimat e luftës që pason.

“Kjo histori duhej të tregohej nga dy gra”, thotë Mitic, e cila është bashkë-regjisore e Hoxhës.

“Burrat, ata bëjnë luftërat… Pasojat bien mbi gratë dhe fëmijët e tyre”, u shpreh ajo.

Mitic e portretizon Hekubën, ish-mbretëreshën e Trojës, së cilës fëmijët i sakrifikohen, njëri pas tjetrit, për shkak të marrëzive të luftës.

Ajo reciton tekstin e Euripidit në gjuhën serbe, derisa Taltibi, që vjen për t’i njoftuar gratë për fatin e tyre, përgjigjet në shqip.

Përkthimi në anglisht shfaqet në murin mbrapa.

Ajo që me të vërtetë është në një moment në këtë shfaqje, shikuesit nuk mund të dallojnë më gjuhët e ndryshme, sepse siç shkruan AFP, dhimbja është universale.

“Marëdhënia, emocionet që këta aktorë janë në gjendje t’i bartin, janë më të rëndësishme se barrierat gjuhësore”, u shpreh Hoxha.

“ARTI KA FUQI”

Dhe, pavarësisht nëse flasin serbisht, shqip ose anglisht, shkruan AFP, gratë trojane i bëjnë audiencat të reflektojnë dhe t’i zemërojnë.

“Edhe personazhet tona janë të zemëruara”, shpjegon Hoxha. “Thonë, ‘mjaft më, nuk e duam më këtë’. “Pse po vuajmë? Pse duhet që Kasandra të ekzistojë ende sot? Pse Andromaka duhet të humbasë fëmijën e saj?”.

Në një moment të shfaqjes, Andromaka thotë se dëshiron të mund të ecë lirshëm me burrin dhe djalin e saj, pa u ndjerë e kërcënuar në rrugë, kujton Hoxha. Kjo ndjesi mbetet e pandryshuar për gratë sot, sipas saj.

“Ka vetëm disa vende në botë ku ndihem plotësisht e sigurt për të qenë vetvetja. Ne po përpiqemi ta ndryshojmë këtë”, shtoi ajo. “Nuk mendoj se shfaqja vet mund ta bëjë këtë. Por, arti e ka fuqinë të të sjellë diçka që ndoshta nuk e kishe ditur as që ekzistonte”.

Theksi në adaptimin e Hoxhës dhe Mitic mbi rëndësinë universale të shqetësimeve të protagonistëve shtrihet edhe në zgjedhjen e kostumeve të tyre.

Personazhet janë të veshur në lëkurë të zezë dhe çizme deri te kyçet e këmbës — një uniformë që mund t’i përkasë çdo ushtrie në botë.

Po ashtu, Hekuba mund të jetë çdo nënë që vajton kudo në botë.

Është një histori për gratë dhe luftën “në çdo pjesë të botës, në çdo shekull, në çdo kulturë, në çdo fe”, tha Mitic.

“Kjo është historia që Euripidi e shkroi shekuj më parë, por në fakt ne shohim përsëritjen e të njëjtit model gjatë luftës, pas luftës – përdhunime, kriminelë, gjithçka. Ajo që shohim në këtë shfaqje, e shohim vërtet (sot) në Ukrainë, Gaza, ose në Kosovë, Bosnje, ose kudo ku ndodhin konflikte, përfshirë Somalinë dhe Sudanin”, tha Mitic. /Telegrafi/

Zëra të padëgjuar: “Gratë e Trojës” zërojnë rrëfimin e dhunimeve në luftë

Media: KTV
Titulli i storjes: Zëra të padëgjuar: “Gratë e Trojës” zërojnë rrëfimin e dhunimeve në luftë
Data: 10 nëntor 2024
Linku: https://www.koha.net/shtojca-kulture/zera-te-padegjuar-grate-e-trojes-zerojne-rrefimin-e-dhunimeve-ne-lufte

Nga: Col Mehmeti

Të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar. Me një dallim të shënueshëm prej veprës origjinale të Euripidit, ku perdet bien me vaje e tragjedi, kjo performancë sjell shpresë nëpërmjet ndërfutjes së momenteve me humor

Sot, shkrehja e thirrjeve kundër luftës mund të duket si gjëja më e lehtë për t’u bërë. Për fat të keq, ka raste e raste kur është si për dreq zor që të shquhet vija ndarëse mes zemëratës së njëmendët dhe gjakimit për të bërë kapital moral, shtirjes për drejtësi morale apo vetafirmimit egoist. Megjithëkëtë, kur thirrjet kundër luftës ngrihen mbi themele vuajtjesh njerëzore mes vigmash, çirrjesh e vajesh të pikëllimta, arti i madh e përshkon tejpërtej ndërgjegjen njerëzore. Mbi sfondin e së tashmes së tij me luftëra të kurrëmbarimta që po e pllakosnin Greqinë e shekullit të 5-të para erës sonë, Euripidi zëroi botën e brendshme copë-copë të grave fatkeqe dhe makthit të kudondodhur të luftës.

