Notice: Function _load_textdomain_just_in_time was called incorrectly. Translation loading for the wordpress-seo domain was triggered too early. This is usually an indicator for some code in the plugin or theme running too early. Translations should be loaded at the init action or later. Please see Debugging in WordPress for more information. (This message was added in version 6.7.0.) in /home/u728735110/domains/zanahoxha.com/public_html/wp-includes/functions.php on line 6114
Zana e artit dhe e aktivizmit - Zana Hoxha
Activism

Zana e artit dhe e aktivizmit

By 27/03/2021No Comments
“Është identitet i jemi”, thotë regjisorja Zana Hoxha. Qysh prej kohës së studimeve, e ka shoqëruar kombinimi i krijimtarisë teatrale me vullnetarizmin qytetar. Shpesh, në dërrasat e teatrit, ka gërshetuar kauzat shoqërore, sidomos ato në mbrojtje të të drejtave të grave. Mesazhet për ndryshim janë përçuar nëpërmjet artit, të cilin e ka kthyer edhe në mjet mirënjohjeje edhe për sakrificën e grave dhe aktivisteve të viteve nëntëdhjetë.

“Zana, në radhë të parë, është një feministe e fortë, edhe ajo lufton përmes punës së saj për të drejtat e grave dhe vajzave dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë”, thotë Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës.

“Zana është grua e fortë, por paralelisht është edhe e ndjeshme, dhe ndien e solidarizohet me të tjerët, të cilët kanë nevojë me pasë përkrahjen e saj”, thekson Venera Ismaili, pjesë e qendrës “Artpolis”.

“….por kjo është Zana, nuk ka qejf me qenë e dyta, ka qejf me realizu deri në perfeksion, si në jetë si profesionalisht, por puna e saj si aktiviste e të drejtave të njeriut, puna e saj e jashtëzakonshme me ‘FemArtin’, ku është pjesa edhe profesionale dhe humanitare, e bën Zanën shumë të veçantë për modelin, hajde unë po them qysh kemi qejf, të gruas shqiptare…”, spikat aktori Adrian Morina.

Këto janë fjalët e disa prej miqve dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë që pasqyrojnë veprimtarinë si aktiviste dhe krijimtarinë si regjisore të Zana Hoxhës. Krejt jeta e saj dyzon angazhimin vullnetar qytetar jashtë e realizimin e ambicieve profesionale brenda teatrit. Aty ndihet më së miri. Mesazhi i saj, gjithnjë thirrje për ndryshim.

Arka si thirrje për ndryshim

Edhe kthesat më të mëdha në karrierën e saj lidhen me ndryshimet historike të Kosovës.

Për jetësimin e tyre, Zana do të frymëzohej nga gjyshja Hedije, një grua me karakter të fortë.

“Gjyshja e ka pasur një histori interesante të rritjes, nuk ka përtuar kurrë që me m’i tregu historitë e saj mua. Ka qenë një model se si duhet me i pranu personat që shoqëria i gjykon, i përjashton, që i sheh më ndryshe”, kujton me krenari Hoxha copëza rrëfimi në zyrën e saj në Prishtinë. Muret, të mbushura me shenja që ia përkujtojnë kohë të ndryshme. Secila prej tyre, histori më vete.

“Qoftë komunitetet tjera, qoftë njerëz të preferencave të tyre ndryshe, qoftë prej stilit të jetesës që kanë bërë në atë kohë, dhe gjyshja ime është njohur si person që i përqafon të gjitha këto preferenca dhe që nuk i gjykon dhe nuk i largon”.

Arkën e gjyshes e ka sjellë në zyrë. Nga Gjakova në Prishtinë. Ishte edhe pjesë e shfaqjeve në teatër. Arka përfaqëson të kaluarën e familjes. Përherë ia kujton se për të ardhmen duhet të punojë tani.

Shpërblimet nëpër mure, mirënjohje për veprat e saj. Ama, më me qejf flet për thesarin e gjyshes.

