FemArt – FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I GRAVE ARTISTE DHE AKTIVISTE

Filloi si një ambicie dhe dëshirë e themelueses dhe drejtores ekzekutive të Artpolis dhe Festivalit FemArt, Zana Hoxha. Festivali FemArt ishte një domosdoshmëri për shoqërinë në vendin tonë dhe në rajon. Vazhdoi të zgjerohej vetëm për t’i dhënë hapësirë artit, solidaritetit, humanizmit, paqes,
lirisë, argëtimit, gëzimit, ndjeshmërisë dhe fuqizimit.

Nisur nga vështirësitë me të cilat ballafaqohen gratë dhe grupet e margjinalizuara në Kosovë dhe rajon në përditshmëri, ngritja nga këto vështirësi duke u përballur dhe përmbysur normat shoqërore që i mbajmë ndërbreza, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis duke filluar më 2013, ka organizuar Festivalin FemArt me synim që të sfidojë patriarkatin, i imponuar tek gratë dhe vajzat përgjatë viteve.

Kjo iniciativë artistike e bukur u bë platformë për artiste dhe aktiviste të dëgjohen, dhe që nga edicioni i parë e mori formën e një festivali prestigjioz. Festivali vazhdon të jetë hapësirë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që shtyjnë përpara koncepte feministë dhe zhvillimin e saj në
Kosovë, e gjithashtu avokimin për të drejta të barabarta dhe ndërtimin e paqes në rajon.

FemArt mblodhi së bashku artiste/ë vendore/ë dhe ndërkombëtare/ë të të gjitha llojeve të ekspertizës, nga debutantët deri tek profesionistët me përvojë. Të përfshirë kanë qenë gra artiste dhe aktiviste, por edhe burra me qasje feministe, krijues të filmave, aktorë, fotografë, muzikantë, shkrimtarë, së bashku me krijues dhe profesionistë të tjerë që kontribuojnë me hulumtime,
diskutime, dhe shkëmbime të informatave.

Programi i larmishëm i Festivalit FemArt jo vetëm që është edukativ, por edhe argëtues, i cili ka arritur të ketë një publik të gjerë divers, të cilëve iu ka dhënë njohuri dhe përvojë më të gjerë. Këto programe të edicioneve të kaluara u zgjodhën nga grup të artisteve dhe aktivisteve të shoqërisë civile që kanë përvojë në forma të ndryshme të artit dhe kanë lidhje ndërmjet çështjeve të artit dhe atyre sociale.

Inspiruar nga temat sociale dhe të drejtat e njeriut në Ballkan, artistët dhe aktivistët iu bashkuan kësaj platforme dinamike të Festivalit, dhe artistikisht informuan publikun mbi çështjet sociale me të cilat gratë në Kosovë dhe rajon ballafaqohen çdo ditë.

Së bashku jemi më të fuqishëm dhe s’do të ndalemi asnjëherë deri sa të arrijmë qëllimet tona; lirinë, drejtësinë, barazimin dhe edukimin për të gjitha gratë dhe vajzat në Kosovë.

Për më shumë: https://femart-ks.com/https://www.facebook.com/FemartKosova