E krijuar në vitin e largmë 415 para erës sonë, drama Trōiades nuk sjell mejdanet heroike të Trojës, mësymjet plot dalldi kundër mureve e bedenave të saj, trillet e Zotave apo rrengjet e palëve të hasmuara. Përkundrazi, Hekuba, Kasandra, Andromaka, Helena dhe kori i grave të vrerosura janë heroinat tragjike në shkrumbnajën e luftës së hatashme. Fitues e humbës qëndrojnë njësoj përballë stivës me të vdekur, mes të cilëve janë edhe më të dashurit e tyre dhe gjithë ajo botë e shuar që duket sikur nuk ekzistoi askurrë. Nëpërmjet dramës së tij, Euripidi e rifrymëtoi të kaluarën homerike, madje anën më të errët të saj, për të aluduar tek e tashmja e zymtë dhe lemeritëse ku poliset greke, të zhytura në luftëra ndërmjet vete, po i skalisnin vetes një epitaf turpi.

Aty ku Euripidi vetëm me ngurrim shfaqte ndonjë kundërvënie ndaj Zotave për shpërfilljen e tyre, kjo performancë nga Prishtina plot guxim e pa fije frike thotë që vetë feja është fabrikë dhune. Bota e rrënuar e Trojës ka viktima andej e këndej, por të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar
 

Troja e lashtë, Troja moderne

Vepra antiluftë e Euripidit ka rezonime të gjithëkohshme e të gjithëbotshme, por rimbushja e saj me gjuhë të re, me zëra të rinj e prekje bashkëkohore është një grishje e fortë që të ulesh, posi teatërdashësit e dikurshëm athinas me rastin e Dionisisë, e të shohësh produksionin më të ri të Euripidit. Ndjesi të tilla shpërvilen edhe në performancën teatrore “Gratë e Trojës” e bashkëregjisoruar nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić, që për të dytin vit me radhë u shfaq në Teatrin Dodona në Prishtinë. Me fillesë nga një proces krijues bashkëpunimi mes Prishtinës e Beogradit, shfaqjet e saj për dy mbrëmje me radhë, më 5 dhe 6 nëntor, vunë në pah një stërhollim performimi nga artistët e trupës së “Artpolisit” dhe kolegëve të tyre nga Serbia. 

Qysh më 1965, Sartri pati bërë një përshtatje të kësaj drame kurdoherë të re, e cila qëlloi të ishte protestë e fuqishme kundër luftës në Algjeri. Së fundmi, shkrimtari e aktori Shpëtim Selmani e sipërmori këtë sprovë kaq të vështirë, pra duke i dhënë një shije lokale e një jeh gjithandej botës. Teksti i tij e ruan kuadrin origjinal me zota e vdekatarë, e megjithatë përditësimi i tij dramaturgjik rezonon gjerë e gjatë në realitetet e ditëve tona. 

Nëpërmjet zërave të personazheve femra që janë kurthuruar në mynxyrën e vet – si puna e Hekubesë gjëmëmadhe, Andromakës fatkeqe, Kasandrës fatthënëse e Helenës sfiduese – ai shtjell dhembjen e pareshtur të Kosovës me britmat, vajet e vuajtjet e 20 mijë grave që ishin viktima të dhunimit gjatë luftës. 

“Familjet e lumtura janë që të gjitha të njëjta; secila familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet”, ishin fjalët e Tolstoit, me të cilat e hap romanin e tij mbi zhbërjen psikologjike të heroinës së tij moderne, Ana Karenina. Këto fjalë disi mund të përshtaten edhe këtu për të thënë se çdo dhembje njerëzore ka një shenjë unike, që kërkon përpjekje për ta kapur botën e brendshme të zhbërjes e rrënimit psikologjik që shpesh kalon i pazë. 