“Ka qenë arka e saj që i themi ne me çejzin që e ka dërguar. Ajo ka edhe arka tjera, ka edhe një pjesë tjetër të trashëgimisë që e ka lanë. Unë kam kërkuar pikërisht këtë sepse është edhe pjesë e trashëgimisë së nanës së saj”, thotë Hoxha. Me dorën e djathtë fërkon pjesën këndore të arkës.

“Për mua është një kujtesë shumë e mirë prej asaj nga unë vij, sepse ne vijmë prej një kulture, rrethanave të caktuara, unë vij nga Gjakova që është një qytet shumë matriarkal dhe si lokacion matriarkal, është shumë normale në Gjakovë me pa gra që kanë udhëhequr, të zonja, udhëheqëse jo vetëm të familjes, por edhe të bizneseve të ndryshme dhe jam rritur me këtë modelin e grave që udhëheqin”.

Dokumentimi i tmerrit të luftës

Dhe pasojat shoqërore të trashëgimisë patriarkale shpesh përbëjnë boshtin e shfaqjeve të Hoxhës. Edhe atëherë kur forca e zakonit e bën të veten, nuk heq dorë nga misioni i saj sfidues. Arti, mjet për të përçuar mesazhin për mbrojtje të të drejtave të njeriut. Sidomos të grave dhe të kategorive të margjinalizuara.

Prania dominuese e të rinjve e të rejave në performancat e saj, shenjë e shpresës për kapërcimin e pengesave. Aso, me të cilat ishte përballur edhe gjyshja Hedije. Por, betejën për barazi, Zana e zhvendos dhe e kolektivizon në dërrasat e teatrit.

Zana Hoxha dhe organizata e saj joqeveritare “Artpolis” promovojnë artin dhe diversitetin nëpërmjet dialogut shoqëror dhe krijimit të frymës së bashkësisë. Është vetëm njëri prej leksioneve të shumta që i transmeton artistikisht me lojën teatrore.

Por, edhe rrethanat në Kosovën e pushtuar, sidomos gjatë luftës në fundvitet nëntëdhjetë, do të ndikonin në formësimin dhe rrugëtimin e saj. Si tinejxhere nisi të punonte për organizata ndërkombëtare në Gjakovën e shkatërruar nga forcat serbe. Njohja me aktivistë të shteteve të ndryshme, mundësi për njohje të kulturave të reja.

Ajo do të dokumentonte terrorin serb mbi shqiptarët. Me veshët e saj po dëgjonte dëshmitë për mizoritë dhe format e ndryshme të dhunës që ishte ushtruar mbi gratë e burrat e pafajshëm.

“Ne kemi gra që kanë qenë lidere të lëvizjes paqësore dhe të rezistencës paqësore të viteve nëntëdhjetë. Kemi gra aktiviste, kemi,… ose aktiviste të protestave paqësore në rrugë nga Prishtina në Drenicë, gra që u janë bashkuar lëvizjeve studentore, ose lëvizjeve për paqe, dhe të gjitha këto histori nuk kanë arritur kurrë të mbërrijnë në teatër”, thotë Hoxha.

“Dhe, e kam ndier këtë nevojë me pasë këtë fuqi, këtë vijë të një fuqie të grave, të cilat vendosin për vetveten, vendosin për shoqërinë në të mirë të shoqërisë dhe nuk kërkojnë falje për ato që janë. Dhe, kjo ka qenë ajo që përfaqësoj, jo vetëm si lidere dhe aktiviste, por edhe si regjisore”.

Ky gërshetim e ka përcaktuar edhe kontributin e saj në skenë dhe jashtë saj. Me fjalë të ngjashme e përshkruajnë edhe kolegët e punës në “Artpolis”. Venera Ismaili është njëra prej tyre.

“…e fortë dhe e ndjeshme”

Venera Ismaili, e cila tani punon në “Artpolis”, ka përcjellë aktivitetin artistik e vullnetar të Hoxhës edhe para se të bëhej pjesë e stafit të qendrës.