Derisa στιχομυθία (stikhomythia) e origjinalit euripidian flet me gjuhë moderne, ai sakaq merr fuqi kundër luftës e mizorive të saj. Kjo më së miri gjen shprehje nëpërmjet monologëve të Selmanit (i cili, njashtu, është pjesë e kastit të shfaqjes). Kapërthurja e dy kohërave të ndryshme është drejtpeshuar mjeshtërisht me anë të thyerjeve të “murit të katërt” dhe referencave të herëpashershme moderne: “E gjithë bota është Troja jonë e lashtë dhe Troja juaj moderne. Mijëra kuaj, jo prej druri, por prej çeliku… fluturojnë. Pegasusë të hekurt që hedhin bomba andej e këndej”.

Të gjallët vuajnë

Përtej aspekteve të saj teknike, performanca si sipërmarrje është larg më kërkuese sesa që mund të pritet. Përveç sfidave të një fqinjësie ende të vështirë me plot smira, paragjykime e armiqësira, “Gratë e Trojës” u përballën edhe më një problem shtesë. Vallë dy gjuhët e shfaqjes, shqipja e serbishtja, do të shkonin mirë me njëra-tjetrën? Si produksion dygjuhësh, puna e dy regjisoreve Zana Hoxha dhe Maja Mitić meriton veçse lëvdata. Dygjuhësia shkrihet kaq sublimisht me ndërveprimin e një kasti të zgjedhur me aktorë si Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski. Andaj, mund të thuhet lirshëm se as audienca vendore e as ajo e huaj nuk mund të vërë re ndonjë inkonsistencë. 

Janë dy detaje skenografike që e kanë hak vlerësimin: në skenën e hapjes, janë improvizuar valë deti, nga të cilat del Poseidoni që vajton rënien e Trojës. E gërshetuar me efektet zëruese nga gjëmimi i valëve të detit, kjo përfton ndjesinë e një pashprese të plotë përballë provanisë së pashpirt e memece që i ka braktisur vdekatarët. Gjatë performancës, herë pas here shfaqen edhe pendla që pezullojnë në ajër, një element ky që përpuqet me fytyrat pikë e vrer të grave fatkeqe, duke e theksuar brishtësinë e jetës së tyre. Ç’është e vërteta, këto janë strategji të mrekullueshme regjisoriale që shfrytëzojnë elemente të tilla për të vënë në spikamë përpjekjet vigane të grave kundër forcave të gjithëfuqishme.

Në origjinalin grek, thuajse secili deklamim i personazheve femra përmban shpërthime dhembjeje e pikëllimi (në origjinal ka pa fund raste vajtimesh si aiaí aiaí, ottototototoí, ió ió, aiaí, dhe é é, të cilat, në kohën e Euripidit, ishin evokime realiste nga jeta e përditshme). Sado që agonia e këtyre grave fatprera pezullon në ajër, performanca si tërësi është një ndërlojë e bukur mes dialogësh të goditur, një skene të thjeshtë por tërheqëse, dhe muzikës, e cila kap gjendjet kontrastuese e të ndryshueshme të personazheve. 
Është një lojë që bën tok vargje euripidiane me evokime krejt moderne, duke e theksuar fatin e gjëmshëm të 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Kjo ndërdyshje mendore e fizike më së miri jepet nga Andromaka: “Ata më detyruan të jetoj”. 

Ngjan shpesh, sidomos në momente agonie, që të dalin në sipërfaqe shpërthime të thella ekzistencialiste: “Vetëm të vdekurit nuk ndiejnë dhembje”. Aty ku Euripidi vetëm me ngurrim shfaqte ndonjë kundërvënie ndaj Zotave për shpërfilljen e tyre, kjo performancë nga Prishtina plot guxim e pa fije frike thotë që vetë feja është fabrikë dhune. Bota e rrënuar e Trojës ka viktima andej e këndej, por të vdekurit tashmë nuk preken, sepse frika, agonia, dhe vuajtjet rëndojnë më së shumti mbi ata që kanë mbijetuar. 

Me një dallim të shënueshëm prej veprës origjinale të Euripidit, ku perdet bien me vaje e tragjedi, kjo performancë sjell shpresë nëpërmjet ndërfutjes së momenteve me humor. Ky është një tjetër shembull i thyerjes së “murit të katërt” kur autori dhe aktori, Shpëtim Selmani, rijetëson një skenë që ngjan aq shumë me “Deconstructing Harry” të Woody Allenit: si nga hiçi, ai përballet sy me sy me personazhet e tij reale, nga jeta e përditshme, plot me rrebe, që i ankohen për fatet që ai ua shortoi atyre. Ka shpresë, prandaj, ka edhe jetë!