“Më ka pëlqyer shumë edhe si artiste, por edhe si një grua e fortë që ka punuar dhe ka arritur atë që ka dashtë. Dua të them se pos që ka treguar se është një grua e fortë, por gjithnjë në biseda, po flas para se me qenë në ‘ArtPolis’, ajo e ka treguar edhe një anë të ndjeshme në punën e saj, ka pasur karakteristika që shumë më kanë pëlqyer dhe disi e kam çmuar shumë si grua. Zana është grua e fortë, por paralelisht është edhe e ndjeshme, dhe ndien e solidarizohet me të tjerët, të cilët kanë nevojë me pas përkrahjen e saj”, thotë Ismaili.

“Është identitet i jemi”, thotë Hoxha. Qysh prej kohës së studimeve, e ka shoqëruar ky kombinimin.

Adrian Morina ka hapëruar bashkë me Zana Hoxhën në rrugëtimin artistik qysh prej ditëve të para në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Bashkë do të ndërmerrnin edhe nisma e projekte studentore.

“Po flas për energjinë dhe ëndrrat, sepse Zana gjithnjë ka qenë edhe ëndërrimtare, edhe ambicioze, edhe energjike. I kemi nisur punët e para bashkë në provimet studentore, e mbaj mend ‘Jul Cezarin’, një shfaqje shumë ambicioze për kohën, prej një studenteje të regjisë”, kujton Morina në hollin e Teatrit Kombëtar.

“Ne atëherë ishim studentë të aktrimit, me kostumet u marrke vetë, me i qepë, me i përgatitë vetë. Ndoshta ka qenë hera e parë në shfaqjet studentore kur luanim me kostume të qepura enkas për ne, dhe natyrisht si student ndihesh mirë. Po e them këtë sepse është shumë insistuese. Ka qenë gjithmonë insistuese me realizu punën maksimalisht dhe me dashni shumë të madhe”.

Morina ia njihte aq mirë karakterin sa për t’iu përvjelë bashkërisht planeve ambicioze, si atëherë kur një grup të rinjsh themeluan festivalin e studentëve “Skena UP”. Zanës i ishte besuar programi i shfaqjeve teatrore.

“E kemi nisur me Zanën, Arzana Krajën, Mentor Halitin, Arjan Krasniqin, Arben Zharkun, dhe një grup e kemi realizu festivalin ‘Skena UP’. Zana ka qenë përgjegjëse për teatër. Kishim qejf me ba diçka më shumë se veç teatër. Ndoshta atëherë nuk e kemi ditur se ajo ishte aktivizëm, ose aktivizimi i diçkaje më shumë se sa aktivizëm, edhe në aspektin njerëzor”, thotë ai. “…dhe kthehem dhe them se njeriu definitivisht e ka të vështirë dhe ne nuk e kemi artikuluar çfarë po dojmë me ba, por rrugën sigurisht e ka trasuar Zana, d.m.th, kjo punë e saj gjigante si një udhëheqëse e një organizate që merret me të drejtat e njeriut, ti e sheh se fillet i ka shumë moti. Ndoshta s’e kemi ditur emrin, ndoshta s’e kemi ditur kuptimin me quajt saktë, por gjatë jetës që kulmon sot jo vetëm me ‘FemArtin’, por edhe me shumë punë tjera që bën ‘ArtPolisi’”.

Shfaqja e kthesës së madhe

Në vitin e Pavarësisë së Kosovës, Zana pas një shfaqjeje do të merrte vlerësimin dhe përkrahjen e aktivisteve e artisteve vendore e ndërkombëtare për të kanalizuar edhe më shumë energjinë për shndërrimin e shfaqjeve të saj në platforma publike të thirrjeve për të drejta të barabarta, pavarësisht pikëpamjeve e orientimeve për zhvillimin e shoqërisë.

“Bëra një shfaqje në vitin 2008 dhe një aktiviste suedeze feministe erdhi më uroi për shfaqjen që e kisha bërë me artistë nga krejt Ballkani – ishte viti i Pavarësisë së Kosovës – dhe erdhi më tha se arti yt është shumë feminist, dhe unë nuk e kuptoja se çfarë po më thotë”, thotë Hoxha në sallën e qendrës së saj artistike. “Dhe, mandej gjeta përkrahje nga aktiviste dhe Rrjeti i Grave, në veçanti nga Igballe Rugova që thanë se na duhen aktiviste si ti dhe në lëvizje gjeta shumë solidaritet dhe shumë përkrahje për artin tim që nuk ishte vetëm brenda teatrove, por edhe në punë me komunitetin”.