Shfaqja ‘Gratë e Trojës’, thirrjet shqip e serbisht që shkundën skenën e “Dodonës” në kërkim të paqes

Media: Kallxo.com
Titulli i storjes: Shfaqja ‘Gratë e Trojës’, thirrjet shqip e serbisht që shkundën skenën e “Dodonës” në kërkim të paqes
Data: 07 nëntor 2024
Linku: https://kallxo.com/kulture/shfaqja-grate-e-trojes-thirrjet-shqip-e-serbisht-qe-shkunden-skenen-e-dodones-ne-kerkim-te-paqes/

Nga: Isa Vatovci

Historia më tragjike e pushtimit dhe shkatërrimit të Trojës antike pasqyrohet me robërimin e grave trojane nga grekët; mbretëreshës Hekuba, Kasandrës, Poliksenës e Andromakës.

Të përjetësuar me tragjedinë “Gratë e Trojës”, të shkruar nga Euripidi, pas fundit të Trojës ato ndahen nga mbretërit e princërit grekë si plaçkë lufte-robëresha.

Kjo histori e dhimbshme i ka shërbyer Qendrës për Arte dhe Komunitete, “Artpolis” dhe një grupi artistësh nga Beogradi (Serbi) për të krijuar shfaqjen “Gratë e Trojës”, duke treguar se dhimbja dhe realiteti trojan vazhdon të jetojë edhe në kohën tonë.

Me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitiq (Maja Mitić), dhe me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, “Gratë e Trojës” është shfaqur të martën më 05.11.2024, në Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

E inskenuar nga aktorë shqiptarë e serbë, “Gratë e Trojës” shpalosi vuajtjet e grave pas luftës, duke nxjerrë në pah dhunën edhe brutalitetin ndaj tyre.

E veçanta e shfaqjes është se aktorët shqiptarë flasin shqipe, ndërsa ata serbë serbisht, gjatë gjithë shfaqjes, të titruar në gjuhën angleze.

Shfaqja sjell përmes qasjes feministe ndjeshmërinë dhe qëndresën e grave përballë terrorit të luftë, nga Greqia antike e deri në ditët e sotme, ku luftërat po bëjnë kërdi. Gratë trojane udhëtojnë në kohë duke ri-sjellë tragjedinë e grave të që kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, luftën në Gaza, Ukrainë, e gjetiu. Shfaqja bën thirrje për paq dhe fundin e konflikteve në botë, një thirrje që mori duartrokitjet e publikut.


Pamje nga shfaqja “Gratë e Trojës”. Foto: KALLXO.com.

“Troja, metafora për krimet e sotme”

Aktorja serbe, Maja Mitiq, tha për KALLXO.com se “Gratë e Trojës” flet rreth luftës, që në këtë moment po ndodhë në Gaza ose në Somali, apo luftës gjatë vitet e të ‘90-ta në Ballkan, në ish-Jugosllavi. Ajo thotë se arti duhet të fitojë përballë luftës.

“Ndjehem sikur gjithmonë arti duhet të fitojë, jo lufta dhe jo vrasja, përdhunimi, kush e di sa artistë në këto kohë nga Gaza apo Ukraina që janë emigrantë. Ne mendojmë për këta njerëz, janë nga lufta, janë emigrantë dhe kjo është arsyeja pse e pyes skenaristin, pse nuk i keni përfshirë edhe disa zota nga mitologjia greke që mund t’i mbronin pak, ndoshta do të mund t’i ndalnim këto luftëra që po ndodhin”- thotë Mitiq, e cila është edhe bashkëregjisore e shfaqjes, “Gratë e Trojës”.

Mitiq thotë se “Gratë e Trojës” do të shfaqet 22 dhe 23 nëntor (2024) në Qendrën për dekontaminim Kulturor në Beograd. Sipas saj, është e vështirë të sjellësh narrativat e luftës përmes artit. Por, siç thotë, janë tema të rëndësishme për ndryshimin e shoqërisë. “Unë zakonisht po zgjedh tema që janë të rëndësishme për ndryshimin e shoqërisë, sepse besoj se mund të bëj ndryshim”- tha Mitiq.

Aktori Shpëtim Selmani, që ka dramatizuar tekstin modern të shfaqjes, tha për KALLXo.com, se qëllimi i shfaqjes është që tw tregohet se Troja ekziston edhe në ditët e sotme.

“Ideja e shfaqjes është të tregojmë se vuajtja e grave ekziston ende, që sot ende ekziston Troja, në vendet të ndryshme ku ka luftëra, histori që janë të ngjashme me tragjeditë e lashta greke, jemi mbështet te vepra e Euripidit, ‘Gratë e Trojës’, e kemi bërë një gërshëtim me konflikte aktuale dhe i kemi lidhur situata”- tha ai.


Pamje nga shfaqja “Gratë e Trojës”. Foto: KALLXO.com.

Sfida e dygjuhësisë

Regjisorja Zana Hoxha, tha për KALLXO.com se shfaqja “Gratë e Trojës” është rezultat i një procesi të gjatë punë. “Nuk ka qenë lehtë, gati një vit gjysmë, është një prej proceseve më të vështira që i kam bërë në jetë”- tha ajo. Hoxha tha se shfaqja edhe pse bazohet në një prej tragjedive greke, flet për realitetin e sotëm. “S’kam dashur me i ik asaj çfarë po ndodhë, nuk kam mund me realizua ‘Grat e Trojës” pa e aktualizuar, pa dhënë një pjesë të Kosovës, Gazës, e asaj çfarë po ndodhë sot në botë”- tha Hoxha

Por, sfidë për të ka qenë realizmi i një shfaqje ku aktorët shqiptarë flasin shqip, ndërsa ata serbë serbisht, gjatë gjithë shfaqjes. Por, spas saj, ky është një hap historik. “Natyrisht, ka qenë sfiduese me punua në dy gjuhë se asnjë aktorë nuk e ka ditë gjuhën e serbe, ose aktorët serbë gjuhën shqipe. Vetëm unë i kam ditë të dyja gjuhët dhe ndonjëherë i jepja indikacionet në të tri gjuhët, shqipe, anglisht, serbisht”- ka thënë ajo.

Shfaqja “Gratë e Trojës”, sipas regjisores Hoxha do të shfaqet në Beograd në Serbi, më 22 dhe 23 nëntor (2024). Ndërsa tashmë regjisorja Hoxha ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Itali për vitin e ardhshëm (2025).

SHFAQJA TEATRORE “REVOLTË. AJO THA. REVOLTOHU SËRISH.”

“Revoltë. Ajo Tha. Revoltohu Sërish.”, shkruar nga Alice Birch dhe me regji nga Zana Hoxha, është një analizë e mprehtë, e zgjuar dhe e thellë mbi çfarë do të thotë të jesh grua, e interpretuar nga një kast tërësisht gra, duke përfshirë Natalia May, Xixi Xiao, Tanaka Mpofu dhe Olive McHugh.

Bota jonë post-apokaliptike, e dizajnuar nga Grace Rumsey, ri-imagjinon rregullat dhe traditat e mëparshme që çuan shoqërinë tonë drejt fundit. Ajo ngre pyetjen: Çfarë na ndalon të bëjmë diçka me të vërtetë radikale për të shpëtuar të ardhmen tonë? Revoluciononi gjuhën, Revoluciononi botën. Revoluciononi punën. Revoluciononi trupin. Gjallërohuni!

pati premierën e saj më 5 shtator në Greenhouse Festival, Londër. Deri tani, është shfaqur katër herë, përfshirë edhe më 28 shtator, 2024 në edicionin e 12-të të Festivalit FemArt.

Dramaturge: Alice Birch

Regjisore: Zana Hoxha

Aktore: Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao, Natalia May

Skenografia dhe Kostumet: Grace Rumsey

Dizajnere Ndriçimi: Ghoti Fisher

Dizajneri i Zërit: Aidan Gibson

Koreografe: Kristin Fredrickson

Konsulente për Instrumentet: Julia Deng Hanzu

Menaxhere e Skenës: Ace Turner

Asistente e Skenografisë dhe Kostumeve: Xiaomin Fan

Produksioni: LAMDA dhe Orange Tree Theatre

Për më tepër mbi shfaqjen lexoni këto analiza:

Nga Simon Jenner: https://zanahoxha.com/revolt-she-said-revolt-again-recension-nga-simon-jenner/?lang=sq

Nga Shqipe Malushi: https://femart-ks.com/sq/revolt-she-said-revolt-again/

Nga Gili Hoxhaj: https://femart-ks.com/sq/revolte-ajo-tha-revoltohu-serish-hapi-rruge-per-veprim-permes-teatrit//