Edhe drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës e kujton bisedën e para 14 vjetësh kur do t’i jepte zemër regjisores së re.

“Shih, duke pasur parasysh se në vitet nëntëdhjetë na, si Motrat Qiriazi, dhe gjatë luftës kemi vepruar përmes artit, përmes shfaqjes, sepse ne kemi besuar dhe akoma besoj se mesazhi më i mirë për t’iu dhënë qytetarëve është përmes artit. Dhe kur e kam takuar Zana Hoxhën në atë kohë, ajo më ka fascinuar për idenë që ajo kishte për të punuar që përmes artit të jepte mesazhin”, thotë Rogova në zyrën e Rrjetit të Grave të Kosovës.

“Për shembull, unë mundem me dhanë vetëm një shembull. Shumë është punuar për të drejtën për trashëgimi, janë dhënë shumë të dhëna, por mënyra qysh e ka prezantuar Zana përmes një shfaqjeje dhe kanë shkuar në gjithë Kosovën se pse kanë gratë të drejtë në pasuri, dhe mënyra që pas shfaqjes pastaj të ketë debat, ka qenë më efektivja. Prandaj, vërtet është një mënyrë shumë e fortë dhe shumë e qëlluar se si vepron ‘ArtPolisi’ dhe Zana Hoxha përmes artit”.

Rogova thotë se e përbashkëta e aktivitetit qytetar e artistik të “Motrave Qiriazi” dhe ‘ArtPolisit’ është lidhja e drejtpërdrejtë me anëtarët e komunitetit, për të cilët kërkohet drejtësi e barazi shoqërore.

Përpjekjet e Zanës janë intensifikuar edhe më shumë në këtë drejtim pas themelimit të festivalit ‘FemArt’ më 2013. Nëpërmjet tij promovohen vlerat artistike dhe qytetare të grave. Edicioni i vjetëm u realizua fizikisht dhe online në kohën e masave kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Pjesët e realizuara në ambient të hapur nuk përbënin sfidë për mënyrën thuajse rutinore të punës së regjisores kosovare.

Slogani i shpresës

Slogani, lidhje e fortë ndërmjet sfidave të mëdha, por të ndryshme, ndërmjet dy dekadave. Puna e saj lidh përherë artin me aktivizmin qytetar.

“Solidaritet me gra dhe burra që i ka prekur më së shumti COVID-i, që kanë përjetuar dhunë, solidaritet me ato gra që kanë mbetur në rrugë, solidaritet me ato gra që nuk kanë zë, solidaritet me ato gra që ndoshta janë në shtëpi, por që kur e hapin TV-në e kanë të vetmen liri komunikimi”, thotë Hoxha në teatër.

Zyra e regjisores, nënë e tre fëmijëve, pasqyron atë që ajo e quan binom të angazhimit të saj publik nëpërmjet aktivizimit vullnetar dhe artit. Aty ka gjëra që i ngjallin copëza kujtimesh të jetës personale, por edhe mirënjohje e nderime kombëtare e ndërkombëtare për jetën profesionale.

“Vizioni jem e parasheh edhe këtë pjesën si artiste që mbron të drejtat e njeriut, një vizion që është në kundërshtim me një grup të caktuar. Ne e dimë se në art ka abuzim të të drejtave të grave, në art në përgjithësi”, thekson Hoxha. “Në Kosovë shumë pak flitet për abuzimet apo diskriminimin në art. Diskriminohen në pagesa, gjithashtu kemi pak gra që janë në krye të institucioneve, por që edhe kur gjinden në krye, shpesh veprojnë si burrat për shkak të patriarkatit dhe mentalitetit se ti, për me qenë e fuqishme, duhet me vepru njëjtë si një burrë para teje. Pra, ka shumë çështje që më kanë pru këtu jam”.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism” që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF dhe Ambasada Suedeze në Kosovë.)